E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakrifica për Serie A

Migjen Basha e realizoi një ëndërr, duke u transferuar në Torino, e cila po ia jep rastin të luajë në Serie A. Mesfushori kosovar ka zbuluar sakrificat që kishte bërë për të ardhur deri këtu ku është sot. Ai është pishman që e la herët Zvicrën, derisa tregon për rrogat e papaguara në Lucchese. Vullnetin dhe karakterin e 25 vjeçarit e vlerësojnë edhe ish bashkëlojtarët.

Migjen Basha po e shijon një ëndërr. Futbollisti kosovar bëri shumë sakrifica për të ardhur aty ku është sot. Mesfushori defanziv, që ka pasaportë zvicerane, e realizoi dëshirën e tij për të luajtur në elitën e futbollit italian – Serie A me Torinon, pasi kaloi disa sezone në ligat më të ulëta të futbollit italian.

Edhe pse nuk luajti rregullisht, atëherë kur iu dha rasti, ai e arsyetoi besimin e trajnerit. 25 vjeçari është duke e dhënë maksimumin për ekipin Granata, si në stërvitje, ashtu edhe në lojë.

“Presioni është enorm këtu. Në mënyrë konstante na kujtohet e kaluara e suksesshme e këtij ekipi. Rivaliteti me Juventusin është evident. Duhet të përmirësohemi dhe të kapim rezultate të mira”, deklaroi Basha për të përditshmen zvicerane 20 Minuten.

Për ta shijuar këtë pasion të përditshëm, therandasi është dashur të ishte i durueshëm dhe të bënte sakrifica. Sepse 25 vjeçari, vëlla i futbollistit Vullnet Basha, tash e ka bërë përvojën. Ai kishte zbarkuar në Itali në vitin 2006 së bashku me Julien Chammartin, kur ishte vetëm 19 vjeç. Ai ishte transferuar në Serie C (liga e tretë italiane) në ekipin Lucchese.

“E kam bërë një gabim që kam shkuar jashtë shumë i ri. Në atë moment kam menduar për paratë. Në Zvicër e kam shijuar më shumë lojën”, shtoi Basha, duke iu referuar hapave të parë të eksperiencës në Itali.

“Lucchese kishte falimentuar dhe nuk ma ka paguar rrogën për 6-7 muaj. Kjo eksperiencë më ka shërbyer për të mirë, pasi e kam mbështetur Vullnetin gjatë falimentimit të Xamaxit”, vijoi Basha.

Shoku i tij Julien Chammartin, me të cilin kishte shkuar së bashku në Itali nga Zvicra, e ka lavdëruar ish përfaqësuesin U-21 të Zvicrës. “Migjeni ka demonstruar forcë dhe karakter. Ka insistuar për ëndrrën e tij dhe e ka pasur fatin ta merrte një menaxher italian. Ka bërë sakrifica, por që ia kanë vlejtur”, thotë ish futbollisti i Luccheses.

Pas Luccheses ai u huazua në Viareggio, ndërsa më pas vazhdoi me ekipet Rimini, Frosinone e Atalanta prej nga zbarkoi në Torino, ku duket se e ka gjetur rehatinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›