Krenar Ahmeti kritikon dhunën policore në protestë: Efektivët nuk dinë çfarë të bëjnë, kaos në dhënien e urdhrave! Pa numra identifikimi kanë më shumë potencial për dhunë
Ish-drejtuesi i Policisë, Krenar Ahmeti, ka kritikuar mënyrën se si janë organizuar dhe vepruar forcat e rendit gjatë protestës në Tiranë, duke ngritur shqetësime për vendosjen e efektivëve në terren, mungesën e identifikimit dhe kaosin në dhënien e urdhrave.

Për News24, Ahmeti tha se dispozitivi policor nuk përmbush parametrat e nevojshëm tekniko-taktikë dhe se, sipas tij, veprimet në terren nuk po zhvillohen në përputhje me procedurat standarde.
Ai u ndal veçanërisht te efektivët e maskuar dhe mungesa e numrave të identifikimit, duke argumentuar se pamundësia për të identifikuar punonjësit e policisë mund të rrisë rrezikun e sjelljeve të dhunshme dhe të vështirësojë evidentimin e shkeljeve.
“Është e vërtetuar shkencërisht që, në momentin që ti humb identitetin e një punonjësi publik, rrit dhunën në nivel eksponencial, pra disa fish. Një person që është në krye të detyrës dhe ti i ke mbuluar identitetin, do të thotë që ti i ke dhënë mundësi atij që të shkelë ligjin“, tha ai
Ahmeti kritikoi gjithashtu mënyrën e organizimit të operacionit, duke u shprehur se në terren ka kaos në dhënien e urdhrave dhe mungon një post komandë i qartë.
“Ka një kaos të jashtëzakonshëm në dhënien e urdhrave dhe në veprime. Nuk ka një post komandë. Në momentin që një shkelës i ligjit do të shkojë përpara prokurorit, duhet të ketë pesë letra. Secili duhet të ketë sektorin dhe detyrën e vet”, deklaroi ish-drejtuesi i Policisë.
Ai shtoi se urdhrat e dhënë me radio ose me zë mund të mos dëgjohen nga efektivët gjatë përplasjes, ndaj, sipas tij, forcat duhet të jenë të parapërgatitura dhe të kenë të qartë mënyrën e veprimit në situata të tilla.
Krenar Ahmeti: Unë do të ndalem vetëm te dispozitivi, vendosja e dispozitivit në terren, e forcave të policisë. Së pari, është jashtëzakonisht i lënë për të dëshiruar, është jashtë parametrave tekniko-taktikë. Është jashtë parametrave të procedurave standarde.
Tjetër, që është shumë e rëndësishme, është e vërtetuar shkencërisht që, në momentin që ti humb identitetin e një punonjësi publik, rrit dhunën në nivel eksponencial, pra disa fish. Një person që është në krye të detyrës dhe ti i ke mbuluar identitetin, do të thotë që ti i ke dhënë mundësi atij që të shkelë ligjin.
Çfarë ndodh? Në të gjithë botën, forca të tilla janë të gjitha të identifikuara. Ose në kaskë, ose në shpinë, kanë numra. Secili ka numrin e vet. Kanë numrin e repartit që i takon, të njësisë dhe të togës, si dhe numrin e vet. Pra, menjëherë, kur një kamerë e kap, dihet që ky e ka numrin në shpinë dhe identifikohet nëse është duke vepruar në mënyrë të jashtëligjshme. Kjo për sa i përket paraqitjes në terren.
E dyta, ka një kaos të jashtëzakonshëm në dhënien e urdhrave dhe në veprime. Nuk ka një post komandë. Në momentin që një shkelës i ligjit do të shkojë përpara prokurorit, duhet të ketë pesë letra. Secili duhet të ketë sektorin dhe detyrën e vet.
Sa u përket urdhrave, nuk mund të japësh as me radio dhe as me zë, sepse nuk të dëgjon kush. Forcat e policisë, duke operuar, nuk arrijnë të të dëgjojnë. Pra, ata duhet të jenë të parapërgatitur. Të gjitha forcat duhet ta dinë se si veprohet në situata të tilla.
Ata nuk kanë as numrin e identifikimit, matrikullimin që e kanë në gjoks. Veshja balistike, edhe kur je me maskë kundra gazi, bën që të humbasësh identitetin. Kur humbet identitetin, potenciali që çdo njeri të sillet në mënyrë të dhunshme është shumë i madh, sado i moralshëm të jetë ai punonjës policie.
Në momentin që ai vepron, mund ta tejkalojë përdorimin e forcës dhe tejkalimi i forcës është shkelje e ligjit. Përdorimi i forcës bëhet në mënyrë të shkallëzuar dhe kjo kërkon profesionalizëm. Ka një vijë kritike dhe, në momentin që unë kaloj këtë vijë imagjinare, sado urdhra të më japin, jo vetëm që nuk arrijnë dot të më vijnë dhe të zbatohen, por hyjnë në fuqi vetëm ligji dhe rregullat që kanë mësuar gjatë stërvitjes.
Ka të bëjë edhe me urdhrat, edhe me joprofesionalizmin e personave që janë në terren, sepse nuk dinë çfarë të bëjnë. Unë e shoh se si operojnë. Ata nuk arrijnë dot të mbrojnë veten. Kur nuk arrijnë të mbrojnë veten, në momentin që ata goditen dhe janë duke u goditur me gurë.