“Largimi i Ramës, kusht kryesor për daljen nga kriza” – Blushi: Shpërbleu financiarisht dhunën dhe represionin! Tre reforma që duhen për rikthimin e sovranitetit tek populli
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si kusht të panegociueshëm për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në vend.

Në një deklaratë për mediat, Blushi dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe protestuesve, duke akuzuar qeverinë për përdorim të represionit shtetëror dhe përshkallëzim të konfliktit.
Sipas tij, largimi i Ramës është hapi i parë drejt rikthimit të demokracisë dhe besimit te institucionet.
“Përballë një krize shumë të rëndë politike, institucionale dhe shoqërore që vetëm përshkallëzohet, në kushtet kur Kryeministri vijon të mos ketë asnjë reflektim, përkundrazi po dëshmon vullnetin kriminal për të shtuar dhe shpërblyen dhunën kriminale shtetërore, kryekushti i panegociueshëm dhe i panënshtrueshëm ndaj asnjë kompromisi, është largimi i menjëhershëm i Edi Rames.”, tha ai.
Për daljen nga kriza, Blushi propozon tri reforma themelore, rikthimin te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, sanksionimin në Kushtetutë të qeverisë teknike përpara çdo zgjedhjeje parlamentare dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.
“Këto tri reforma, pas largimit të Edi Ramës, janë rruga e vetme për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të garantuar llogaridhënien dhe për të mos lejuar që Shqipëria të bjerë sërish në duart e mafias dhe një pushteti politik të pakontrolluar që kap për fyti të gjitha institucionet.”, u shpreh ai.
DEKLARATA E PLOTE:
Terrori i egër shtetëror, dhuna barbare, gjakosja kriminale e studentëve, qëllimi me plumba gome në mish, rrahjet me shkopinj gome dhe me hunj, torturat çnjerëzore kolektive, helmimi me gaz, rrëmbimet mafioze dhe arrestimet arbitrare të studentëve nga narkopolicia, banditët e maskuar dhe forcat mercenare të thirrura në ndihmë nga Edi Rama janë shprehja më e qartë, dëshmia në dritë të diellit, e kriminalizimit të një regjimi, që duhet shembur me çdo kusht.
Represioni i egër shtetëror gjithnjë në rritje, që mbrëmë nuk kurseu as selitë e partive opozitare, provon se Edi Rama, për të mbrojtur karrigen e tij, është gati t’i vërë flakën të gjithë Shqipërisë.
Në vend të reflektonte ndaj kërkesave legjitime të të rinjve, të shumëfishonte mbështetjen buxhetore për Arsimin, mbështetjen financiare për studentët, të shumëfishonte pagat e mësuesve dhe pedagogëve, Edi Rama zgjodhi sot të shumëfishojë 4 apo 5-fish shpërblimet për narkopolicët, banditët, mercenarët dhe të gjithë ata që dhunojnë dhe terrorizojnë barbarisht studentët dhe qytetarët e ngritur në revoltë.
Akti i sotëm i Edi Ramës konfirmon se ai është armiku më i egër i të rinjve, nxitësi, urdhëruesi dhe autori kryesor i dhunës barbare dhe terroriste shtetërore.
Duke shpërblyer financiarisht disa fish dhunën dhe represionin, per kedo qe kishte iluzione, Edi Rama provoi sot se ai dhe vëtëm ai është piromani i Tiranës dhe i të gjithë Shqipërisë, që e ka kthyer shtetin në një makineri gjigande dhune në dorë të mafias dhe që është gati jo për të zgjidhur krizën shumë të rëndë ku ndodhet venti, por përkundrazi, për të përshkallëzuar konfliktin me studentët dhe shqiptarët e ngritur në protestë.
Përballë një krize shumë të rëndë politike, institucionale dhe shoqërore që vetëm përshkallëzohet, në kushtet kur Kryeministri vijon të mos ketë asnjë reflektim, përkundrazi po dëshmon vullnetin kriminal për të shtuar dhe shpërblyen dhunën kriminale shtetërore, kryekushti i panegociueshëm dhe i panënshtrueshëm ndaj asnjë kompromisi, është largimi i menjëhershëm i Edi Rames.
Nuk mund të ketë kurrë asnjë zgjidhje me Kryehorrin, Kryebanditin, Kryehajdutin, gjaksorin, tradhtarin dhe armikun më të egër të shqiptarëve, që është shkaku i vetëm i krizës.
Me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë asnjë kompromis.
Largimi i tij është kushti themelor, kryekushti i panegociueshëm.
Çdo përpjekje për ta shmangur këtë kryekusht vetëm e përshkallëzon krizën dhe shton kostot e gjithëanshme, shumë të rënda dhe afatgjata, për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Vetëm pas largimit pa kthim dhe të panegociueshëm të Edi Ramës, Shqipëria e ka zgjidhjen shumë të thjeshtë, përmes vetëm tre hapave, që garantojnë një Republikë të vërtetë Parlamentare, funksionale dhe demokratike, ku sovraniteti i përket popullit dhe institucionet i shërbejnë qytetarëve, jo partisë.
Së pari, rikthimi te Kushtetuta e miratuar me referendum nga populli përpara ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ekuilibrat kushtetues, ndarjen dhe kontrollin e pushteteve, parlamentarizmin e vërtetë dhe mekanizmat e llogaridhënies. Shqipëria ka nevojë për institucione që kontrollojnë njëri-tjetrin, jo për një pushtet që kontrollon gjithçka.
Së dyti, sanksionimi në Kushtetutë i Qeverisë Teknike përpara çdo zgjedhjeje parlamentare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar votën e lirë, zgjedhjet e ndershme dhe të barabarta.
Kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër.
Së treti, zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli, për t’i dhënë Kreut të Shtetit legjitimitet të drejtpërdrejtë qytetar dhe një rol kushtetues të pavarur në mbrojtje të Kushtetutës, interesit kombëtar dhe ekuilibrave demokratikë.
Këto tri reforma, pas largimit të Edi Ramës, janë rruga e vetme për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të garantuar llogaridhënien dhe për të mos lejuar që Shqipëria të bjerë sërish në duart e mafias dhe një pushteti politik të pakontrolluar që kap për fyti të gjitha institucionet.
Partia e Lirisë u bën thirrje të gjithë studentëve, prindërve, pedagogëve, intelektualëve dhe çdo shqiptari që nuk pajtohet me shtetin e mafias, të bashkohen me protestën.
Mbështetja për studentët është mbështetje për Shqipërinë e lirë, demokratike dhe europiane.
Largimi pa kompromis i Edi Ramës është kryekushti për t’i dhënë fund krizës dhe për t’ia kthyer Shqipërinë shqiptarëve.
Me studentët në krah, kundër mafias në pushtet, që duhet shporrur me çdo çmim dhe sakrificë, për një Shqipëri plotësisht të lirë e demokratike, ku sovraniteti i përket vetëm popullit shqiptar!