Krenar që e skuqi Rektorin

E vetmja alternativë e shkollimit, për njërin nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, mund të jetë ndonjë universitet privat. Sa i përket atij shtetëror, këtij të riu duket se i ka humbur e drejta e shkollimit përjetësisht. Ngjyrosja e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugovës, me ngjyrë të kuqe, aktivistit të Vetëvendosjes, Rron Gjinovcit i kushtoi me përjashtim nga fakulteti.
Të mërkurën, Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore në Universitetin e Prishtinës (UP) ka marrë vendim që ta përjashtojnë Rronin nga fakulteti, edhe atë përgjithmonë.
Por, nuk është ky i vetmi fakultet, ku Rroni deri para dy ditësh ka vijuar studimet.
Ai është student edhe në Fakultetin Filozofik të të njëjtit universitet. Megjithatë, edhe këtu, Rron Gjinovci pas disa ditësh mund të mos jetë më student. Sepse njëjtë sikurse nga Fakulteti i Matematikës, ky aktivist është duke pritur vendimin e përjashtimit edhe nga fakulteti tjetër ku vijon studimet.
Gjinovci thotë se ky vendim nuk është marrë akoma, sepse, sipas tij, deri më tani ai do të ishte informuar për fatin e vijimit të studimeve. E përderisa është në pritje, përjashtimin nga Fakulteti i Matematikës ai e konsideron si gjest i shkeljes së të drejtave të njeriut. Kjo sepse, sipas tij, UP-ja është institucion publik. “Çdo njëri, sipas konventave ndërkombëtare për drejtat e njeriut, ka të drejtën e qasjes në arsim publik”, rrëfen Gjinovci për Express.
Menjëherë pas incidentit, Gjinovci thotë se e ka shkruar një deklaratë për sjelljen e tij në ditën e përvjetorit të UP-së, me anë të së cilës ai ka insistuar të dalë para komisionit disiplinor. “Ata më kanë thënë që nuk ka nevojë, e kjo i bie që ata vetë i kanë shkelë procedurat e tyre disiplinore”, thotë ai.
Por, edhe përkundër kërkesës së tij për sqarim para komisionit disiplinor, Rron Gjinovci thotë se nuk e ka pas dhe nuk e ka ndërmend të pendohet për aktin e 15 shkurtit.
“Unë nuk e ndiej veten fajtor. Nëse dikush është fajtor, ai është Mujë Rugova, i cili ka ardhë në pozitën e Rektorit me preferenca politike. Kjo i bie që unë nuk i bie pishman”, flet i bindur ai.
Përveç kësaj, Gjinovci thotë se edhe po t’i ofrohej mundësia që të kthehet në fakultet, me kusht që ai t’i kërkojë falje publike Rektorit, këtë nuk do ta bënte. “Pavarësisht masave që do të merren, unë, Durimi (shoku i tij)dhe të gjithë aktivistët do të punojmë në kthimin e universitetit ashtu siç i ka hije dhe do t’i ndalojmë padrejtësitë që po bëhen aty”, sqaron studenti i përjashtuar, Rron Gjinovci.
Madje, Rroni nuk shqetësohet shumë as për shëndetin e Rektorit Rugova, për të cilin thuhet se i është përkeqësuar. “Është thënë që ai është keq. Por, është demantuar dy herë që ai nuk është keq, por ka shkuar në Gjermani për vizitë të rektorëve, prandaj nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, pohon Gjinovci për Express.
E nuk është vetëm Rron Gjinovci, i cili është përjashtuar nga fakulteti. Fat të njëjtë mund të ketë edhe shoku i tij, Durim Jashari, student në Fakultetin Juridik, për të cilin Rroni thotë se vendimi i përjashtimit është në procedurë. “Kam informacione se vendimi për të do të merret brenda pesë ditësh, tash po presim”, thotë Gjinovci.
Por, edhe përkundër se vendimi për largimin e studentëve që lyen me bojë rektorin Mujë Rugova u jetësua, ka edhe disa nga zyrtarë brenda UP-së që nuk janë të informuar për këtë çështje.
Isuf Ibërdemaj, zyrtar për informim në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, thotë se nuk është në dijeni për vendimin e marrë lidhur me studentët që skuqën Rektorin.
Megjithatë, ai thotë se një ditë pasi ndodhi aksidenti, Rektorati ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme mes Senatit, Këshillit Drejtues të Universitetit dhe dekanët e Fakulteteve. “Të gjithë këta kanë qenë të njëzëshëm që të merren masa drastike disiplinore kundër dy studentëve”, pohon Ibërdemaj për Express.
Përveç kësaj, Ibërdemaj tregon se gjendja e Rektorit është më e mirë dhe se ai do të kthehet kah fundi i kësaj jave. Ai gjithashtu pohon se Rektori ka shkuar në Gjermani si përfaqësues i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e rektorëve. “Por, ai është nisur dy ditë para takimit, sepse ka bërë një kontroll mjekësore. Mirëpo, sidoqoftë kur të vijë Rektori, vetë do të flasë për këtë çështje”.
Menjëherë pas vendimit për suspendimin e Rron Gjinovcit, anëtarit të qendrës “Studim, Kritikë, Veprim”, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar nëpërmjet një mediumi kosovar.
Kjo e fundit e ka quajtur vendimin të papranueshëm dhe ka paralajmëruar se nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj këtyre veprimeve, ashtu si dhe ndaj vendimit të gjykatës për dënimin me një muaj burg të Gjinovcit e Jasharit. Ndërkaq, reagimin publik pritet që kjo lëvizje ta bëjë pasi të merret vendim për aktivistin tjetër Durim Jashari, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në incidentin e 15 shkurtit.
Reagon KMDLNJ
Jemi kundër vendimit të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore për të përjashtuar përgjithmonë nga Universiteti i Prishtinës studentin Rron Gjinoci dhe kundër paralajmërimit për përjashtim të studentit Durim Jashari. Një vendim i tillë është kundër të drejtës së garantuar me ligj për edukim. Është kundër Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB –së. Po ashtu , një vendim i tillë mbetet shumë i paqartë për faktin që në Kosovë është e garantuar e drejta e protestimit dhe shprehjes së pakënaqësisë. I bëjmë thirrje Universiteti të Prishtinës, fakulteteve përkatëse që të tërheqin vendimin për përjashtimin e studenteve të përfshirë në këtë ngjarje. Një vendim i tillë për përjashtim të përjetshëm është shkelje e së drejtës për edukim, protestim dhe shprehje publike. Një vendim i tillë më shumë u ngjan vendimeve të sistemeve dhe regjimeve të kaluara.