Marnhac: Ende i përkrah institucionet e Kosovës
Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, priti sot në një takim shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac. Ky i fundit tha se EULEX do të vazhdojë të punojë në drejtim të vënies në jetë të sundimit të ligjit në Kosovë.
Marnhac e ka siguruar presidentin e ri se EULEX-i do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të ketë përparime në fushën e sundimit të ligjit.
“Kam ardhur ta siguroj se EULEX-i është i përkushtuar për të promovuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën. Unë ende përkrah institucionet e Kosovës për të ecur përpara ne fushën e sundimit të ligjit dhe jemi të përkushtuar për t’u angazhuar bashkë në fushën e sundimit të ligjit”, është shprehur Marnhac, transmeton KosovaPress.
Pacolli e Marnhac janë dakorduar që të vazhdojnë në thellimin e bashkëpunimit për të fuqizuar sa më shumë sundimin e ligjit në vend.
“Biseduam për rolin e tij personal dhe rolin e EULEX-it në Kosovë dhe konkluduam se bashkëpunimi duhet të jetë edhe më intensiv. Problemet janë evidente dhe problemet mund të trajtohen vetëm nëse ato njihen dhe për këtë jemi dakord me zotin de Marnak që të bashkëpunojmë. Një bashkëpunim që ka qenë dhe do të jetë në të ardhmen edhe më intensiv”, ka thënë Pacolli.
Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës vazhdon të mos përgjigjet në pyetjet e mediave. Menjëherë pas deklaratës së shkurtër, ai ka ikur nga gazetarët.