Krenarë me Enverin
Dubovc, Vushtrri, 27 korrik – Dhimbja kishte kapluar shtëpinë e familjes Zymberi, në kodrën e fshatit Dubovc. Kolegë e familjarë, të gjithë ishin mbledhur në oborr, në pritje të trupit të djalit dhe shokut të tyre, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit. Ata po e prisnin kufomën e Enver Zymberit, policit që u vra të martën në veri të Kosovës.
Përveç kujtimeve të mira dhe tre fëmijëve, e vetmja gjë që u kishte mbetur kujtim familjarëve të Enverit ishte uniforma e policisë, të cilën ai e barti deri në momentin e fundit të jetës.
Rënia e tij në krye të detyrës i bënte familjarët të fortë dhe krenarë. Mehmet Zymberit, axhës së Enverit, po i jepte forcë për ta mundur mërzinë mënyra se si nipi i tij e dha jetën.
“Humbja e nipit në një moshë të re është shumë e rëndë. Por, fakti që ai e sakrifikoi veten për çështjen e Kosovës më bën të ndihem krenar axha i kujt jam”, tha Mehmeti për Express.
Gjëja e vetme që e mërzit atë është se Enveri ka lënë pas tre fëmijë të vegjël dhe gruan shtatzënë. “Djali i madh i Enverit është në klasën e katërt. Ai po e kërkon babin gjatë tërë kohës, pasi të vegjlit nuk po dinë akoma gjë. Edhe nusja e tij po më dhimbset, pasi do ta sjellë në jetë një fëmijë pa të shoqin pranë”, tregon Mehmeti teksa nuk i largon sytë nga fotografia e nipit të ndjerë, pranë së cilës, në shenjë respekti për kolegun e vrarë, po qëndronin dy policë.
Mehmeti thotë se do të vijë koha kur fëmijët e vegjël të Enverit do të mburren me babanë e tyre.
“Po e lë anash mërzinë, pasi e di se ai dha jetë për Kosovë. Po a ka më mirë se kur fëmijët e tij të rriten e të kuptojnë se babai i tyre ishte një hero, ishte një polic të cilit nuk iu dhimbs jeta për atdhe?”, thotë Mehmeti teksa kujtimet e mira për nipin ia mbushin sytë me lot. “Por, shpresoj që Enveri është polici i fundit që do të vdesë në këtë formë. Shpresoj që nuk është nevoja më që bijtë tanë të vdesin”.
Enver Zymberi u varros si hero. Lamtumira e fundit, homazhet dhe të gjitha organizimet tjera, në nderim të tij, u bënë me të gjitha ceremonitë që janë të parapara për Heroin e Kosovës.
Në ceremoninë e varrimit, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha se sakrifica dhe vetëmohimi i Enverit është gurthemel i shtetit, të bazuar në vlerat moderne të njerëzimit dhe civilizimit. “Enveri është hero i sundimit të mirës ndaj të keqes, lirisë ndaj robërisë, ligjit ndaj krimit. Ne besojmë se liria jonë është e garantuar me vullnetin e gjithë qytetarëve tonë. Aktet e grupeve kriminale nuk do të tolerohen në asnjë pëllëmbë të territorit tonë”, tha Rexhepi. Para ceremonisë së varrimit, Presidentja Atifete Jahjaga nderoi familjen Zymberi me togun e nderit.
Dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”
Presidentja Atifete Jahjaga e ka dekoruar policin Enver Zymberi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, me motivacion për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jahjaga medaljen do t’ia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.
Ligj për familjet e policëve të rënë
Në një të ardhme të afërt, Qeveria e Kosovës do të rregullojë me ligj që të gjitha familjet e policëve të rënë në detyrë të kenë një pension. Kështu ka thënë të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi. “Ia kemi borxh Enverit, e mbi të gjitha fëmijëve të tij dhe gjithë Kosovës që sovranitetin e Kosovës, kufijtë e saj t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë përgjithmonë”, ka theksuar ai.
Kabineti qeveritar ka ndarë 25 mijë euro për familjen Zymberi. Ndërkaq, Shoqata e Sigurimeve të Kosovës familjes Zymberi ia ka ndarë 10 mijë euro.
“Ia kemi borxh Enverit, e mbi të gjitha fëmijëve të tij dhe gjithë Kosovës që sovranitetin e Kosovës, kufijtë e saj t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë përgjithmonë. Andaj heroi Enver Zymberi ka rënë në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve, integritetit dhe tërësisë territoriale të vendit”, ka thënë kryeministri Thaçi
Enver Zymberi është pjesëtari i dymbëdhjetë i Policisë së Kosovës që ka ndërruar jetë gjatë kryerjes së detyrës, i veshur në uniformë. Ai ishte pjesëtar i policisë që nga viti 2000.
Buhler: Të kapen vrasësit
Për vrasjen e policit Zymeri, të mërkurën është deklaruar edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler. Duke shprehur keqardhje, ai ka thënë se të gjithë ata që politikisht janë përgjegjës, duhet të bëjnë çmos që të gjenden kryesit e aktit kriminal.
EULEX heton vrasjen dhe incidentet në veri
Në përputhje me legjislacionin përkatës, prokurorët e EULEX-it kanë nisur hetimet për tri incidente të ndryshme kriminale në Veri të Kosovës, më 26 korrik. Në një komunikatë për media thuhet se EULEX është duke hetuar vrasjen e një oficeri të Policisë së Kosovës në fshatin Zupç afër Zubin Potokut, tentimvrasjen e oficerëve të Policisë me armë zjarri në afërsi të Zubin Potokut dhe për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me anë të një mjeti shpërthyes të hedhur në një autokolonë të Policisë afër Mitrovicës, që plagosi një oficer policie. Hetimet janë duke u kryer nga Task Forca e EULEX-it në Mitrovicë, ndërsa janë përfshirë prokurorët e EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë dhe Policia e EULEX-it.