EULEX, krejt ose largohu

Misioni i Bashkimit Europian mund të përballet me kërkesën për t`u kthyer mbrapsht, për shkak se EULEX po vazhdon të mos e përmbushë misionin për të vënë rend dhe ligj në krejt territorin e Kosovës.
Ky mision nuk e ka përkrahur Qeverinë në vendimin e fundit për të kthyer ligjshmërinë në pjesën veriore të vendit, ku veprojnë struktura ilegale serbe.
Pavarësisht kësaj, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të ketë kthim prapa në vendimet për vendosjen e ligjit në krejt Kosovën, derisa u ka bërë thirrje edhe njëherë ndërkombëtarëve që të mbështesin vendimin e Qeverisë.
Në mbledhjen e Qeverisë, mbajtur të mërkurën, Thaçi ka folur për dështimin e të gjithëve në vënien e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës, derisa fajin më të madh për këtë ia ka lënë EULEX’it, i cili nuk vepron në gjithë territorin.
Shefi i Qeverisë ka thënë se EULEX ka qenë i njoftuar për aksionin në Veri, por ka hezituar dhe refuzuar të ndihmojë Policinë e Kosovës.
“EULEX ka hezituar dhe ka refuzuar të jetë mbështetës i vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit. Kjo është në kundërshtim me rolin e tyre, për çka institucionet e Republikës së Kosovës i kanë ftuar në Kosovë”, ka thënë Kryeministri.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka treguar kërkesën e drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës për Misionin e BE’së.
“EULEX është i nevojshëm ose për krejt Kosovën, ose për askund”, ka thënë ai.
Kryeministri Thaçi, ndërkaq, ka folur për dështimet e të gjithëve që nga viti 1999 për të vendosur rendin në veri.
“Tash e 12 vjet komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të ndërmarrë qoftë edhe një veprim për vënien e rendit dhe ligjit në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Në veri të Mitrovicës të gjithë jemi të dështuar, tash e 12 vjet. Kjo gjendje duhet të ndryshohet. Këto ditë ishte momenti i së vërtetës për Kosovën e re.
Ajo e cila është heshtur tash e 12 vjet, nuk do të heshtet më tutje. Është toleruar e keqja tash e 12 vjet kinse në emër të një stabiliteti, por nuk ka stabilitet aty ku ka kontroll prej kontrabandistëve, prej krimit”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka thënë se situata ndryshohet vetëm duke marrë vendime të duhura dhe duke e zbatuar ligjin në çdo pjesë të Kosovës.
“Dikush mund ta shohë këtë gjendje në veri si diçka normale dhe angazhimi i institucioneve për rendin dhe ligjin të shohë si destabilitet. Ky është gabim i rëndë. E ritheksoj, për Kosovën nuk do të ketë rikthim prapa. Nuk do të ketë rikthim në status quo. Do të ketë vetëm ecje përpara”.
Megjithëkëtë, Thaçi ka vazhduar të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve për të vendosur ligjin.
“Republika e Kosovës kërkon rikonfirmim nga bashkësisë ndërkombëtare që të qëndrojë prapa këtyre qëndrimeve, që në çdo cep të Kosovës, por edhe në rajon, të ketë rend dhe ligj. Të ketë sundim të ligjit dhe jo kontroll në një pjesë të Kosovës nga kontrabandistët”.
Shefi i Qeverisë ka kërkuar sqarime pse EULEX nuk po vepron në mbrojtje të rendit dhe ligjit.
“Nëse misioni EULEX mendon se lejimi i kontrabandës, krimit të organizuar dhe cenimi i sovranitetit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës është diçka normale, që duhet toleruar, atëherë le të na japin vetëm një shembull konkret në cilin shtet të BE’së tolerohet krimi nga struktura ilegale të armatosura paralele”.
Thaçi ka shtuar pyetje në drejtim të EULEX’it, i cili në njërën anë kërkon qartësimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ndërsa në anën tjetër nuk ndihmon të vendoset rendi dhe ligji në të gjithë territorin e vendit.
“Si ka mundësi të EULEX në njërën anë të tregohet aq i përgjegjshëm për të respektuar Kushtetutën e Kosovës, siç ishte ta zëmë që i kemi kryer ne obligimet tona kushtetuese sa i përket imunitetit të zyrtarëve të lartë, ndërsa në anën tjetër të mos e mbështesë të drejtën tonë kushtetuese dhe ligjore për rend, ligj dhe luftë kundër krimit? Kjo është e pashpjegueshme. Kjo kërkon përgjigje”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri ka treguar hapur se në këtë moment nuk e kanë përkrahjen e plotë nga ndërkombëtarët për të vendosur ligjshmërinë në krejt Kosovën, por ka paralajmëruar se tërheqje nuk do të ketë.
“Ne nuk jemi të ndihmuar në këtë moment për vënien e rendit dhe ligjit në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Sovraniteti ynë është cenuar. Ne nuk mund të tolerojmë një diçka të tillë. Dhe kjo gjë duhet të thuhet botërisht. Për këtë cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës është i informuar edhe Washingtoni, edhe Brukseli edhe NATO”, ka thënë ai.
Duke komentuar dialogun me Serbinë, Thaçi ka thënë se me askënd nuk do të bisedohet për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“E ritheksoj, nuk do të dialogojmë me askënd për sigurinë e vendit tonë. Dialogu zhvillohet në Bruksel. Dhe ftojmë Beogradin që të vazhdojë dialogun”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë në krye të përgjegjësisë dhe të respektojnë vendimet e Qeverisë.
“Tani në pikat doganore 1 dhe 31 do të jetë Policia e Kosovës, multietnike, Doganat e Kosovës dhe do të respektojnë vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Me urdhër të Kryeministrit, të hënën policia ka ndërhyrë në rikthimin e dy pikave doganore në veri të Kosovës, të cilat kanë qenë jashtë kontrollit prej shkurtit të vitit 2008.
Policia e Kosovës ka arritur të rikthejë këto dy pika doganore, me gjithë protestat dhe kundërshtimin e serbëve lokalë të përkrahur nga Beogradi.
Vendimi i Qeverisë ka hasur në reagime të ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar qetësi dhe shmangie të dhunës.