Tenderi me shumë shkelje
Shkon në ritenderim, për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, kontrata që peshon rreth 20 mijë euro për “Mirëmbajtje Higjienike dhe Teknike të Ndërtesave të Qeverisë”.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjetur se në këtë rast, Autoriteti Kontraktues, Ministria e Administratës Publike, ka shkelur disa nene të ligjit, përfshirë këtu edhe atë për diskriminimin e operatorëve ekonomikë.
Ankesën në OSHP ndaj Autoritetit Kontraktues e kishte bërë Operatori Ekonomik “MSS” si palë e pakënaqur. Pretendimet e tij janë se Ministria e Administratës Publike ka shkelur së paku pesë nene të Ligjit për Prokurimin Publik. Këtu hyn edhe neni 6, sipas të cilit “Autoriteti Kontraktues nuk do të ndërmerr asnjë aktivitet ose procedurë të prokurimit në ndonjë mënyrë që redukton ose eliminon konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë”.
Në vendimin e OSHP-së thuhet se pasi eksperti shqyrtues i prokurimit ka shqyrtuar pretendimet e kompanisë së pakënaqur, OSHP e ka anuluar këtë tender, duke e çuar të njëjtin në ritenderim.
“Eksperti shqyrtues më datën 20.07.2011 ka dorëzuar raportin e ekspertizës, me ç’rast ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues gjatë procesit të vlerësimit të ofertave nuk ka respektuar nenin 6, 7, 60, 61, 63 të LPP’së, andaj i propozon panelit shqyrtues që aktiviteti i prokurimit “Mirëmbajtja Higjienike dhe Teknike të Ndërtesave të Qeverisë” të kthehet në ritenderim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Me vendimin e OSHP-së është pajtuar edhe Autoriteti Kontraktues, që në rastin konkret edhe Ministria e Administratës Publike. Përmes parashtresës, kjo ministri e ka njoftuar këtë organ se pajtohet me mendimin e dhënë në raportin e ekspertizës së ekspertit shqyrtues, ku konstatohet se Autoriteti Kontraktues duhet ta anulojë vendimin dhe aktivitetin në fjalë.
Për më tepër, Organi Shqyrtues ka njoftuar ministrinë se procedura e ankesës për këtë rast përfundon në këtë fazë.
“Autoriteti Kontraktues pranë MAP-it urdhërohet që gjatë procesit të ritenderimit të ofertave duhet të përshkruajë në mënyrë të qartë dhe të paanshme aktivitetin e prokurimit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Ministria e Administratës Publike me këtë kontratë jashtëligjshëm e ka shpërblyer operatorin ekonomik “Dolphin”. Autoriteti Kontraktues rekomandohet që në afate prej 15 ditësh ta informojë me shkrim panelin shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit.