Krenare që është shqiptare
Ndonëse Kristinë ëndërronte të bëhej këngëtare, prindërit e kishin ndaluar të merrej me muzikë deri ditën që të përfundonte shkollën e mesme. Kur kjo ditë erdhi, babai i saj, iu drejtua për ndihmë dhe këshilla mikut të tij, këngëtarit legjendar amerikan, Nick Ashford. Për herë të parë Elezaj këndon në klubin e Ashford, së bashku me të dhe bashkëshorten, Valerinë. Interpreton “Respect” nga Aretha Franklin dhe publiku entuziazmohet aq shumë, saqë këndon së bashku me të. Kjo “herë e parë” e kaluar me sukses, i jep zemër Kristinës dhe më shumë arsye për të besuar se kishte lindur për të kënduar.
Jetoni prej kohësh në USA?
Unë jam brezi i parë që ka lindur në Amerikë, për sa i takon pjesës shqiptare të familjes. Kam lindur në Nju Jork, për të qenë më e saktë.
Çfarë di ti për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Di diçka rreth Shqipërisë prej familjes sime dhe pak nga historia në përgjithësi. Është pjesë e imja. Babai im ka lindur aty dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent. Ai është 100% shqiptar, kurse mamaja ime është italiane, irlandeze, gjermane dhe skandinave. Ne flasim për Shqipërinë në shtëpi, sepse kemi akoma të afërm që jetojnë aty.
Je e lidhur me të afërmit shqiptarë?
Sigurisht! Jam rritur me gjyshin…Ai është një nga njerëzit më interesantë me të cilët mund të bisedosh. I adhuroj historitë e tij!
Flet ndonjë fjalë në shqip?
Faktikisht, unë flas më shumë shqip tani, se ç`kam folur kur isha e vogël, gjë që është vërtet e çuditshme, sepse ne kemi jetuar te gjyshërit kur isha e vogël. Shqipja ime s`është aq perfekte sa do të doja unë të ishte, por përpiqem. I kërkoj vazhdimisht tim ati të më flasë në shqip, pasi dua t`ua përcjell gjuhën edhe pasardhësve të mi një ditë. Mendoj se është e rëndësishme të dish një gjuhë tjetër, sidomos kur kjo gjuhë është pjesë e asaj çka ti je.
Ke menduar ndonjëherë të vish dhe të vizitosh Shqipërinë? Ke marrë ndonjë ftesë prej këtej?
Mendoj për këtë gjë gjatë gjithë kohës. Gjyshërit e mi kanë akoma prona në vendlindje dhe për momentin kohën e tyre po e shpenzojnë duke jetuar herë aty, herë në Amerikë. Vijnë në Shqipëri menjëherë kur fillojnë pushimet dhe qëndrojnë deri në fund të verës. Kam marrë ftesa për të ardhur aty, e kam me qejf. Thjesht, nuk kam gjetur kohën. Por jam e sigurt se do të jem aty shumë shpejt. Shpresoj që shqiptarët të më ftojnë për të kënduar për ta.
Cili është projekti me të cilin po punon aktualisht?
Këto dy këngë janë lançuar teksa po punoja për albumin e parë, “No Questions Remain”. Po punoj me disa gjëra aktualisht, por s`mund të flas për to pa hyrë në studion e regjistrimit. Shumë shpejt do ta merrni vesh. Ndërkohë po punoj me promovimin, duke dhënë shfaqje. Shkruaj dhe materiale të reja sa herë që gjej pak kohë. E ndiej se do të jetë një 2011 fantastike!
Ndihesh krenare që je shqiptare?
Jam pafundësisht e lumtur që jam shqiptare, aq më tepër që gëzoj mbështetjen e popullit tim! Është një ndjesi e mrekullueshme kur sheh se sa krenarë ndihen që unë jam një prej tyre. Ju dua shumë! (me shkurtime nga Shqip)