Krenari kombëtare
Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan për ditë të tëra një shpërthim ndjenjash dhe emocionesh nga më të thellat në këtë 100-vjetor pavarësie. Ishte pa dyshim një nga shfaqjet më të bukura në historinë njëshekullore të shtetit tonë. Ishte një mobilizim i pakufishëm njerëzish, tërësisht spontanë, nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët që u bë pjesë esenciale e atyre ceremonive dinjitoze. Një mobilizim të tillë njerëzor ne shumë rrallë e shohim. Në këtë nivel dimensionesh dhe pjesëmarrje do ta krahasoja me atë përfshirje njerëzore që ndoshta ka ndodhur 100 vite më parë, që e pamë në proceset e fitores së demokracisë në vitin 1992, por pa dyshim tashti në një kontekst tjetër, me shumë aspirata madhore të realizuara, me një qartësi e siguri për të ardhmen. Pra, realisht me një atdhedashuri të njëjtë, por të shprehur në një formë tjetër. P.sh., më 1992-shin ne aspironim dhe ëndërronim; besoj se kështu ka ndodhur dhe më 1912-n. Ndërsa këto ditë ne ishim krenarë për atë që realizuam më së fundi në rrugën tonë të zhvillimit e konsolidimit, për vendin tonë demokratik, për pozicionin tonë të ri, për rolin tonë thelbësor në rajon, për vizionin tonë tashmë modern, realist e të qartë të së ardhmes. Këto ditë shqiptarët manifestuan thellësisht e thelbësisht, më shumë se çdo herë tjetër ndjenjën e krenarisë kombëtare. Dhe kjo tashmë nuk është veçse në kontekstin e një dëshire dhe as të një mesazhi që vjen nga larg, nga historia, nga kohërat e fuqisë ilire apo fitoreve të Skënderbeut, as nga reminishenca apo aspirata të së kaluarës, por që vjen nga gjendja aktuale, nga ajo që ne jemi sot, e filluar 100 vite përpara, por qartësisht dhe nga ajo që ne vetëm 20 vite kapërcyem shumë nga fatalitetet e padrejtësitë që na fali historia dhe, si të tillë, sot kemi të drejtë të krenohemi dhe të ndërtojmë të ardhmen europiane. Krenohemi sepse në 100 vjet i rezistuam shumë goditjeve, pushtimeve, paqartësive, diktaturave e mohimeve. Krenohemi sepse tashmë së fundi, duke ndjekur idealet e 1912-s, në dy dekada arritëm të ndërtojmë një Shqipëri demokratike, të lirë, shumë afër të qenit pjesë integrale në BE, një Shqipëri të vendosur përfundimisht në hapësirën Perëndimore, të lidhur ngushtë me miqtë tanë më të mirë europianë e me SHBA, një Shqipëri, e cila tashmë transmeton në rajon miqësi, pjekuri, përgjegjshmëri e stabilitet. Krenohemi dhe se në këto pak vite arritëm të kapërcejmë shumë padrejtësi historike, shtypje e represione që iu rezervuan shqiptarëve që prej 1912-s, për tejkalimin e të cilave mijëra u sakrifikuan gjatë një shekulli. Prandaj sot shqiptarët festuan së bashku, me një Kosovë të pavarur e demokratike, si qytetarë të lirë e dinjitozë në të gjitha hapësirat ku ata jetojnë. Dhe jo vetëm kaq, por nga të shtypur, ne tashmë, si anëtarë të NATO-s, po luftojmë për të çliruar dhe të tjerët, po mbrojmë vlerat më të larta civile dhe shumë larg Shqipërisë.
Pra ajo që ne demonstruam këto ditë ishte pa dyshim një ndjenjë e thellë krenarie kombëtare, jo vetëm thjesht për vlerat që ky popull ka treguar në shekuj, jo vetëm për atë që arriti 100 vite më parë, si themel i së nesërmes, jo vetëm për aspiratat që ka pasur dhe ka për të ardhmen, por tashmë, më shumë se çdo herë, ndoshta në të vetmen herë në këto 100 vite, për atë që ne konkretisht kemi realizuar, për atë që prekim me dorë, për atë që tashmë jemi, për të sotmen e të nesërmen tonë evropiane, që tashmë askush nuk e vë në dyshim.
Unë mendoj se pikërisht kjo ndjenjë, konkrete e reale, e krenarisë kombëtare, ishte lajtmotivi i këtyre festimeve dinjitoze për të gjithë shqiptarët, duke i mbledhur ata së bashku, duke transmetuar qartësi e realizëm për atë që kemi bërë, atë që do të vazhdojmë të bëjmë në realizim të objektivave tona madhore, për të qenë nesër dhe më ngushtësisht bashkë, pikërisht në BE. Ne festuam gjithashtu jo vetëm krenarë, por dhe me një përgjegjësi të thellë të rolit tonë, tashmë të konsoliduar e të qartë për stabilitetin e rajonit, për thellimin e bashkëpunimit rajonal në rrugën e tij të integrimit. Ne jemi koshientë se ajo që kemi arritur lidhet ngushtë dhe me atë që rajoni ynë në tërësi ka arritur në këto vite, me kontributin e të gjithëve, duke ndihmuar njëri-tjetrin, dhe me kontributin tonë të vendosur. Pikërisht edhe për këto arsye ne transmetuam këto ditë, si gjithmonë, veçse patriotizmin tonë të emancipuar, krenarinë tonë kombëtare, pjekurinë tonë, vizionin tonë perëndimor, shikimin të e ardhmja, shumë larg nacionalizmave, fatmirësisht, tashmë në shuarje dhe në rajonin tonë.
