Admirali Fitzgerald: Zgjerim të rolit të KFOR-it për sigurinë
Komandanti i Forcës Jugore të NATO-s me seli në Napoli ka biseduar dje në Prishtinë për zgjerimin e rolit të KFOR-it në ruajtjen e integritetit të shtetit të Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti admiralin Mark Fitzgerald, komandant i forcave të përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, i cili shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler. Në takim u bisedua për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me NATO-n, si dhe për zhvillimet në vend, me ç'rast Presidenti Sejdiu e informoi admiralin Fitzgerald për zhvillimet e reja pas mendimit shumë të qartë dhe eksplicit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e vendit tonë. Ndërkaq, në takimin që admirali Fitzgerald zhvilloi me zv.kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, është diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë e rajon, për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in, për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe për tema të tjera me interes. Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar përkushtimet e qeverisë për një ambient të sigurt dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Më tej ai ka theksuar se reduktimi i trupave të KFOR-it duhet të bëhet në proporcion me realitetin e krijuar dhe të mos lejohet vakum në sigurinë e vendit. Zëvendëskryeministri ka theksuar gjithashtu besimin se me këtë avancim që është duke kaluar Republika e Kosovës në aspektin e sigurisë dhe të stabilitetit të përgjithshëm, është hapur rruga që Kosova të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe e së shpejti edhe anëtare e NATO-s. Gjatë takimit me admiralin Fitzgerald, zëvendëskryeministri i vendit ka ritheksuar angazhimet e qeverisë për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe ka nënvizuar përkushtimin e Policisë së Kosovës për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjitha komunitetet, me theks të veçantë për komunitetin serb.
#