E Diel, 1 Nëntor 2026

Bukëpjekësit presin ende për shtrenjtimin

Kreu i shoqatës së prodhuesve në Fier: Mielli po rritet. Javën tjetër vendosim

Prodhuesit e bukës në Qarkun e Fierit paralajmërojnë rritje të çmimit të këtij produkti. Kreu i Shoqatës së Prodhuesve për Fierin, njëkohësisht nënkryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës në të gjithë vendin, Kajo Hallka, deklaroi në fillim të javës së ardhshme se parashikohet rritje e çmimit të bukës. Sipas tij, shtrenjtimi i bukës kushtëzohet nga rritja e çmimit të produktit bazë, miellit nga importuesit. Në fakt, çmimi i miellit dy ditët e fundit është rritur në masën 20%, ndërkohë që brenda ditës së enjte, çmimi i tij pritet të shtrenjtohet deri në masën 30-50% më shumë se ai aktuali.

“çmimi i një kilogramë miell javën e shkuar ka qenë 40 lekë, brenda pak ditësh ka shkuar në 52 lekë dhe deri në fundjavë është paralajmëruar që të shkojë deri në 60 lekë. Tregtarët e mëdhenj, që kanë aplikuar këto rritje çmimesh, thonë se për to bazohen tek Bursa Ndërkombëtare. Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë, por jemi të detyruar që, si pasojë e çmimit që na shesin tregtarët e mëdhenj të miellit, të ndryshojmë dhe çmimin e bukës”, ka thënë Kajo Hallka, kreu i shoqatës për Qarkun e Fierit. Më tej ai ka sqaruar se përpara rritjes së çmimit të miellit, problemi qëndronte te raporti i kostos së prodhimit të bukës me shitjen. “Kostoja e prodhimit dhe ajo e shitjes ishin në nivele aty-aty. Kështu që me rritjen e çmimit të miellit ne e kuptojmë që kostoja e prodhimit të bukës shkon shumë e lartë”, ka thënë Hallka. Ndërkaq ai deklaroi se rritjen e çmimit të bukës në masën deri në 20% do ta aplikojnë prodhuesit e vërtetë të bukës, pasi sipas tij ka dhe mjaft abuzues në këtë sektor.

Përveç paralajmërimit për shtrenjtim të produktit bazë për tavolinat shqiptare, një problem i madh për prodhuesit e bukës në Fier mbetet konkurrenca e pandershme në treg. Sipas Hallkës informaliteti në këtë sektor për Fierin arrin në 80%, ndaj nga Shoqata e Bukës në shkallë vendi dhe qarku apelohet për angazhim të strukturave shtetërore, me qëllim dhënien fund të informalitetit, pas të cilit mund të fshihet edhe një problem i madh për konsumatorët. “Kemi një rritje të informalitetit në të gjitha qytetet e vendit dhe veçanërisht në Fier. Unë e njoh tregun vendas dhe atë të Fierit kryesisht. është për të ardhur keq, por informaliteti është në masën 80%, që do të thotë që në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, çdo prodhues buke i licencuar duhet të ketë kushtet dhe parametrat e tij, që të ketë të punësuar dy persona me sigurime shoqërore, të ketë qendër QKL dhe jo ta ushtrojë aktivitetin në kasollet e lopës dhe prodhimin t’ia shesë konsumatorit”, ka vijuar Kajo Hallka.

Për rreth një vit, çmimi i bukës në Fier pothuaj është dyfishuar, ndërkohë që pesha e saj vjen duke u ulur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›