E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e nacionalizmit në trevën e Opojës (1941-1947)

Personalitetet që punuan, luftuan dhe u sakrifikuan për Shqipërinë etnike

Opoja gjendet në pjesën më skajore të jugperëndimit të Kosovës. Ajo është një pllajë ndërmjet Gorës e Prizrenit dhe shtrihet rrëzë maleve të Koritinikut e të Sharrit.
Territori i Opojës nga jugperëndimi kufizohet me Gorën, nga veriperëndimi me Vërrinin e Prizrenit, nga verilindja me Sreckën dhe nga lindja me rrethinën e Tetovës. 
Pozita gjeografike e Opojës ishte ndër shkaktarët pse trevë shumë herë u bë arenë e luftimeve ndërmjet forcave partizane dhe atyre  nacionaliste. Në këtë pikëpamje, sidomos janë të njohura luftimet në malet e Brrutit të Opojës dhe ne Rudinat e Kosaves.
Pra, relievi kodrinoro-malor i Opojës, bëri që treva të kthehet në një vend, ku do të vendosën shumë luftëtarë nacionalist të kohës,. Kështu, nga familjet opojare do të strehoheshin shumë luftëtarë,   do të përcilleshin shumë herë në pjesën tjetër të kufirit, e sidomos për Maqedoni. Shikuar nga aspekti etnografik, Opoja gjendet ndërmjet Malësisë së Sharrit të Tetovës dhe krahinës së Lumës, të njohura historikisht si vatra të rezistencës antikomuniste. Treva e Opojës shërbeu si urë lidhëse për luftëtarët nacionalistë, jo vetëm ndërmjet këtyre dy krahinave, por edhe me gjerë.
Edhe pse për këtë periudhë, për trevën në fjalë është shkruar shumë pak deri tani, ky konstatim del nga rëndësia që ka pasur Opoja në këtë kohë. Edhe pse numri i pjesëtarëve qe kanë pasur rol kyç në këtë kontekst hapësinor e kohor, mund të jetë edhe më i madh,  ne kemi arritur deri tani, në bazë të dhënave qe kemi t’i identifikojmë tri personalitete me peshë të asaj ane. Ata, me kontributin e tyre dhënë çështjes kombëtare në përgjithësi, e për trevën e Opojës në veçanti, bënë që edhe sot e kësaj dite të kujtohen për burrëri e trimëri.
Ndër personalitetet më të njohura të trevës së Opojës, që kemi arritur t’i identifikojmë, në bazë të të dhënave arkivore, literaturës dhe të dhënave gojore që kemi mbledhur nga pasardhësit e tyre, por edhe nga bashkëkohësit  e tyre, janë: Kamer Nexhipi Opoja (1908-1977) nga fshati Brrut i Opojës, Shefik Halili me të dy bijtë e tij, Beqir Shefik Halili (1918-1984) dhe Avdi Shefik Halili (1922-2002)  dhe  Mulla Bahtijar ef Qafleshi (1905-1979).  
Në këtë punim  kemi bërë përpjekje që për secilin personalitet nacionalist, veç e veç t’i ofrojmë ato të dhëna që i kemi vjelë.
Kamber Nexhipi-Opoja (1908-1977)/Njëri ndër luftëtarët më besnikë të nacionalizmit shqiptar në rajonin e Prizrenit ishte, pa dyshim, edhe Kamber Brruti - Opoja. Mbiemri i tij i vërtetë ishte Nexhipi dhe kjo vërehet më së miri nga dokumentet arkivore  dhe literatura që kemi. Mbiemrin Brruti e mori, sipas fshatit të lindjes Brrut (fshat në trevën e Opojës), kurse mbiemrin Opoja e mori sipas krahinës prej nga vinte. Kamber Brruti - Opoja u lind në fshatin Brrut të Opojës, komuna e Sharrit, në vitin 1908, nga i ati Nexhipi dhe nëna Sadberja. Është rritur si djalë hasreti. I ati i vdes disa ditë para se ai të lindte, ashtu që  ka jetuar me të ëmën dhe motrat. Qysh në rini, për të mbijetuar, ai kishte filluar të merrej me tregti, në relacionet Opojë - Tetovë dhe Opojë - Prizren. Me fillimin e Luftës e Dytë Botërore, ai nis kontaktet me Prizrenin, me njerëzit e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Nga mesi i majit të 1945 ishte themeluar komiteti i rretheve të Sharrit (të Prizrenit), Opojës, Rahovecit, Suharekës e kështu më radhë. Në këtë kohë nga Komiteti i ONDSH-së në Prizren merret vendim që Komitetin komunal të Gorës  ta themelojë Kamber Nexhipi nga fshati Brrut. Ndërsa studiuesja e njohur e ONDSH-së, Sabile Keçmezi – Basha, mendon se vendimi është marrë për riaktivizimin e komitetit në Dragash, me ç’rast është vendosur që Kamber Nexhipi të merret më këtë çështje. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u arrit për shkak se armiku i kishte rënë në gjurmë. Në këtë kohë Kamber Nexhipin e gjejmë si ndihmës të kapitenit Ali Rizaj nga Shqipëria.  Po në këtë kohë Kamber Nexhipi na del si njeri që mbante lidhje me Komitetin e Prizrenit, por që nuk ishte dënuar nga gjykata. Kamber Nexhipi, si njeri i besueshëm i kapiten Ali Rizajt, do të ngarkohet që t’i mbante lidhjet me njerëzit e komitetit që vepronin në qytetin e Prizrenit dhe me ata luftëtarë që bënin rezistencë ne rajonin e Vërrinit e të Opojës. Përveç informatave të ndryshme, që ua transmetonte luftëtarëve në male, ai ua sillte edhe ushqimin e municionet që i merrte nga anëtarët e Komitetit që vepronin në qytetin e Prizrenit. Se ishte një luftëtar besnik dhe se ishte i ngarkuar nga Komiteti i NDSH-së në  Prizren për furnizim me armë dhe gjëra ushqimore për luftëtarët që ishin në mal, këtë konstatim na vërteton edhe nipi i Kamber Nexhipit (djali i motrës së Kamberit), Hazer Ramadani. Kapiten Ali Rizaj kishte kontakte të ngushta edhe me dy luftëtarë të dalluar të kohës, të cilët vepronin ne rajonin e Prizrenit, si Njazi Alishanin dhe Muharrem Bajraktarin e Lumës. Është e natyrshme që edhe Kamberi, si ndihmës i Ali Rizajt, të ketë pasur kontakte me këta dy luftëtarë. Njëri nga luftëtarët në Çetën e Njazi Alishanit, Bajram Cukovci, deklaronte: “Pak ditë pasi qëndruam në malet e rajonit të Opojës, u takum edhe me Grupin e Njazi Alishanit. Ai ishte vetë i shtati mashkull nga familja Alishani të Prizrenit. Me ta ishin edhe një Riza Kapiteni nga Shqipëria, Reshat Efendiu nga Prizreni, Destan Billusha, Kamber Brruti dhe disa të tjerë. Kështu u bëmë 30 luftëtarë”. Kamber Nexhipi, me forca të tjera nacionaliste, të udhëhequra nga kapiten Ali  Rizaj, qëndrojnë në male të Opojës dhe në Vërri. Ata, në fillim të tetorit të vitit 1944, zhvilluan luftime kundër një brigade partizane në Rudina (vend në mes të fshatit Xërxë dhe Kosavë të Opojës, N.A), me ç’rast vritet Latif Kola, komandant i brigadës së 7 Nacionalçlirimtare nga Shqipëria, të cilët u kishin ardhur në ndihmë partizanëve në Kosovë. Në mars të vitit 1945 kishin zhvilluar luftime në  Billush , në të cilat ra heroikisht edhe Sali Spahia nga fshati Brrut,  ndërkaq në maj të vitit 1945 zhvillohen luftime të rrepta te Guri i Zi. Në këto beteja u dallua edhe nacionalisti i njohur nga fshati Zgatar, Shefik Halili (1880-1980), me dy djemtë e tij: Beqir Shefik Halilin (1918-1984) dhe Avdi Shefik Halilin (1922-2001). Në Opojë kishte edhe shumë nacionalistë të tjerë , sepse, siç duket, terreni ishte shumë i përshtatshëm për të zhvilluar luftime, për t’u strehuar etj. Një kontribut të çmueshëm në luftimet e trevës së Opojës e dha edhe Muharrem Bajraktari, për të cilin, Bajram Cukovci, njëri nga pjesëmarrësit në këto ngjarje, kujton: “Pas Kuvendit të Doberdolit çetat u shpërndanë në rajonet e tyre, por kah fundi i gushtit prapë jemi bashkuar në Grykën e Garracevës së Ponorcit, një vend mjaft i përshtatshëm për luftëra dhe qëndrime më të sigurta, kryesisht me komandantë të çetave. Pas kësaj mbledhjeje të rëndësishme, Ukë Sadiku kishte marrë një letër nga një i dërguar nga Muharrem Bajraktari, i cili kërkonte të takohej në malet e Opojës. Uka ia ktheu përgjigjen se do të shkonte dhe të takohej në vendin dhe në orën e caktuar. Edhe pse ne arritëm në krye me Ukë Sadikun në malet Opojës, në vendin e caktuar për t’u takuar me Muharrem Bajraktarin, aty nuk e gjetëm Muharrem Bajraktarin, sepse ato ditë Malet e Sharrit ishin të mbushura përlot me partizanë-çetnikë”. Pas kapitullimit të Gjermanisë dhe pranimit të Jugosllavisë nga forcat e koalicionit, këtij grupi (grupit të Njazi Alishanit, N. A.) i ngushtohet rrethi i veprimit, andaj edhe detyrohen të shpërndahen. Në këtë mënyrë, Kamber Nexhipit nuk i mbeti rrugë tjetër pos ilegalitetit. Me ndihmën e dajës së tij kalon nga Vërmica në Ujmish të Kukësit, ku takohet më Muharrem Bajraktarin dhe së bashku me grupin e Muharrem Bajraktarit nisen për Greqi”. Më 25 gusht të vitit 1946 grupi i Muharrem Bajraktarit vendosin që të shkojnë në Greqi. Grupit i printe vetë Muharrem Bajraktari, ndërsa në të ishin 56 veta. Në mesin e këtyre burrave ishte edhe Kamber Opoja.  Ky grup niset në rrugë të gjatë e me plot sakrifica, duke kaluar këmbë Bjeshkët e Sharrit, nëpër Shishtavec, Gostivar, Resne (Manastir), për të arritur në fund në Malet e Pelisterit të Maqedonisë dhe pastaj kalojnë në Greqi. Udhëtimi nga vendi i quajtur “Lera e Sorrave” (vendi ku mor vendim nga grupi që të niseshin për në Greqi) e deri në Greqi zgjati 18 ditë. Në këtë udhëtim nga grupi u vranë 21 veta. Gjatë këtij udhëtimi të lodhshëm, grupi u ndesh disa herë me partizanët. Megjithatë, luftimet më të ashpra u zhvilluan te vendi i quajtur Muzdaqe (vend në bjeshkët e Maqedonisë, afër kufirit me Shqipërinë, N. A.). Sipas dëshmitarëve të kohës: “Muharrem Bajraktari, kur arriti në Muzdaqe,  në stanin e deleve ku ishim ne, ishte vetë i treti, kurse shokët tjerë i kishte lënë si roja derisa ne ta përgatisnim bukën për grupin e Muharrem Bajraktarit. Kur iu afrova që t’i shërbeja, Muharrem Bajraktari më pyeti se prej nga jam? Unë i thashë se jam nga Opoja. Më pyeti nëse e njihja Kamber Opojën? I thashë veç zërin ia kisha dëgjuar,  kurse nuk e njihja. Atëherë me tha se ky është Kamber Opoja, këtë burrë e ka Opoja.  Sa ra terri, partizanët iu kishin rënë në gjurmë dhe filluan t’i sulmojnë, menjëherë filluan automatikët të shkrepin, njerëzit u shpërndanë. Kur zbardhi drita, e pamë se dy veta kishin mbetur të vrarë. Ata dy persona për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i  varrosim”. Pas një udhëtimi të lodhshëm grupi arrin në Greqi, por pa 21 shokët e vrarë gjatë rrugës. Në mesin e atyre qe mbërritën gjallë në Greqi ishte edhe Kamber Nexhipi, i cili më vonë kalon në Stamboll, ku edhe vdes, më 16 maj të vitit 1977.     
Shefik Halili (Zgatari)-(1880-1980)/Personalitet tjetër i çmuar në trevën Opojës ishte dhe ka mbetur edhe sot e kësaj dite Shefik Halili (Zgatari). Ja se si e përshkruan  njëri prej bashkëluftëtarëve të Shefik Halilit, Bajram Cukovci, takimin e parë me Shefikin në malet e Opojës: “...Pas dy-tri ditësh të qëndrimit tonë në malet e Opojës takojmë një fshatar nga Zgatari (fshat në Opojë, N. A.) dhe e pyes: Nëse ka ndonjë njeri  në mal nga ai fshat? Ai na tha: Nga fshati Zgatar është Shefik Halili me dy bijtë e tij në mal... Më vonë jam takuar me Shefikin, ku më kanë pritur si është më mirë, me kanë strehuar në shtëpinë e tyre dhe aty kam qëndruar plot tre muaj...”. Shefik Halili u lind  në fshatin Zgatar të Opojës më 1880. Si i ri mbeti jetim pa baba, andaj qysh në moshë famija i mbeti barrë atij. Udhëtimet e shpeshta, për çështje të ekzistencës familjare nëpër malet e Opojës për në Tetovë e Prizren, i mundësuan Shefik Halilit të bjerë në kontakt me luftëtarë të ndryshëm nacionalistë që vepronin asokohe në ato anë. Shefik Halili, në atë kohë, bie në kontakt me Çetën e Njazi Alishanit dhe me forcat e tjera të Ballit Kombëtat, të udhëhequra nga kapiten Ali Rizaj, që asokohe vepronin në malet e Opojës dhe Vërrinit. Këta luftëtarë kishin zhvilluar luftime të rrepta te Guri i Zi dhe te Rudina e Kosovës.  Shefik Halili, përveçse do të përkujdesej për këta luftëtarë, me ushqim dhe veshmbathje, ai mobilizoi edhe anëtarët e familjes, të cilët mblidhnin ushqim e veshmbathje dhe gjatë natës ua dërgonin në malet e Opojës. Për Shefik Halilin dhe familjen e tij ndihma që po ua jepnin luftëtarëve në malet e Opojës ishte e pamjaftueshme, andaj Shefiku me dy të bijtë e tij, Beqir Halilin (1918-1984) dhe Avdi Halilin (1922-2002) mobilizohen në Çetën e Njazi Alishanit, ku e japin kontributin e tyre edhe me pushkë në dorë. Në vitin 1945 forcat nacionaliste, ku ishte edhe Shefik Halili, ndeshen me forcat partizane, në një luftë të pabarabartë numerikisht, te vendi i quajtur Guri i Zi, afër fshatit Zaplluzhe të Opojës. Në këtë luftë të pabarabartë plagoset rëndë Shefik Halili me të birin Avdiun, kurse gratë e tyre, edhe përkundër rrezikut që u kanosej nga forcat partizane, vazhdojnë t’iu dërgojnë ushqim në mal. Një natë, gruaja e Shefikut teksa po i dërgonte me qerre ushqim dhe veshmbathje burrit, dy të bijve të saj dhe luftëtarëve të tjerë, që gjendeshin  së bashku me ta, ndalohet nga forcat partizane, të cilat forca ishin duke i ndjekur këmba-këmbës luftëtarët nacionalistë. Gjatë kontrollit të qerres nga partizanet, gruas së Shefikut ia gjejnë gjërat ushqimore. E pyetur nga partizanët e asaj kohe se ku po e dërgonte gjithë këtë ushqim,  ajo do të përgjigjej se e kishte vajzën të shtuar në spitalin e Prizrenit dhe se asaj po i dërgonte ushqim. Por ky arsyetim ishte i pamjaftueshëm për forcat partizane të asaj kohe, sepse e kishin njohur shumë mirë se kush ishte dhe për ku shkonte. Ndaj e marrin dhe e keqtrajtojnë në mënyrë çnjerëzore,  duke ia thyer edhe dhëmbët. Gjyqi i Qarkut në Prizren do ta dënonte me tre vjet burg, por vetëm një vit e vuajti në Pozharec të Serbisë dhe, pasi u kthye në shtëpi, nga pasojat e torturave në burg, vdiq më 1947. Pas fitores së forcave komuniste në Jugosllavinë e atëhershme, për luftëtarët nacionalistë dhe familjet e tyre do të fillonte një etapë tjetër e maltretimeve, të cilave nuk u shpëtuan as Shefik Halili dhe familja e tij. Shefik Halili, ka vdekur në vitin 1980, kurse djali i tij  Beqir Shefik Halili, ka vdekur në vitin 1984 dhe janë të varrosur në fshatin e tyre të lindjes, në Zgatar të Opojës. Kurse Avdi Shefik Halili, ka vdekur me 2002 në Karasllare të Tito Velesit në Maqedoni, ku e ka edhe varrin, sepse një pjesë e familjes së Shefikut, pas viteve 1980, do të vendoset në Maqedoni, si duket për shkak të presionit nga forcat e ndryshme të sigurimit të shtetit. 
Mulla Bahtijar ef. Qafleshi (1905-1997)/Një ndër personalitetet e kohës, i dalluar për veprimtarinë e tij dhënë çështjes kombëtare dhe fetare në trevën e Opojës, por edhe më gjerë, pa mëdyshje ishte edhe mulla Bahtjar ef. Qafleshi. Personalitet që punoi dhe u sakrifikua për Shqipërinë etnike. Ishte delegat i Opojës në Lidhjen e Dytë  të Prizrenit, organizatë kjo që vuri themelet  në shtator të vitit 1943. Mulla Bahtjar ef. Qafleshi lindi më 23  mars 1905 në fshatin Bellobrad të Opojës nga babai Neziri dhe nëna Huma. Katër klasë të shkollës fillore i kishte mbaruar në mejtepin e fshatit Brrut. Gjatë vitit 1924-1928 kishte ndjekur mësimet në medresenë e Bresanës te myderrizi i njohur Haxhi Rexhep ef. Ismaili. Babai i mulla Bahtjarit, mulla Neziri, kishte qenë për shume vite imam në Bellobrad dhe njeri i respektuar e me autoritet në Opojë me rrethinë. Pas vdekjes së të atit më, 1938 mulla Bahtjar ef. Qafleshi  e mori detyrën e imamit, të cilën e kreu me ndërgjegje dhe përpikëri deri më 1953, kur edhe arrestohet nga UDB-ja. Duhet thënë se ky arrestim nuk ishte për herë të parë, sepse  mulla Bahtjari ishte arrestuar edhe disa herë. Në aksionin që kishte ndërmarr pushteti i  atëhershëm, në vitin 1947, për arrestimin e personaliteteve me më ndikim të asaj ane, arrestohet edhe mulla Bahtjar ef. Qafleshi për shkak se i qe gjetur në xhami, ku ai shërbente si imam, një flamur kombëtar dhe një pistoletë. Në vitin 1941 mulla Bahtjari ishte kryetar i parë i Komunës së Dragashit. Më pas emërohet nënkryetar i Komunës së Dragashit, d.m.th. ishte zëvendës i  mikut, kolegut dhe bashkëpunëtorit të idealit kombëtar, nacionalistit të njohur Reshat  Kajragdiut, i  cili  në atë kohë ishte emëruar prefekt i Komunës  së Dragashit. Kështu mulla Bahtjar ef. Qafleshi ishte akuzuar për veprën propagandë armiqësore nga neni 118, alineja 1 e ligjit penal dhe ishte dënuar me tetë vjet burg. Gjyqi ishte mbajtur më 18-26 shtator 1953, kurse dënimin e vuajti në burgun famëkeq të Nishit. Pas daljes nga burgu i Nishit, mulla Bahtjar ef. Qafleshi u fut në burgun tjetër, kësaj radhe  në burgun shtëpiak. Edhe pse i izoluar në shtëpinë e tij, maltretimet e ndryshme ndaj këtij personaliteti nuk do të ndalen, deri në vitin 1979, kur edhe ndërroi jetë në fshatin e tij  të lindjes, në Bellobrad të Opojës, ku edhe e ka varrin.
Përfundim/Kamber Brruti - Opoja, Shefik Halili (Zgatari), Mulla Bahtjar ef. Qafleshi, kaluan një jetë të terë në shërbim të atdheut e të përmbushjes së misionit dhe aspiratave që kishte nisur dekada më  parë opojari, patrioti, myderrizi Ymer ef. Prizreni: ai mision ishte bashkimi i trojeve Shqiptare. Kamber Brruti-Opoja, Shefik Halili (Zgatari) dhe Mulla Bahtjar ef. Qafleshi ishin dhe mbeten, derisa ndërruan jetë luftëtarë besnikë të nacionalizmit shqiptar. Puna e tyre, trimëria, bujaria etj. bëjnë që edhe sot  kësaj dite në trevën e Opojës të kujtohet për të mirë nga të moshuarit e kësaj treve. Jemi të bindur se numri  i nacionalisteve opojarë ishte edhe më i madh se ky që e kemi trajtuar në këtë punim. Ky konstatim del nga fakti se personalitetet e lartpërmendura  ishin me ndikim, të respektuar dhe kishin miqësi të gjerë në Opojë e në rrethinë. Mirëpo, ne në bazë te hulumtimeve të gjertanishme kemi arritur t’i identifikojme vetëm personalitetet e lartpërmendura.
Në fushën e historisë na kanë ndodhur manipulime tragjike. Për pesëdhjetë vjet i kemi mbajtur për idhuj e i kemi kënduar për heronj ata që nuk e kanë merituar, kurse  ata që e kanë mbrojtur me jetën e tyre Kosovën dhe tokat e tjera shqiptare nga thikat çetnike, i kemi quajtur kuislingë, e tradhtarë, i kemi shpërfillur, anatemuar e dënuar. Kështu ka ndodhur  edhe me Kamber Brrutin – Opojën,  Shefik Halilin (Zgatarin) dhe mulla Bahtjar ef. Qafleshin.      

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›