Kreret e shtetit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve
Tiranë- Kreu i shtetit, kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit janë bashkuar sot në homazhet e bëra në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni, krahas presidentit Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministrit Sali Berisha, kanë qenë edhe ministra dhe deputetë, të afërm të dëshmorëve etj.
"Sot është një ditë e shënuar, festa jonë kombëtare, një ditë kur në radhë të parë duhet të kuptojmë se Shqipëria është sot këtu në sajë të punës së disa gjeneratave dhe në radhë të parë të atyre që arritën të pavarësojnë atë"- tha Topi në fjalën e mbajtur me këtë rast.
Ai ka kujtuar se ka dy situata shumë të ndryshme, në atë kohë Shqipëria luftonte për të mos dizintegruar, ndërsa sot Shqipëria është në integrim.
“Dhe janë dy ngjarje që janë vërtet në distancë, por janë shume sinjifikative për Shqipërinë. 28 nnëtori i vitit 1912 shënoi edhe luftën e Shqipërisë kundër disintegrimit dhe sot pas 96 vjetësh jemi në rrugën e integrimit. Duken si ngjarje ekstreme por kane lidhje me njera-tjetren", u shpreh Topi.
Kreu i shtetit ka uruar për këtë ditë të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, edhe ata të Kosovës.
Ndersa kreu i qeverise deklaroi se Shqiperia kujton sot festen e pavarësisë dhe të Çlirimit, ndërsa vuri në dukje se festa e Flamurit këtë vit merr një kuptim tjeter, për shkak të pavarësisë së Kosovës.
Në monumentin “Nënë Shqipëri”, si është bërë tashmë traditë janë vendosur kurora me lule. Po sot, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko dhe Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu, ka bërë vizita në familjet e të afërmve të dëshmorëve të kombit Jordan Misja dhe Hajro Çakërri, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe veprën heroike të tyre.