E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, PD-ja sulmon Ina Ramën

 

Deputetët e PD-së akuzojnë kryeprokuroren, Ina Rama, se po përdoret politikisht nga opozita

TIRANË- Thirrja e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha si i pandehur nga Prokuroria, ka bërë që mazhoranca të shpërthejë në akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të këtij organi, Ina Rama, si e përdorur politikisht nga opozita. Nisur nga fakti se dje, gjatë zhvillimit të seancës plenare, ish-ministri i transporteve, Basha, duhej të paraqitej në organin e akuzës, deputetët e djathtë nuk kanë nguruar që ta mbrojnë atë nga foltorja e Kuvendit, duke e cilësuar si të montuar të gjithë akuzën ndaj tij. Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferi, duke folur gjatë një orëshit të diskutimeve, jashtë rendit të ditës, akuzoi në mënyrë direkte kryeprokuroren Ina Rama, se me veprimet e fundit për një sërë çështjesh, po vepron në mënyrë jo profesionale dhe e ndikuar politikisht. Sipas tij, kryeprokurorja ka rënë pre e presionit të opozitës, duke ndërhyrë në luftën politike midis të majtës dhe të djathtës. “Presioni juaj për ta transformuar prokurorinë në drejtorinë juridike të Partisë Socialiste, nuk është se nuk ka pasur frute. Një rezultat ka qenë. Dhe rezultati i madh është ky: Që Prokuroria vazhdon të hetojë një çështje, megjithëse ka një urdhër të Gjykatës për pezullim hetimesh. Prokuroria u detyrua të tërhiqej nga hetimi i Drejtoreshës së Përgjithshme e Rrugëve dhe nga ai i ish-zëvendësministrit Armand Teliti, por për arsye politike vazhdon të mbajë në hetim ish-ministrin e Transporteve, sot Ministër i Jashtëm”,- tha Xhaferi. Por kjo nuk ka qenë akuza e vetme e ngritur ndaj organit të Prokurorisë, pasi Xhaferi, në fjalën e vet është shprehur se ky institucion, si pasojë e presionit politik, nuk ka tentuar të hapë asnjë nga dosjet që gjenden të depozituara në të dhe që kanë të bëjnë me ish-drejtues të qeverisjes socialiste. “Ky është produktiviteti i parë i punës tuaj, ashtu sikundër dihet dhe një fakt tjetër që, Prokuroria nuk ka hapur asnjë dosje karshi jush”,- tha Xhaferi. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetëve socialistë, të cilët i kanë kërkuar mazhorancës që të heqë dorë nga presioni mbi kryeprokuroren dhe të lejojnë organin e akuzës që të kryejë i qetë punën e tij në çdo drejtim. Sipas deputetit socialist, Tauland Balla, qëndrimi i shumicës ndaj Prokurorisë është përpjekje për ta detyruar këtë organ të heqë dorë nga hetimi i një sërë çështjesh që implikojnë zyrtarë të lartë shtetërorë. “Fjalimi i parafolësit është si ajo thënia “Loni prej betoni, Luli prej milioni”, sepse ka një problem shumë të madh, se në këtë vend, një xhepist quhet hajdut, ndërsa po vodhe 230 milionë euro, bëhesh hero. Dhe ky individi që mori në mbrojtje parafolësi, një Prokurori me një prokurore që ju keni votuar pro, e keni zgjedhur ju, është thirrur për t’u njoftuar për procedimin penal, si i pandehur për një aferë korruptive 230 mln euro”, - tha Balla. Nisur nga ky fakt, ai ka ftuar mazhorancën që të tregohet e hapur dhe të mos mbrojë personat, që nga Prokuroria akuzohen si të implikuar në afera të dyshimta. “Ju si maxhorancë meqenëse erdhët në pushtet për të luftuar korrupsionin, duhet të përshëndesni prokurorinë dhe jo të filloni sulmin e rradhës ndaj prokurorisë, sepse Lul Basha po i afrohet burgut. Po i afrohet burgut se ka vjedhur kolegë deputetë, dhe mjaft e mbrojtët Lul Bashën, dhe mjaft mbrojtët të gjithë ata hajdutë që keni në qeveri”, - tha Balla.

Ferdinand Xhaferri:

“Presioni juaj për ta transformuar prokurorinë në drejtorinë juridike të Partisë Socialiste, nuk është se nuk ka pasur frute. Një rezultat ka qenë. Dhe rezultati i madh është ky: Që Prokuroria vazhdon të hetojë një çështje, megjithëse ka një urdhër të Gjykatës për pezullim hetimesh”

Tauland Balla

“Fjalimi i parafolësit është si ajo thënia “Loni prej betoni, Luli prej milioni”, sepse ka një problem shumë të madh, se në këtë vend, një xhepist quhet hajdut, ndërsa po vodhe 230 milionë euro, bëhesh hero. Dhe ky individi që mori në mbrojtje parafolësi, një Prokurori me një prokurore që ju keni votuar pro, e keni zgjedhur ju, është thirrur për t’u njoftuar për procedimin penal, si i pandehur për një aferë korruptive 230 mln euro”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›