E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nata e Bardhë” për të pestin vit në Tiranë

Tashmë ajo është kthyer në një festë tradicionale për Tiranën. Pervec gares te Rrally Albani, atë cilat mezi priten ne kete mbremje, do të mundesohet hapja e dyerve të bashkisë së Tiranës për qytetarët dhe plot risi te tjera 

TIRANE-Vetëm pak orë na ndajnë nga "Nata e bardhë", e cila do të festohet për të pestin vit radhazi në kryeqytet. Tashmë ajo është kthyer në një festë tradicionale për Tiranën. Siparin e kësaj festë gjigante do ta hapë banda e qytetit, e cila do të bëjë marshimin e saj, duke nisur nga rruga e Durrësit drejt sheshit "Nënë Tereza". Prej disa vitesh në Tiranë është bërë traditë festimi i "Natës së bardhë". Kjo festë është bashkëngjitur me Ditën e Çlirimit të Shqipërisë dhe çdo vit e më shumë grumbullon njerëz në këtë natë në aktivitetet që zhvillohen në qytet. Në këtë ditë festash dhe duke parë popullaritetin dhe vëmendjen e publikut gjithnjë në rritje ndaj garave motoristike dhe organizatës "Rally Albania", në natën e datës 29 nëntor, sot do të organizohet aktiviteti i quajtur Trofeu i Çlirimit. Qëllimi është që në të ashtuquajturën "Nata e bardhë", që ka hyrë në traditën e kryeqytetit, të shtohet dhe ky aktivitet me përmasa të mëdha dhe spektakolar. Gara do të zhvillohet në mbrëmje, nga ora 19:00 në 24:00. Veç garave, të cilat janë risi e kësaj mbrëmjeje të pafundme, do të ketë dhe nga ato gjëra që e bëjnë atë një festë tradicionale, siç është hapja e dyerve të bashkisë së Tiranës për qytetarët, banda e qytetit, cirku dhe koncertet e shumta festive.
Por festa ka dhe “pasojat” e saj. Gjatë festimeve të "Natës së bardhë", më 29 nëntor, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që të bllokohen disa rrugë ku do të zhvillohen aktivitetet e kësaj feste. Rrugët do të bllokohen duke nisur nga ora 15:30 deri në vazhdim, pasi nuk dihet se kur mbyllen aktivitetet. Midis rrugëve që do të bllokohen janë sheshi "Nënë Tereza", bulevardi "Dëshmorët e Kombit", bulevardi "Zogu i Parë" si dhe rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit".
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›