E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit presin Drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit në KE

TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Stefano Sannino erdhi sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës zhvilloi takime me krerë të politikës. Vizita që Sannino zhvillon sot është e treta brenda pak muajve në vendin tonë. Zhvillimet politike në vend, si edhe plotësimi i 12 rekomandimeve të kërkuara nga BE-ja për integrimin e vendit janë qëllimi kryesor i vizitës së tij në Tiranë.

Sannino-Topi: Axhendë integruese gjithëpërfshirëse
Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson se “marrja e statusit të vendit kandidat në prag të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të ishte një tjetër moment i jashtëzakonshëm e historik për të gjithë shqiptarët”.

Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi, Presidenti Topi nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të një dialogu konstruktiv mes forcave e aktorëve politikë dhe realizimin e hapave konkrete për të plotësuar kriteret e Bashkimit Europian.

Në këtë drejtim, zoti Sanino vuri në dukje “rëndësinë e aspektit gjithëpërfshirës të vazhdimit të kësaj axhendë integruese edhe me pjesëmarrjen dhe kontributin serioz e të frytshëm të shoqërisë civile në Shqipëri për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe heqjes së imunitetit për të gjithë zyrtarët e shtetit shqiptar”.

Integrimi, Sannino-Berishës: Të kontribuojnë të gjitha palët
Rreth orës 10:00 ai nisi serinë e takimeve të tij nga kryeministria, ku së bashku me ambasadorin e BE-së Etore Sequi u takuan me me kreun e qeverisë Sali Berisha.
Zyra e kryeministrisë bën me dije se shefi i qeverisë shqiptare duke e falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, zotin Stefano Sannino për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë u shpreh i vendosur se qeveria do të kryejë të gjitha reformat e duhuara në mënyrë që integrimi të jetë një proces i merituar.
“Qeveria shqiptare mbetet tërësisht e vendosur për të kryer të gjitha reformat, të marrë çdo masë dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të ecur me shpejtësi përpara, me projektin madhor të anëtarësimit në BE, si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Qeveria shqiptare beson fuqishëm se ky duhet të jetë një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe në meritë”,- deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha i shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij zotit Sanino në luftën kundër korrupsionit.
“Kryeministri nënvizoi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi përpara, me të gjitha reformat e përfshira në Planin e Veprimit për adresimin e 12 rekomandimeve, të cilat përfshijnë ndër të tjera reformën zgjedhore, ndryshime të rregullores së parlamentit, procesin e regjistrimit dixhital të pronave, miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, etj”,- ben me dije kryeministria.

Nga ana e tij zoti Sannino vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugën e integrimit në familjen e madhe Europiane, duke theksuar që është e rëndësishme që në këtë proces të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike, po ashtu edhe shoqëria civile.
"BE shpreson që këto prioritete të kthehen në projekt kombëtar për të gjithë dhe jo vetëm për qeverinë, pasi ky proces është në interesin e të gjithëve në Shqipëri," u shpreh zoti Sannino.

Zoti Sannino pergezoi Kryeministrin për vendosmërinë për të eliminuar imunitetet e zyrtarëve të administratës, gjyqësorit, etj. në Shqipëri. "Ky hap do të shënojë një sinjal të qartë pozitiv, i cili do të vlerësohej qartësisht në BE. Suksesi i këtyre reformave, pritet të ketë një jehonë të rëndësishme në komunitetin e investitorëve të huaj dhe të përbëjë një nxitje të rëndësishme për ta, që tashmë duket se kanë drejtuar vëmendjen nga Shqipëria",- u shpreh Sannino.

Mësohet se në orën 17:00 Sannino do të jetë i pranishëm në komisionin e integrimit, ku bashkë me delegacionin që e shoqëron do të diskutojë për ecurinë e planit të veprimit për 12 prioritetet e BE. Ndërsa me pas ai do të pritet në Presidence nga kreu i shtetit Bamir Topi, si edhe zv/kryeministri Edmond Haxhinasto.
(er.nu/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›