E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët lokalë të PSsot sfida në Tiranë

TIRANE-Socialistët, në gati 17 rrethe kanë zgjedhur këto dy ditë kryetarët lokalë. Procesi zgjedhor, që pritet të vijojë intensivisht edhe sot e nesër, në disa rrethe kryesore është karakterizuar nga pjesëmarrje e lartë e anëtarëve të Asambleve të zonave, sipas të dhënave zyrtare, të ardhura nga selia qendrore e PS-së.
Sot, pritet që 280 anëtarë të Asamblesë së rrethit të Tiranës të zgjedhin, përmes votimit të fshehtë mes dy kandidatëve, Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Votimet do të nisin sot, në orën 11:00, në Akademinë e Arteve dhe pritet që brenda orëve të pasdites edhe socialistët e rrethit të Tiranës të kenë kryetarin e tyre të ri, i cili do të jetë automatikisht edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, ashtu si edhe kryetarët e rretheve të tjera. Në këto zgjedhje, PS ka tentuar që të sjellë një frymë të rinjsh, të cilët edhe pse jo me ndonjë eksperiencë drejtimi në krye të degëve lokale, janë vlerësuar për kontributet që kanë dhënë në momente të caktuara brenda kësaj partie. Zgjedhjet janë shtyrë dje, në Kolonjë, për shkak të problemeve.
Po sot, pritet që të zgjidhen kryetarët e Kukësit, Pukës, e të tjera rretheve, ndërsa të hënën mbeten të tjera rrethe kryesore si Berati, Durrësi, Shkodra.

Krerët e rinj që po zgjidhen, do të drejtojnë bazën socialiste, në një periudhë të vështirë, pasi vitin tjetër do të jenë zgjedhjet e pushtetit vendor, të cilat janë tepër të rëndësishme për PS-në, e cila i humbi zgjedhjet parlamentare të 2009. Por, derisa të përgatitet klima elektorale, PS-së në opozitë i duhet që të mbajë kontakte të forta me bazën, pasi siç ka deklaruar edhe Edi Rama, PS mund të rikthejë protestat në rast se qeveria nuk bie dakord që të bëjë transparencën e zgjedhjeve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›