E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreshnik Spahiu: PD e PS kanë bërë koalicion për të asgjësuar pluralizmin politik

Share

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, doli sot përpara mediave për të qartësuar hamendësimet apo debatet mediatike mbi koalicionet e mundshme parazgjedhore me partitë e tjera në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

10 muaj para zgjedhjeve ekziston një koalicion i fshehtë mes PD dhe PS për të asgjësuar pluralizmin politik dhe për të mos zbatuar reformën ligjore zgjedhore. Është pikërisht ky koalicion që e ka lënë vendin në këtë gjendje të mjerueshme, politikisht, ekonomikisht, por edhe moralisht. Sot shqiptarëve u është thyer besimi tek politika dhe prosperiteti që këto të fundit duhet të programonin për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Aleanca KuqeZi do të bëjë pikërisht këtë. Ne do të rikthejmë besimin e shqiptarëve sepse ne besojmë se Shqipëria bëhet dhe ne do të bëjmë atë kuqezi, të mbështetur nga orteku i votave që shqiptarët do ti japin kësaj lëvizjeje, deklaroi Spahiu.

Drejtuesi i AK e quajti të paprecedent mos zhvillimin e seancës plenare ditën e enjte.

Dje parlamentarët pushuan dhe shtynë seancën plenare sepse ata deklarojnë pa iu skuqur faqja se nuk kanë asnjë projektligj në axhendë. Aleanca Kuq e Zi do të protestojë para parlamentit të enjten që vjen për të detyruar të këtë Kuvend parazitësh dhe pazarxhinjsh të fusë në axhendë ndryshimin e kodit zgjedhor. PD dhe PS përveçse mashtrimit 22 vjeçar që i kanë bërë shqiptarëve, sot ato po mashtrojnë 22 partitë aleate të tyre, po mashtrojnë faktorin ndërkombëtar. PD dhe PS në prag të rrënimit të tyre po ndjekin modelin grek të aleancës PASOK me DEMOKRACINË E RE. PD dhe PS kanë ndërtuar skenën e teatrit politik në formën më të shëmtuar dhe aspak demokratike dhe në 22 vjet nuk kanë bërë asgjë më shumë se sa kanë luajtur rolet duke debatuar, grindur dhe rrahur njëri-tjetrin, por e vërteta është se këto dy parti në hije kanë ndërtuar koalicionin e masakrimit të pluralizmit parlamentar, demokracisë në themel dhe të ardhmen e shqiptarëve. Në këto kushte Aleanca Kuq e Zi i fton të gjithë shqiptarët në luftën politike kundër PD dhe PS, deklaroi Spahiu.

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi shigjetoi ashpër edhe kryeministrin Berisha duke deklaruar se Ky është momenti i fundit në historinë e errët të kryeministrit Berisha për të lejuar ose jo zgjedhje të lira në të vetmin vend të Europës ku nuk numërohet vota e qytetarëve. Aleanca Kuq e Zi i kërkon Kryeministrit Berisha të miratojë sistemin propocional me korrektim kombëtar, të mundësojë votën e mohuar të emigrantëve shqiptar atje ku ata jetojnë, të heq dorë nga censura mediatike, të mundësojë financimet buxhetorë të lëvizjeve politike, të garantojë numërimin elektronik si të vetmet aspekte për të siguruar garë të barabartë. Nëse ai i fshihet kësaj gare të barabartë dhe dëshiron sërish të vjedhë vota, ai nuk është burrë shteti, por një burracak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›