Kreshnik Spahiu “Qytetar Nderi” i Nju Jorkut?! Gënjeshtra që mori dhenë...
Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu mori dje në Nju Jork, një "certifikatë vlerësimi" nga një shqiptar i thjeshtë në një restorant të Manhatanit. Në fakt, në mediat shqiptare, me frymë opozitare më së shumti u tha se Kreshnik Spahiu u shpall "Qytetar Nderi" i Nju Jorkut! Që këtu fillon zanafilla e gënjeshtrës, për ta shitur "certifikatën" e blerë në restorant, si titull të Bashkisë së Nju Jorkut. Dhe mendja më naive do ngrinte pikëpyetje për vetë-investimin e tepruar të faqeziut, në një kohë kur “nderimi” i tij bëhej në një biznes privat, më keq akoma në një restorant lagjeje - larg çdo organizimi të nivelit të lartë shtetëror apo lokal të institucioneve të Nju Jorkut. Kjo s’ka ndodhur, por ajo që qëndron është se, Spahiu u nderua nga një biznesmen shqiptaro-amerikan, dhe kjo është zgjedhja e tij personale, përsa kohë bëhet fjalë për një vlerësim individual. Tendenca për ta shitur këtë si titull të marrë nga Bashkia e Nju Jorkut për merita të veçanta, stonon disi, sepse asnjë institucion nuk lëshon një titull të tillë nderimi pa patur më parë merita apo kontribute në jetën sociale, politike apo ekonomike të komunitetit. Dhe Kreshnik Spahiu ka kontribuar aq shumë për amerikanët aq sa ka kontribuar edhe për shqiptarët, pra zero! Të marrësh titullin "Qytetar Nderi" në Nju Jork, ka disa rregulla protokollare dhe më pas zhvillohet një Ceremoni në Bashkinë e Nju Jorkut nga Kryetari i Bashkisë, prezantohet “Proclamation” (shpallja) në ueb-in zyrtar të Bashkisë si dhe disa prej institucioneve të rëndësishme të shtetit të Nju Jorkut. Titujt nuk jepen në biznese private, por në godina shtetërore. Ndërkaq, gënjeshtra bëhet edhe më e madhe me zbërthimin e detajeve. Në të vërtetë as titulli i marrë në restorant nuk është “Qytetar Nderi”, por “Certificate of Appreciation” (e thënë në shqip, certifikatë vlerësimi, apo “fletë lavdërimi” e njohur në zhargonin popullor). Pra, gënjeshtra nxjerr gënjeshtrën dhe Kreshnik Spahiut s’i mbetet gjë tjetër veçse ta pranojë mashtrimin si pamundësi për të dalë nga hipokrizia dhe naiviteti.
...