E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, masa për sigurinë e qytetarëve në rrugën “Dritan Hoxha”

20-02-2013 / Gazeta 55

9 semaforë të rinj do të vendosen në Tiranë, në kuadër të projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut. Ata janë të pajisur me të gjithë karakteristikat teknike të nevojshme të një nyje semaforike, dhe përmes një butoni do t’i mundësojë kalimtarit kohën e tij

Ashtu siç kishte premtuar kreu i Bashkisë, Lulzim Basha në njërin prej akseve më problematikë të kalimit të qytetarëve, pikërisht në rrugën “Dritan Hoxha” është vendosur një semafor i veçante për kalimin e qytetarëve nga njëra anë në tjetrën të rrugës.
Prej vitesh, ky aks rrugor ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët dhe burim i shumë aksidenteve, me pasojë humbje jetë njerëzish.
Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë Nereida Hoxha ka bërë të ditur sot, në një prononcim për televizionin “News 24”,  se ky është vetëm një prej 9 semaforëve të rinj që do të vendosen në Tiranë, në kuadër të projektit për Qendrën e Kontrollit të Trafikut.
“Në rrugën “Dritan Hoxha”, një ndër akset më të ngarkuar e problematikë sa i përket trafikut është montuar semafori i ri. Ky semafor në këtë nyje është pjesë e 9 semaforëve të rinj që do të vendosen në Tiranë, në kuadër të projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut. Ashtu siç vihet re, ky semafor i ri është i pajisur me të gjithë karakteristikat teknike të nevojshme të një nyje semaforike, ku nënkuptohet është me buton gjë që i mundëson kalimtarit kohën e tij. Jo vetëm kaq! Butoni është i pajisur edhe me pajisje për të verbrit. Pra, në këtë mënyrë ne kemi adresuar edhe grupe të tilla të shoqërisë që mund të kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt. Përveç këtij semafori, në këtë aks është menduar që tek Pallati i Sportit, po në kuadër të këtij projekti do vendoset një tabelë elektronike me mesazhe të ndryshueshme. Kjo tabelë elektronike gjatë gjithë kohës do të shfaqë mesazhe: “Kujdes këmbësorët!”. Të dy këto kalime do të pajisen me sinjalistikë vertikale dhe horizontale dhe mund të themi se ky segment rrugor prej 1.6 km, pothuajse në çdo 400 metra është i pajisur me kalim të sigurt për këmbësorët, gjë e cila është edhe një standard teknik. Përveç këtij aksi, në Tiranë ka edhe akse të tjera problematike, siç është ai i Unazës së Re, ku aktualisht sot e në vijim do të punohet për të montuar nyje të reja semaforike. Njëra është në Unazën e Madhe, njëra tek fabrika e bukës, tek ish “Misto Mame” e kështu me radhë në të nëntë nyjet semaforike, të cilat janë të parashikuara në projektin e Qendrës së Kontrollit të Trafikut” – sqaroi znj. Hoxha.
Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë, znj. Hoxha bëri të ditur se semafori është i pajisur me kamera që do të lidhen me Qendrën e Kontrollit të Trafikut, për të monitoruar 24 orë trafikun në këtë segment. Bashkia e Tiranës ka përgatitur dhe masa të tjera, me qëllim disiplinimin e kalimit të qytetarëve: “Kjo do të thotë që ky aks do të pajiset me kangjella, të cilat do të mundësojnë që kalimtarët të kalojnë vetëm në këto kalime të sigurta, duke kontribuar kështu në reduktimin e aksidenteve. Për këtë arsye, u bëjmë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të respektojnë kalimet e sigurta të kalimtarëve dhe jo vetëm kalimtarëve por edhe shoferëve që të respektojnë sinjalistikën e nevojshme të vendosur në këtë aks të rëndësishëm hyrës në qytetin e Tiranës” – theksoi znj. Hoxha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›