E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i DAR, Korçë: Shembja e tavanit në shkollë, incident

Reagon kreu i Drejtorisë Arsimore në Korçë, pas shembjes së tavanit në një shkollë 9-vjeçare në këtë qytet. Sipas tij, incidenti është tejet i vogël, ndonëse një mësuese është plagosur gjatë kryerjes së procesit arsimor. Arben Belba, në një prononcim për gazetën ka theksuar se shembja e një pjesë të tavanit në shkollën 9-vjeçare Naum Veqilharxhi

është vlerësuar në kohë nga ana e institucionit që ai drejton, ndërkohë që një brigadë e specializuar punëtorësh dhe specialistësh është duke punuar për të riparuar problemin. Shembja e vogël e tavanit na ka vënë në lëvizje, duke impenjuar të gjitha strukturat për kthimin në normalitet të gjendjes. Klasa është zhvendosur në një tjetër ambient ndërsa nuk ka asnjë rrezik tjetër për fëmijët e shkollës në fjalë. Pas ngjarjes kam kërkuar informacion dhe për disa shkolla të tjera që kanë godina të amortizuara të cilat mund të rrezikohen nga momenti në moment, ka theksuar kreu i porsa emëruar i Drejtorisë Arsimore në Korçë Arben Belba. Gjatë të premtes, kreu i arsimit në Korçë Belba i shoqëruar dhe nga prefekti i qarkut Andrea Mano kanë inspektuar shkollën Naum Veqilharxhi e cila një ditë më parë ka përjetuar një ngjarje të rëndë, që ka provokuar dhe pezullimin e mësimit. 35 nxënës të klasës 8A ishin në lëndën e gjuhës amtare me mësuesen Nadia Kondili gjatë kohës që një pjesë masive e tavanit është shembur përtokë, duke shkaktuar plagosjen e mësueses. Kondili ka marë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa gjatë ditës së premte për shkak të gjendjes së saj shëndetësore nuk ka shkuar në shkollë. Fëmijët janë tmerruar nga skena por dhe zhurma e fuqishmme që sipas tyre ka qënë e ngjashme me një lëkundje tërmeti, ndërsa në panik ata nuk i janë afruar më klasës së tyre. Ndërkaq kati i tretë i kësaj shkolle përbën të njëjtin rrezik, pasi tavani është i harkuar dhe mund të ketë të njëjtin fund si pjesa tashmë e rrëzuar e tij. Gjendja në shkollë ka qenë kaotike një ditë pas ngjarjes, ndërsa sërish nxënësit kanë vazhduar mësimin në klasat e tyre në katin e tretë.

I. Frasheri

Last Updated on E Premte, 19 Shkurt 2010 21:38

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›