Gent Zenelaj: Ju rrëfej çfarë ndodh në apartamentin tonë

Intervista/ Rikthimi i grupit të humorit "The shblsh". Gentjan Zenelaj tregon marrëdhëniet me Julin dhe Ermalin, vështirësitë e një aktori dhe dëshirën për tu bërë polic
Gentian Zenelajn mund ta takosh vetëm në ambientet e punës. Sapo të përshëndet, nuk lë mangët ndonjë batutë spontane. Angazhimi i fundit me "Apartamentin 2XL", është një përgjegjësi më vetë dhe Genti ashtu si çdo gjë tjetër e ka marrë shumë seriozisht. Në shfaqjet e para përballë publikut "The SHBLSH" janë të kënaqur dhe e kanë kaluar provën e po shijojnë suksesin e tyre të parë.
Bashkim i tyre më në fund i ka çuar në rrugë të mbarë djemtë, të cilët prej disa kohësh duket sikur e kishin humbur busullën. Sipas Zeneljat, kjo gjë nuk e entuziazmon, përkundrazi e motivon më shumë për të punuar dhe për të mbajtur suksesin.
Në një intervistë për Sh2-shin, Genti tregon gjithçka çfarë ndodh në apartamentin e tij dhe të shokëve, miqtë, të ftuarit. Na tregon gjithashtu se si i lindi ideja për të ndërtuar një apartament të tillë dhe se kush është ai jashtë aktrimit.
Po e shijoni suksesin...?
Nuk gjej kohë për ta shijuar, sepse është një torturë e vërtetë. Janë 80 minuta në skenë dhe nuk është se ti punon gjithë javës për një numër që zgjat vetëm pak minuta. Kërkon një mund dhe përqendrim shumë të madh. Është për tu habitur, se si një staf kaq i vogël prej 6 apo 7 personash arrijnë ta përballojnë.
Si lindi ideja, pikërisht për këtë lloj teatri humori?
Ideja ka lindur para dy vitesh faktikisht dhe ne e kemi kërkuar ta realizonim që kur ishim në TV Klan. Turi e kishte parë këtë projekt dhe priste vetëm që ne të largoheshin nga Klani dhe të na propozonte. Në momentin kur u bashkuan rrugët, ai na thirri dhe na tha që jeni të vetmit që mund ta bëni.
E pati të vështirë Ermali rikthimin?
Jo, Ermali kishte shprehur më parë një dëshirë për tu rikthyer. Nga ana tjetër, edhe ne kishim shprehur një dëshirë për ta marrë. U mendua një herë që të riktheheshim në Portokalli. Kjo gjë nuk u bë dhe ndoshta më mirë që kështu. Por, kur Turi na e hodhi në tavolinë këtë ide, në fillim u tremba, sepse edhe formulat që janë në botë, maksimumi zgjasin 30 minuta, jo më shumë.
Mirëpo, në Shqipëri nuk mund ta shesësh dot një shou kaq pak, dhe u vendos 80 minuta. Ndërsa Ermali ishte menduar si i ftuari i parë. Por, kur u njoh me projektin, u bashkua me ne, dhe bashkë me të u rikthehu elektricitetin që i mungonte këtij grupi. Kjo do të thotë që ne nuk bëjmë dot pa njeri-tjetrin.
Çfarë ju mban të lidhur bashkë dhe në formë?
Na mban tipi dhe karakteri shumë i ndryshëm nga njeri-tjetrin.
Është improvizim, apo ka një skicë mbi të cilën ju luani?
Patjetër. Do ishte çmenduri totale po të thuhej se punojmë aty, direkt pa e menduar më parë. Ka një rrugë ku shkon shfaqja, flitet, diskutohet dhe më pas aty gjërat dalin spontane. Sepse, në radhë të parë nuk ke kohë që 30 faqe t'i mësosh përmendësh.
Ka një ide mbi të cilën ndërtohet situata, janë vetëm tre ditë në dispozicion që të mendosh dhe këto t'i shfaqësh ditën e shtunë. Kështu që, është një punë shumë e vështirë, por dhe shumë e bukur, sepse liria është akoma më e madhe. Këtë gjë mund ta bëja vetëm me ata dy partnerë që kam.
E them me bindje që me asnjë tjetër nuk do të mund ta bëja dot. Sepse, unë e di se ku do të dalë Juli, apo Ermali sa fillon dhe hap gojën dhe kjo vjen për shkak të një njohje shumë të madhe që ne kemi me njeri-tjetrin. Ishte kjo që na mungonte ne; marrëdhënia e SHBLSH-ve pa viruse.
Çfarë janë viruset?
Viruset janë intrigat, janë thashethemet, muhabetet prapa krahëve, të cilat nuk të lënë që të ecësh përpara. Këtu jemi një staf prej shtatë vetash, një grup miqsh e shokësh, të cilët ulen dhe krijojnë këtë gjë. Kjo është shumë e bukur.
Si e morët si formulë, e menduat dy herë për ta hedhur në treg?
Për herë të parë në jetën time kam pasur shumë frikë, sepse ishte një formulë shumë moderne. Aktualisht është shumë e famshme në disa vende të botës, mirë po kjo do dhe një njohje të madhe teatrore që ti të shikosh, komandën dhe kthehesh, e gjitha funksionon mbi këtë bazë.
Fantastikja tjetër është se jemi; Juli, Genti dhe Ermali dhe kemi një komshie që e ka emrin Lisa. Nuk ka grim, nuk ka kostume. Ky është një teatër i hapur, i cili të lejon të bësh humor me batutën.
E keni të vështirë të jeni gjithmonë në formë?
Ne kemi luajtur në skenë dhe me familjarë të vdekur. Aktori profesionist e ndan jetën personale nga atë profesionale. Ne jemi 80 minuta përballë publikut, duhet ta fillosh shfaqjen, ta ngresh në një kulm dhe ta çosh drejt mbylljes, kjo të nxjerr mangësi e gjithmonë ke ku ta kapësh.
Por, deri më tani publiku e shijon dhe ndihet mirë. Salla është e ngrohet, është një apartament ku ndodhin gjëra.
Po për krijimin e batutave të reja, sa e vështirë është?
Aktori, duke përdorur memorien fotografike merr një situatë që ka ndodhur në një kafe dhe e përpunon, e riciklon dhe nxjerr diçka tjetër. Për shembull, u mor situata e takimit, Topi, Berisha, Rama dhe u bë një lojë pokeri me ta.
Kjo është të bësh një vepër arti me materiale të riciklueshme, që është politika, debati në rrugë apo çdo gjë tjetër.
Një nga pikat interesante në apartamentin tuaj është edhe kënga që i këndoni Fatos Nanos, pse?
Është një nga liderët e politikës shqiptare dhe i mungon jetës së saj. Mungojnë fjalimet dhe batutat e tij. Po mendonim se kujt mund t'i këndonim një këngë. I vetmi që ishte prekur pak në skenat e humorit ishte Fatos Nano.
Dhe ai është personazh shumë karizmatik. Nga takimet që kemi pasur më të kemi kuptuar se e ka pritur me shumë sportivitet këtë gjë.
Në shtëpinë tuaj janë të ftuar edhe personazhe VIP, pse kjo ide?
Këtë e ka çdo format i tillë që bëhet në botë. Kjo i jep akoma më shumë freski. Sezonin tjetër do të zgjerohet kasa e ftesave.
Përpos aktorit, cili është Genti në jetën e përditshme, cila është familja e tij?
Në jetën e përditshme jam një njeri shumë aktiv. Vazhdimisht në lëvizje. Familja ime është bashkëshortja dhe djali im. Kam një motër dhe një vëlla. Unë jam më i madhi. Janë dhe 2 prindërit e mi.
Sa kohë u bë që njiheni me bashkëshorten tuaj dhe ku jeni njohur?
Jemi njohur në vitin '98-të. Kishte parë një shfaqje timen dhe u takuam pas saj dhe filluam të shoqëroheshim. Pastaj, gradualisht filloi një lidhje shumë stabël.
Çfarë të bëri përshtypje herën e parë që e pe?
Më bënë shumë përshtypje sytë. Më pëlqejnë shumë sytë kur janë shprehës
Është ajo aktore apo...?
Jo nuk është aktore, është juriste.
Cila është kritika që ju bën më shpesh?
Që jam shumë gjaknxehtë. Rrëmbehem shpesh.
Nëse nuk do të ishit aktor, çfarë mund të ishit bërë tjetër?
Ndoshta mund të kisha marrë drejtim tjetër në jetë. Do isha bërë polic. Kam konkurruar në Akademinë e Rendit dhe e kam fituar. Unë kam shumë pasione në jetë, kam pasion makinat, gatuaj mirë.
"Kam frikë nga vetmia"
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Pas lindjes së djalit. Lumturia ime absolute është vetëm Danieli.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Danieli.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Të shtunën e kaluar, në apartamentin e radhës.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Qëndrueshmëria dhe sinqeriteti
Defekti juaj kryesor?
Nxehem shumë shpejt.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerant?
Ndaj çdo lloj gabimi jam tolerant.
Hera e fundit që u përlotët?
Shfaqja e parë e apartamentit 2xl
Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Akili, princi i humbur
Udhëtimi juaj i preferuar?
Rusinë e adhuroj. Po të kisha mundësi do ta kaloja gjithë jetën në udhëtime.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Remarku
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Të jetë burrë.
Tek një grua?
Inteligjencën.
Kompozitori juaj i preferuar?
Mendelson.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Përgjithësisht muzikë italiane.
Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
"Shkëndijat e jetës".
Filmi që ju la mbresë të thellë?
Filmat i dua të gjithë
Ngjyra juaj e preferuar?
E verdha
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Që jam pjesë e grupit "SHBLSH"
Çfarë është ajo, për të cilën pendoheni më shumë?
Ndoshta mund të kisha marrë drejtim tjetër në jetë.
Frika juaj më e madhe?
Vetmia.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Kur nuk dua që tjetri që kam përballë të lëndohet.
Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Shumë herë.
Cila është motoja juaj?
As pjesë e turmës, as kundër turmës
Si do të dëshironit të vdisnit?
Jo me dhimbje.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t'i thoshit?
Do vërtetoja që ekzistonte.
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
I mbytur në punë.