Kreu i ERE: Ja si do të vendosim për çmimin e energjisë
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani tha dje se një marrëveshje e mundshme mes qeverisë dhe CEZ-it për shlyerjen e borxheve me kusht mosrritjen e çmimit të energjisë, nuk ka lidhje me metodologjinë që përdor ERE për ndryshimin e çmimit të energjisë
Në pritje të vendimit të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ditën e sotme për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, kreu i këtij institucioni, Sokol Ramadani shprehet për gazetën MAPO se prodhimi i energjisë elektrike është fare minimal. Sipas tij, një marrëveshje e mundshme mes Ministrisë së Financave dhe CEZ Shpërndarjes për shlyerjen e borxheve të KESH-it me kusht mosrritjen e çmimit të energjisë, nuk ka lidhje me rregulloren dhe metodologjinë që përdor ERE si institucion kompetent për ndryshimin e çmimit të energjisë. “ Vendimi nuk merret nga unë. Është një bord i tërë, pasi shqyrton kostot dhe ndjek metodologjinë e përcaktuar nga rregullorja e ERE-s. Por mund të them që importi është minimal”, - u shpreh kreu i ERE-s, Sokol Ramadani. Me një prodhim minimal në kohën kur i gjithë rajoni po përjeton thatësirë, me një rrjet të amortizuar, ku prej kohësh kanë nisur ndërprerjet e energjisë elektrike, ERE pritet sot të vendosë për të ndryshuar ose jo çmimin e energjisë elektrike pas aplikimit që kanë bërë tre operatorët që kryejnë veprimtarinë e tyre në tregun shqiptar; KESH, OST dhe CEZ Shpërndarje. Por, duke u nisur nga gjendja aktuale në fushën energjetike në vend, nga kriza ekonomiko-financiare në eurozonë dhe më gjerë e gjithashtu nga theksi që vetë kreu i ERE-s, Sokol Ramadani i vuri mungesës së prodhimit, pritet që ERE do të vendosë sot për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, propozimet e operatorëve me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike janë: OST ka propozuar rritje çmimi me 0.73 lekë për kwh për vitin 2012; CEZ Shpërndarje i ka kërkuar ERE-s miratimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012, mesatarisht 4.5 për qind, ndërsa KESH mbi 5 %. Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 l/kwh për brezin e parë të faturimit dhe 13.5 L/kwh për tejkalimin e brezit prej 300 kwh/muaj. Për herë të parë këtë vit, CEZ ka kërkuar rritjen e tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë poshtë fashës 300 kilovat/orë. Nga 7.7 lekë që është çmimi i një kilovati aktualisht, CEZ ka kërkuar që për vitin 2012 ky çmim të jetë 8.06 lekë. Ndërsa për familjarët që konsumojnë më shumë se, 300 kilovat/orë në muaj, çmimi është propozuar 14.16 lekë nga 13.5 lekë për kilovat që është aktualisht. Në tërësi, për konsumatorët, CEZ ka kërkuar një rritje çmimi më pak se mesatarja 4 për qind që ka kërkuar në përgjithësi për të gjitha kategoritë. Kështu, rritja e çmimit është kërkuar për të gjitha kategoritë, duke nisur nga 0.5 lekë deri në 1 lekë për kilovat, sipas kategorive. Tarifat e propozuara, nëse miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë, do të kenë vlefshmëri deri më 2014-ën. Pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet. Në fakt, në CEZ ka kërkuar rritje të energjisë për konsumatorët familjarë, më pak se 3 për qind dhe nëse ERE miraton vetëm gjysmën, siç la të nënkuptojë dje, çmimet për konsumatorët familjarë do të rritet me 1.5%. Për shembull, nëse një familje paguan 10 000 mijë lekë në muaj, me çmimet e reja do të paguajë 10 150 lekë.