Qeveria dhe CEZ, ende pa marrëveshje konkrete për borxhin
Kompania CEZ Shpërndarje dhe Ministria e Financave janë në negociata për zgjidhjen e çështjes së borxhit, por deri më tani nuk ka një marrëveshje konkrete
Qeveria e ka njohur në parim një borxh prej dhjetëra milionë eurosh që ka ndaj kompanisë së Shpërndarjes CEZ, duke pranuar shlyerjen e tij që nga viti i ardhshëm. Mirëpo, burimet zyrtare nga CEZ njoftuan se qeveria ka shprehur gjithnjë gatishmërinë dhe e ka njohur borxhin parimisht, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete për shlyerjen e tij. Para pak ditësh, në një seancë dëgjimore me CEZ Shpërndarje, Enti Rregullator i Energjisë e kushtëzoi kërkesën për rritjen e çmimit me borxhin që qeveria ka ndaj kompanisë. Drejtori i CEZ-it, Josef Hejsek tha se kompania ishte e gatshme të hiqte dorë nga kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë, nëse qeveria shlyen borxhin e papaguar të institucioneve të saj. Përveç mungesës së reshjeve aq të nevojshme për furnizimin e fundit me energji, kompanitë e sektorit të energjetikës në vend janë përfshirë një rreth vicioz borxhesh që e rëndon edhe më shumë situatën. Drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo ka bërë të ditur për mediat se kompania e Shpërndarjes së Energjisë, CEZ i detyrohet Korporatës 55 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për të siguruar importin e nevojshëm të energjisë për disa muaj. Pikërisht për të zgjidhur këtë çështje, KESH sqaroi se detyrimet e CEZ-it tashmë janë në një proces gjyqësor. Por në të gjithë këtë situatë, KESH pretendon se çmimi me të cilin i shitet energjia CEZ-it është shumë më i ulët se kostoja e importit.
Vitin që shkoi, Enti Rregullator jo vetëm që nuk mori në konsideratë kërkesën për rritje të çmimeve që kishte bërë KESH-i për vitin aktual, por e uli edhe më tej çmimin me të cilin KESH furnizonte CEZ-in. ERE vendosi që çmimi me të cilin CEZ bleu energjinë nga KESH-i gjatë vitit 2011, të jetë 1.48 lekë, nga 2.03 lekë që ishte deri më 31 dhjetor 2010. Me këtë veprim, shteti mori vetë përsipër kostot e mosrritjes së tarifave për CEZ-in, duke e kompensuar atë me uljen e çmimit të energjisë që KESH i shiste CEZ-it. Nga kjo lëvizje, KESH–it iu krijuan automatikisht 50 milionë euro humbje për këtë vit financiar, shumë e cila pritet të kompensohet këtë vit nga çmimet e reja që do të miratojë ERE. E gjithë kjo vlerë në fakt ka shkuar në arkën e CEZ-it, i cili e bleu energjinë më lirë ndaj KESH-it, duke e shitur me të njëjtat çmime ndaj konsumatorëve të pakicës. Sipas KESH-it, ulja e çmimit ndikoi negativisht në bilancin e kompanisë, por situata e mirë e eksporteve e balancoi situatën. Megjithatë, këtë vit nuk ndodhemi në të njëjtat kushte.