E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga ura me dërrasa, uji përpin 12-vjeçaren në Babrru

SHKRUAN: Habjon Hasani 07-12-2011 13:00

E mitura ishte duke luajtur me shoqet, kur ka rrëshqitur nga ura dhe ka rënë në lumin e rrëmbyer nga shirat. Policia nuk arrin të gjejë trupin. Nëna, Vjollca Mekaj: Vajza doli nga shtëpia pasi hëngri drekë

Tiranë Ka dalë nga shtëpia për të luajtur me shoqet, por ura e shkatërruar në Babrru i ka marrë jetën. Vajza 12-vjeçare, E.Mekaj ka rënë aksidentalisht në ujërat e lumit të Tiranës, teksa kalonte urën e Babrroit në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, rreth orës 16:15 në zonën e Bregut të Lumit, në lagjen ‘Shpati’, ndërsa dëshmitarë të ngjarjes janë përpjekur të japin ndihmën e parë, por përpjekja e tyre fatkeqësisht ka qenë e kotë. E mitura 12-vjeçare ka rënë aksidentalisht nga ura e improvizuar me dërrasa rreth 10 metra e lartë, ndërsa trupi i saj është marrë me vete nga ujërat e rrëmbyera të lumit. Vogëlushja mësohet se ka qenë duke luajtur me shoqet dhe shokët e saj në momentin që ka ndodhur tragjedia. Të parët që kanë dhënë alarmin kanë qenë shoqet e 12-vjeçares, të cilat kanë parë të gjithë skenën e tmerrshme të rënies së saj në lumë. Një dëshmitar tha dje se kishte dëgjuar britmat e fëmijëve teksa thoshin “ra, ra në lumë”, dhe që kërkonin ndihmë, ndërsa motra e madhe e saj e paralajmëronte të largohej nga ura. Sipas të dhënave, edhe disa banorë të tjerë të gjendur aty pranë nisën përpjekjet për ta shpëtuar vajzën, por rrjedha e ka bërë të pamundur ndërhyrjen pa mjete të posaçme. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se vajza, pavarësisht kërkimeve intensive rezulton ende e zhdukur, pasi dyshohet se rryma e fortë edhe për shkak të shirave të këtyre ditëve, e ka marrë vajzën me vete. Në kërkim të vajzës janë angazhuar forca të shumta policore, si dhe polumbarë dhe forca të RENEA-s. Kërkimet kanë vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme e më pas janë ndërprerë për shkak të errësirës, por edhe prej rrjedhës së rrëmbyer të lumit. Kjo urë e rrezikshme shërbente prej kohësh si nyjë lidhëse mes një lagjeje në Babrru dhe Profarmës së vjetër. Nëna e vajzës 12-vjeçare tha dje se e bija kishte dalë për të luajtur me të motrën dhe shoqet, ndërsa lajmin për rënien e saj në lumë ia kishte dhënë vajza tjetër. “Erdhi nga shkolla, hëngri bukë dhe doli për të luajtur. Ku po ikën, i thashë. Më tha se jam këtu afër. Erdhi vajza tjetër dhe më lajmëroi duke bërtitur me të madhe se motra ka rënë në lumë”, - rrëfeu dje Vjollca Mekaj, e tronditur për fatin e vajzës së saj. Vajza e zhdukur ishte në klasën e dytë dhe ka gjashtë motra të tjera e një vëlla. Kërkimet intensive për gjetjen e trupit të 12-vjeçares kanë vazhduar deri në mbrëmje vonë, por pa rezultat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›