Kreu i KFOR-it: Gjendja në veri të Kosovës, e tensionuar

Komandanti i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali gjerman, Erhard Buhler, thotë se gjendja në veriun e vendit është ende e tensionuar, duke nënvizuar se së shpejti situata atje do të qetësohet. Ai i bëri këto komente, pasi forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, i deklaruan dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, zona të kufizuara ushtarake, ndërsa kanë paralajmëruar se do të përdorin edhe armët e zjarrit në rast të kërcënimit të këtyre zonave.
Vendimi i KFOR-it, për deklarimin e dy vendkalimeve kufitare si zona të kufizuara ushtarake pasoi djegien e vendkalimit kufitar në Jarinë nga grupe serbësh, të cilët qëlluan me armë zjarri ndaj trupave të NATO-s.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Erhard Buhler, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë sulme të reja mbi vendkalimet kufitare, por ka theksuar se të dyja portat janë deklaruar zona të kufizuara ushtarake dhe rregullat janë shumë të qarta. Ushtarët mund të përdorin armët për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit, pronën dhe zonën e kufizuar ushtarake. Forcat paqeruajtëse morën përgjegjësinë për dy vendkalimet kufitare, pas incidenteve në atë zonë.
Në një njoftim të këtyre forcave thuhet se vendkalimi në Jarinë është mbyllur, meqë infrastruktura është e dëmtuar rëndë, ndërsa vendkalimi tjetër në Bërnjak, vazhdon të funksionojë. Këto pika doganore nuk janë duke zhvilluar aktivitet normal doganor, dhe do të rivendoset rregulli pasi të normalizohet situata.
Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk funksionojnë doganat e vendit.
Një pjesëtar i policisë u vra në një sulm të armatosur ndaj njësive të posaçme në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat veriore me shumicë serbe. Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta.