Kreu i LSI-së Ilir Meta i kujton Ramës se shtyrja e rezultatit të zgjedhjeve s’e ndihmon imazhin e Shqipërisë
“Njih rezultatin e zgjedhjeve dhe mbaj përgjegjësitë e humbjes”
TIRANE - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje dje Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama që të mos ushtrojë presion ndaj institucioneve vendimmarrëse të zgjedhjeve, të njohë rezultatin dhe të mbajë përgjegjësitë e dështimit. Gjatë një konference për shtyp, kreu i LSI, Ilir Meta, u shpreh se shtyrja e vazhdueshme e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nuk e ndihmon imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe aq më tepër procesin e integrimit evropian.
“Janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo për përsëritje të tyre. Kjo është një fyerje e madhe për shqiptarët. Ata që kanë qenë hartues, miratues dhe kontrollues të Kodit dhe të administrimit të zgjedhjeve, me pretendime të tilla, nuk mund të lajnë duart nga përgjegjësitë e tyre të drejtpërdrejta për dështimin në garantimin e standardeve në zgjedhje. Ndaj dua t’ju bëj thirrje, hartuesve të Kodit, dhe bashkë-administruesve të procesit zgjedhor dhe të numërimit të votave, të ngrihen mbi interesa partiake dhe personale, të lexojnë me qetësi rezultatin përfundimtar, dhe të nxjerrin përgjegjësitë e tyre politike përpara shqiptarëve”, deklaroi Meta.
Lideri i LSI-së u ndal edhe tek procesi i liberalizimit të vizave, duke premtuar se “koalicioni i ri do të realizojë synimin madhor të shqiptarëve, liberalizimin e vizave. Unë kam besim të plotë që koalicioni i ri me një të ardhme shumë të shpejtë, do të realizojë këtë synim madhor dhe këtë ëndërr e të gjithë shqiptarëve, pra liberalizimin e vizave me BE-në”, tha ai.
Për sa i takon ndarjes së posteve për qeverinë e ardhshme, PD-LSI, Ilir Meta nënvizoi se
“nuk ka negociata për poste sepse kryefjala e këtij koalicioni është integrimi i Shqipërisë në BE si dhe liberalizimi i vizave në një të ardhme të shpejtë. Për ne nuk është e rëndësishme çështja e posteve, për ne e rëndësishme dhe ajo që i intereson të gjithë shqiptarëve stabiliteti i qeverisë. Është një mënyrë funksionimi e qeverisjes në funksion të reformave dhe integrimit, sepse kjo u duhet të gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht që pa asnjë diskutim që është ecuria e reformave dhe përmasimin e gjendjes të gjithë shtetarëve shqiptarë. Për ne më i rëndësishëm se çdo gjë është partneriteti midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të përmbushur ato standarde që kërkon Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha që kërkojnë dhe qytetarët Shqiptarë, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë larg ekstremiteteve politike, larg realizimit politikë fals dhe njëkohësisht larg varfërisë për të gjithë ata shqiptarë të cilët ende ndeshen me varfrin dhe me papunësinë”, deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.