E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kungujt” dhe kungulleshka e së majtës

Humbjet e njëpasnjëshme të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj në tri zgjedhjet elektorale të zhvilluar në periudhën ’05-’09, ku përfshihen dy palë zgjedhjesh parlamentare dhe një palë zgjedhjesh për pushtetin vendor, janë shoqëruar me analiza e komente të ndryshme mbi shkaqet e kësaj situate. Një pjesë mendojnë se, shkaku kryesor është përçarja e së majtës në vitin ’04 dhe krijimi mbi këtë bazë i LSI-së. Sipas tyre, Ilir Meta mbetet i akuzuari kryesor për humbjen e zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare të zhvilluara në 3 korrik ’05 dhe 28 qershor ’09. Të paktën kështu mendojnë militantët e Partisë Socialiste, që mezi e presinin emisionin “Koha për t’u zgjuar”, për të derdhur një lum të paparë sharjesh e mallkimesh ndaj liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por të vjen keq kur këtë mendim nuk e kanë vetëm ekstremistët e Partisë Socialiste, por edhe disa përfaqësues të medias së “pavarur” shqiptare, të cilët bien preh e këtij opinioni vulgar. Kësisoj, dilema se, kur është më e fortë nga pikëpamja elektorale e majta, kur është e bashkuar apo kur është e ndarë, shndërrohet në një lojë kungulleshkash. E majta është më e votuar kur është e bashkuar, thotë një palë, ndërsa tjera mendon se, ajo është më e mbështetur nga elektorati kur është e përçarë. Megjithatë, argumentat dhe profesionalizimi i të arsyetuarit mungojnë dukshëm në të dy rastet. Nga ana tjetër, rezultatet zgjedhore të periudhës ’05-’09 janë të pamjaftueshëm për të arritur në një përfundim të saktr, nëse nuk kombinohen me logjikën e zhvillimeve demokratike të vendit tonë nga ’91-shi e në vazhdim. Po kështu, këto statistika të shpien në përfundime të gabuara, kur bazohesh vetëm tek mbledhja arithmetikore e elektoratit të majtë, në të gjitha ato raste kur forcat politike të këtij krahu kanë garuar veç e veç në zgjedhjet e ndryshme elektorale të zhvilluar qysh nga 3 korriku i vitit ’05. Cila është panorama statistikore që na japin këto rezultate?

Në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit ’05, e majta u përfshi e ndarë në dy kampe politike, ku në një krah ishte LSI-ja, e cila nuk kishte më shumë se një vit që kishte dalë si forcë e veçantë politike, kurse në krahun tjetër, të gjitha partitë e tjera të spektrit të majtë nën ombrellën e Partisë Socialiste. Siç dihet, ato zgjedhje i fitoi koalicioni i djathtë i udhëhequr nga Partia Demokratike, i cili mori plotë 74 deputetë. Kështu që “e majta e përçarë” mbeti në total me 66 deputet, duke përfshirë këtu edhe deputetët e Partisë Agrare Ambientaliste dhe ata të Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, të cilët më vonë kaluan në aleancë me qeverinë e Partisë Demokratike. Mirëpo mbrojtësit e alternativës se, “e majta ishte shumicë edhe në këto zgjedhje” gabojnë në faktin se, nuk mbledhin “produktin”; pra deputetët e prodhuar, por “shpenzimet e produktit” apo votat totale të së majtës, në se shprehemi mbi bazën e disa termave ekonomike. Po sipas teorive ekonomike, dihet që, sa më shumë shpenzime për njësi produkti aq më primtive rezulton teknologjia. Kështu që, në zgjedhjet e vitit ’05, e majta, me rreth 64 mijë vota më shumë e djathta prodhoi gati 8 deputetë më pak, për shkak të “teknologjisë së vjetëruar” elektorale, e cila e trajton pushtetin demokratik si “çështje të të gjithë popullit”, duke shpërfillur “teknologjinë elektorale” në kuptimin e standartit qeverisës që kërkon koha. Ndaj në rastin konkret, shkëputja e LSI-së nga PS-ja nuk është çështje numrash, por çështje e cilësisë së zhvillimeve demokratike. Madje, do të ishim më sakt, nëse këtë ngjarje do ta konsideronim si një tregues të emancipimit demokratik të të majtës, e cila ka vuajtur kohë pas kohe nga veset politike të Partisë së Punës, prej nga e ka dhe prejardhjen.

Shumë vite më parë, për Partinë e Punës, që është mëma e Partisë Socialiste votonin 99,99 për qind e shqiptarëve, por kjo s’do të thotë që kështu duhet të ndodh edhe në demokraci. Ndryshimi u duk jo më vonë se 3 muaj pas rrëzimit të diktaturës komuniste në vendin tonë. Kësisoj, në zgjedhjet e 31 marsit ’91 votuan në pro të majtës gati 65% e qytetarëve tanë, kryesisht në zonat rurale të vendit, pasi në kryeqytet humbi Ramiz Alia, që ishte sekretar i parë i PPSH-së. Në zgjedhjet e 22 marsit ’92 kjo mbështetje ra në afro 40%, ndërsa në zgjedhjet e 26 majit ’96, përkrahje zbriti edhe më tej, paçka se, kur e panë keq, përfaqësuesit e politikës komuniste  tërhoqën komisionerët e tyre dhe prishëm zgjedhjet. Të majtët e bënë “shumicë absolute” vetëm me ndihmën e Komiteteve të Shpëtimit Kombëtar dhe tytën e armëve në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit ’97. Këtë epërsi e ruajtën për 8 vjet rresht deri në zgjedhjet e 3 korrikut ’03, duke manipuluar e përqëndruar të gjitha llojet e pushteteve në duartë e tyre. Mjafton të kujtojmë se, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në atë kohë ishte i përbërë nga 5 anëtarë që përfaqësonin të majtën dhe 2 anëtarë si përfaqësues të së djathtës. E megjithatë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit ’01, e majta u bë “shumicë” vetëm nga nga 20 vendimet e Fehmi Abdiut, duke ua marrë këto mandate të djathtëve. Në këto kushte, shkëputja e LSI-së nga trungu i kalbur i Partisë Socialiste ishte një iniciativë largpamëse në mbrojtje të interesave madhore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi në të kundërt ndodheshim në momentët e fundit të shndërrimit të së majtës në një forcë hegjemone edhe në shtetin dhe shoqërinë tonë demokratike, ashtu siç ishte para ’90-ës. Nëse u referohemi statistikave të zgjedhjeve dhe logjikës së ftohtë të ngjarjeve, një veprim i tillë “përçarës”, në fakt i ka shërbyer shtimit të mbështetjes elektorale të së majtës në përgjithësi. Për këtë mjafton të sjellim në vëmendjen e lexuesve rezultatin e zgjedhjeve lokale të shkurtit ‘07, ku “e majta e bashkuar” në shkallë kombëtare mori më pak vota se “e majta e përçarë” në zgjedhjet parlamentare të viteve ’05 dhe ’09. Atëherë më ç’të drejtë i mbledhin apo i futin në një thes të gjithë votat e majta, përkrahësit e idesë se, “e majta e bashkuar është shumicë në Shqipëri”, duke përfshirë këtu edhe votat e LSI-së?

Sigurisht me të drejtën e njeriut që di shkrim e këndim për nivelin e një nxënësi me dy klasë shkollë apo pa shkollë fare, mjafton që di të kryejë veprime të thjeshta arithmetikore për mbledhjen dhe zbritjen e numurave natyror.  Por “arithmetika” e demokracisë është më e ndërlikuar se sa kaq. Ajo jo vetëm mbledh, zbret, shumëzon e pjeston; por edhe arsyeton zgjidhje të problemash të ndryshme. Një ndër këto problema ka si kërkesë “kungulleshkën” se, kur e majta është shumicë, e ndarë apo e bashkuar? Nëse këtë zgjidhje do t’ua besosh “kungujve” të majtë, atëherë rezulton që, e majta të jetë shumicë në rastet kur ajo garon e bashkuar në zgjedhje, megjithëse faktet e mësipërme e kundërshtojnë këtë lloj zgjidhjeje. Nëse këtë përgjigje ua kërkon njerëzve të civilizuar të shoqërisë sonë, atëherë rezulton se mbështetje elektorale e të majtës vjen gjithnjë duke u rrudhur. Natyrisht, në këtë përfundim nuk arrihet vetëm me veprime të thjeshta arithmetikore, por edhe me arsyetime të holla filozofike. Në aspektin matematikor mund të përmendim faktin që në ’09-ën e majta ka patur 4 mijë vota më pak se në ’05-ën, megjithë blerjet e konsiderueshme të votave nga Rama tek “njerëzit që shiten për 5 lekë”, ndërkohë që për të njëjtën periudhë krahasimi e djathta është rritur me 85 mijë vota. Pra treny është rritje e mbeshtetjes elektorale me ritme të larta e të djathtës dhe rrudhje normale e së majtës. Por rrudhja e së majtës do të duket më qartë në 4 vitet e ardhëshme, pasi Partia Socialiste do të përfshihet detyrimisht në një proces të thellë reformimi, me ose pa Ramën në krye, ndërsa LSI është futur në rrugën e pakthyeshme të standartizimit si pjesë e së majtës europiane. Hyrja e saj në koalicion me të djathtën është një reflektim i eksperincave me të mira të të majtëve të kontinetit tonë. Në kuptimin e logjikës filozofike, rrudhja e së majtës është një dukuri e emancipimit të përgjithshëm demokratik të shoqërisë shqiptare. Vetëm “kokëkungujt” mendojnë se e majta shqiptare duhet të vazhdojë të jetë shumicë edhe në pluralizëm, madje sipas tyre ajo kishte për të qënë në pushtet edhe në ’05-ën dhe ’09-ën, nëse nuk do të ishte krijuar LSI. Pra në këtë mënyrë, komunistët shqiptarë, që e izoluan për 50 vjetë rresht këtë vend, ngaqë u shndërruan në “ish”, do të bënin me metoda majtiste edhe integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, ndonëse për 8 vjet rresht në periudhën ’97-’05 nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Llogari të tilla megjithëse janë tërësisht përtej realitetit bëhen me qëllim të caktuar nga “ideologët” e majtë. Qëllimi është të mbajnë ndezur “idealet komuniste e partizane”, që i edukojnë militantët me frymën e hiperbolizimit te realitetit si për gjërat pozitive ashtu dhe për ato negative. Kjo është arsyeja që ata e mendojnë të majtë “shumicë” dhe të djathtën “pakicë”, ndërkohë që statistikat dhe logjika filozofike tregojnë të kundërtën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›