Kreu i PD, Aleksandër Biberaj shpall zyrtarisht kandidaturën
Aleksandër Biberaj është zyrtarisht kandidati i parë që do të garojë për drejtimin e Partisë Demokratike. Lajmi u bë publik nga vetë Biberaj, duke theksuar se këtë vendim e mori pas mbështetjes së ofruar nga demokratë të shumtë në të gjithë vendin. Ish-nënkryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, i larguar prej vitesh nga radhët e PD-së, kërkon rikthimin sërish në partinë në të cilën nisi karrierën e tij politike.
Kandidimi
Kandidimi i Biberaj u përfol ditë më parë ndërkohë që vetë ky i fundit deklaronte se ende nuk kishte vendosur për këtë kandidim. Teksa zyrtarizoi dje kandidaturën, Biberaj tha se do ta ndërtojë Partinë Demokratike sipas modelit të Partive Popullore Evropiane. Pas inkurajimit që kam marrë gjatë këtyre ditëve nga shumë demokratë në të gjithë Shqipërinë, kam vendosur të shpall kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëpërmjet kandidimit tim synoj të ringjall vlerat më të mira të demokracisë, të institucionalizoj mirë-funksionimin e demokracisë së brendshme, bazuar në konkurrencën e ndershme, në meritokracinë dhe kontributet e gjithsecilit, sipas modelit të Partive Popullore Evropiane, u shpreh Aleksandër Biberaj.
Programi
Në vijim të deklaratës së tij, Biberaj shprehet se synimi i tij është bashkimi i së djathtës shqiptare për ta rikthyer PD-në në pushtet. Synoj gjithashtu që të bashkoj të gjithë demokratët në këto ditë të vështira, duke respektuar vlerat dhe kontributin e gjithsecilit, pasi nuk ka demokratë të tepërt në PD dhe kundërshtari ynë i përbashkët nuk është brenda nesh. I siguroj të gjithë mbështetësit dhe të gjithë demokratët se po punoj intensivisht për të hartuar një platformë serioze, thellësisht në frymën e idealeve të Dhjetorit 90. E gjitha që kërkoj është vetëm një garë e ndershme, gjë që na ka munguar gjithë këto vite brenda PD-së. Në përfundim të një gare të ndershme, unë do të njoh rezultatin cilitdo qoftë ai dhe do të punoj, siç di unë të punoj, në mbështetje të programit fitues. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për rikthimin e PD-së në pushtet, në emër të interesave të Shqipërisë, shprehet Biberaj. Aleksandër Biberaj është emri i parë i cili do të garojë për të marrë drejtimin e PD ndërkohë që deri të premten do të bëhet zyrtarizmi i të gjitha kandidaturave.