Olldashi takim kokë më kokë me Berishën
Temat e bisedës ka qenë gara për kreun e ri të PD
Për kreun e ri të Partisë Demokratike ndër emrat më të lakuar mbeten ai i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ministrit të Transporteve Sokol Olldashi i cili sipas Zërit të Amerikës ka pasur një takim kokë më kokë me Berishën. Takimi mes tyre ka qenë shumë sekret, megjithatë burime pranë kryeministrit Berisha, Olldashi siç duket i ka pohuar Berishës marrjen pjesë në garë dhe ka kërkuar nga ai që të jetë garant i garës brenda PD-së. Pro Olldashit sipas burimeve nga selia blu janë edhe Jozefina Topalli, Ridvan Bode dhe një pjesë personalitetesh të selisë blu. Ata shikojnë tek ai personin e duhur për të ringritur PD-në. Gara pritet të mbahet në fund të muajit korrik dhe në fillim të muajit gusht dhe anëtarësia do të votojë në bazë qarku. Pas votimit dhe përzgjedhjes së kryetarit, ai do të ketë të drejtë të zgjedhë kandidaturat për Këshillin Kombëtar, të cilët votohen në Kuvendin e ardhshëm të Partisë Demokratike, ku merr pjesë e gjithë anëtarësia. Kuvendi tjetër do të jetë me të deleguar dhe do të zgjedhë Këshillin Kombëtar. Ky i fundit më pas zgjedh Kryesinë.