E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PD, Kavajë: Monumentin e dy gishtave s’ka burrë nëne që ta heqë

Kreu i PD-së së Kavajës, z.Ramazan Ok shtuni ka bindjen e plotë se askush nuk do të mund të guxojë ta heqë nga sheshi i qytetit monumentin e demokracisë. Ndaj deklaratës së kryebashkiakut Elvis Roshi se do ta shembë simbolin e dy gishtave, kryedemokrati i Kavajës shprehet në mënyrë të prerë: “Nuk ka burrë nëne që ta bëjë këtë”. Z.Okshtuni, në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” denoncon përpjekjet e kreut të bashkisë, Elvis Roshi, dhe kreut të PS-së, Edi Rama, për të konfliktuar sipas tij Kavajën, ndërsa shpreh bindjen e plotë se monumenti do të vazhdojë të qëndrojë aty ky është, në shesh.
Z.Okshtuni, a e “trazoi” Kavajën deklarata e kreut të bashkisë, Elvis Roshi se do ta heqë nga sheshi i qytetit monumentin e demokracisë?
Monumenti do të qëndrojë aty ku është vendosur dhe nuk e lëviz njeri nga ai shesh. Unë i ftoj qytetarët e Kavajës që të tregojnë kulturë dhe qytetari, pavarësisht se kanë mbetur të befasuar dhe të habitur nga deklaratat e papërgjegjshme të kreut të bashkisë. Të jeni të sigurt se një deklaratë e tillë ka lënë të befasuar jo vetëm demokratët, por edhe socialistët e ndershëm, të cilët nuk pajtohen me kreun e bashkisë dhe atij që qëndron pas tij, kreut të PS-së.
Ju, si e konsideroni deklaratën e Roshit?
Është një deklaratë e papranueshme, e papërgjegjshme dhe e papjekur, që mund ta bëjë vetëm një njeri si Elvis Roshi. Ndaj ai nuk ka asnjë shans që ta heqë monumentin e demokracisë. Shanset e tij janë zero.
Pse jeni kaq i sigurt që nuk do ta heqë?
Ky monument është simbol i qytetit dhe përfaqëson një histori. Kavajasit ishin të parët që morën guximin në vitin 1990 ta mposhtin regjimin komunist. Në mars, qytetarët e Kavajës demonstruan për liri dhe demokraci. Ndaj këtë monument nuk ka burrë nëne që ta heqë nga sheshi.
Si do ta mbroni atë?
Ky monument nuk është simbol i PD-së, siç pretendojnë, por është i gjithë qytetarëve të Kavajës dhe i gjithë shqiptarëve që u ngritën për të rrëzuar regjimin komunist. Është një datë historike, që nuk do të mund ta fshijnë, as ta rrëzojnë simbolikën e saj, pasi Kavaja nuk mbaron tek sheshi i saj. Është një datë që respektohet nga të gjithë dhe askush nuk mund të luajë me historinë e qytetit.
Pse gjithë kjo bindje?
Të jeni të sigurt që Elvis Roshi është shumë i vogël për ta rrëzuar një monument të tillë. Nuk do ta lejojnë qytetarët e Kavajës. Bashkia është votë e qytetarëve dhe ai nuk mund ta përdorë këtë votë duke bërë çfarë t’i thotë mendja. Kjo është një mendje e shpërqendruar, e papërgjegjshme, që qytetarët e Kavajës do të dinë shumë mirë t’i kundërpërgjigjen me votë kundër më 23 qershor. E kanë të kotë që të dy (Roshi e Rama). Ai monument do të qëndrojë aty ky është dhe ua përsëris: Kurrë nuk do të mund ta heqin atë, sepse nuk ka burrë nëne që ta bëjë një gjë të tillë. Mua më vjen keq që Roshi po përdoret nga Rama, është bërë vegël e tij duke u kthyer kurrizin bashkëqytetarëve të tij.
Ka pasur reagime nga qytetarët apo familjarët e atyre që dhanë jetën për demokracinë?
Ka pasur, madje reagime të forta, përfshi këtu edhe nga familjarët e respektuar të dëshmorëve. Nuk pajtohen me këtë deklaratë histerike të z.Roshi. Është e papranueshme. Ata kanë shprehur indinjatë të thellë për deklaratat e papërgjegjshme të kryetarit të bashkisë, i cili e ngatërron institucionin dhe qytetin dhe e konsideron si pronë të tij. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Do të triumfojë kurajoja qytetare e kavajsve, si populli liridashës, me një kulturë dhe histori të cilën nuk do të mund të nëpërkëmbë askush, kushdo qoftë ai.
Pse sipas jush kjo deklaratë u bë pikërisht tani?
Është një deklaratë provokative në kohën e fushatës elektorale, e bërë qëllimisht, pasi mendojnë se do të mund të marrin vota. Por kjo s’ka për të ndodhur, pasi ne si Parti Demokratike po bëjmë një fushatë të qytetëruar dhe po shkojmë të sigurt drejt fitores.
Megjithatë PD-ja ka ende shijen e hidhur të zgjedhjeve lokale...
Ka qenë një votë aksidentale, por më 23 qershor do ta korrigjojmë dhe të jenë të sigurt se një ditë më pas, më datë 24 qershor, neve nuk do të na duhet të mbrojmë monumentin e demokracisë, por Elvis Roshin.
Nga se do ta ruani?
Do të na duhet ta ruajmë nga ndonjë vetëvrasje, sepse e ka të sigurt humbjen më 23 qershor. Një njeri që tenton të tallet me qytetin e Kavajës, një njeri që bën deklarata histerike, të papërgjegjshme, që provokon qytetarët, që e di bashkinë si shtëpinë e tij, një njeri që bën gafën e radhës, duke deklaruar se “do të shemb edhe xhaminë e qytetit”, një njeri që befason bashkëqytetarët me gafa pa fund, pikërisht një njeri i tillë do të rrëzohet me votë më 23 qershor, bashkë me partinë e tij. Ne po vazhdojmë fushatën normalisht, sepse jemi për zhvillimin dhe ndërtimin e qytetit dhe jo për shkatërrimin e tij, siç kërkon të bëjë kreu i Bashkisë së Kavajës.
Gjithsesi, a keni marrë ndonjë porosi nga PD-ja e qendrës se si duhet të veproni pas deklaratës së kreut të bashkisë?
PD-ja e qendrës dhe PD-ja e Kavajës po vazhdojnë të qeta fushatën elektorale dhe po shkojnë të sigurta drejt fitores së 23 qershorit, për t’u dhënë me votë një goditje të fortë njerëzve të papërgjegjshëm si Roshi dhe Rama. Mbrojtja më e mirë e monumentit do të jetë vota. Do të jetë vota e qytetarëve ajo që do të vendosë dhe jo Elvis Roshi, të jeni të bindur për këtë. Vendimet i marrin qytetarët dhe jo një kryetar bashkie i papërgjegjshëm, që me gafat e tij befason qytetin dhe mbarë vendin. Kjo është e pafalshme dhe qytetarët e Kavajës nuk do të lejojnë që ai të tallet me ta. Është për të ardhur keq që një ekstremist si Elvis Roshi është bërë një vegël në duart e kreut të PS-së, i cili më 23 qershor shënon humbjen e radhës, dhe monumenti do të vazhdojë të jetë aty ku është vendosur. Fitorja është e sigurt, pasi ne kemi mbështetjen e gjerë të qytetarëve.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›