Kreu i PDK-së Anton Gurakuqi, përshëndet rizgjedhjen e kryetares së CDU-së

“Rizgjedhja e Angela Merkel, moment shumë i rëndësishëm për demokristianizmin në botë”
Kancelarja gjermane Angela Merkel rizgjidhet në postin e kryetares së CDU-së.
Merkel siguroi 95 për qind të votave. Një shefe e rizgjedhur e partisë dhe duartrokitje pa fund. Përmes një fjalimi sa të mendueshëm aq dhe të vendosur Angela Merkel arriti që të siguroj edhe njëherë mbështetjen e partisë dhe të mbys që në djep zënkat për politikën fiskale. Me plot vetëbesim Merkel numëroi me radhë masat e ndërmarra nga ajo si kancelare e shtetit kundër krizës financiare dhe ekonomike. Dhe me sarkazëm ajo tregoi se çfarë masash kundërthënëse janë propozuar nga shumë ekspertë për tejkalimin e krizës. Ajo mori mbështetjen e kongresit të kristian-demokratëve për kursin e saj në krizën financiare.
Duke iu referuar rizgjedhjes së Merkel në krye të CDU-së, Partia Demokristiane e Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj, Anton Gurakuqi, përshëndesin këtë zhvillim, duke theksuar se “rizgjedhja e Merkel në këtë post përbën një moment të rëndësishëm për demokristianizmin kudo në botë”.
“Duke vlerësuar si shumë sinjifikativ mesazhin e dhënë nga Merkel gjatë punimeve të kongresit të CDU, e cila bëri thirrje për një bashkim mes kristian demokratëve dhe kristian socialëve, PDK e Shqipërisë ripërsërit idenë e bashkimit të të gjithë vlerave demokristiane shqiptare në një parti të vetme”, deklaroi Gurakuqi.
Sipas tij, bashkimi i të gjitha vlerave, aktorëve dhe faktorëve demokristianë, do të bëjë të mundur mos fragmentarizmin e votës, sikundër për herë të parë në dekadën e fundit demokristianët shqiptarë do të jenë të bashkuar nën një sigël, nën një moto, nën një program.
...