Kreu i PES-së, Ramës: Komisioni hetimor, me ndërkombëtarë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Sarajevë është takuar me Presidentin e PES-së, Poul Nyrup Rasmussen, nga i cili ka kërkuar mbështetje për qëndrimin politik të partisë së tij. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë selisë rozë, Rasmussen ka thënë: Unë dua të mbështes Partinë Socialiste Shqiptare në kërkesën e saj për të pasur transparencë dhe zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të fundit. Kjo është arsyeja përse sot i kam thënë zotit Edi Rama se unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë se edhe unë do të doja ti shprehja dëshirën time për ngritjen e një komisioni hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Sipas kreut të PES-së, komisioni hetimor duhet të jetë i pavarur dhe të ketë në prani dhe ndërkombëtarë. Komision, i cili mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur, çka do të garantonte se ky komision hetimor do të shqyrtonte çdo pikëpyetje, dyshim apo çështje të tjera për zgjedhjet e fundit. Transparencë e plotë, komision hetimor, le ta mbarojmë këtë punë, - u shpreh ai. Gjatë fjalës së tij në konferencë, Rama foli për liberalizimin e vizave, duke shprehur vullnetin e partisë së tij që kjo të bëhet sa më shpejt. Anëtarësia në BE është projekti ynë politik i transformimit dhe i demokratizimit, - tha më tej Rama.