E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KKRT-së, vlerësohet puna 1-vjeçare

Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka diskutuar dje raportin e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve për vitin 2009. Raporti u prezantua nga kryetarja e këtij institucioni, Endira Bushati, e cila duke bërë një përmbledhje të veprimtarisë së KKRT-së, tha se gjatë vitit 2009, ky institucion ka përballuar një volum të konsiderueshëm pune, veçanërisht në licencimin e subjekteve të reja televizive dhe auditive, masa në luftën kundër piraterisë, shqyrtimin e çështjeve të mbulimit me sinjal të stacioneve radiotelevizive dhe tema të tjera. Gjatë prezantimit të raportit, kryetarja e KKRT-së u ndal edhe në përgatitjen e strategjisë për kalimin e platformave televizive nga numerike në atë dixhitale dhe në këtë pikë u theksua domosdoshmëria e hartimit sa më parë të ligjit përkatës, si pjesë e plotësimit të kritereve të vendosura për integrimin e Shqipërisë në BE. Deputetët dhanë sugjerimet e tyre për përmirësimi i standardeve profesionale e teknike të radiove dhe televizioneve, si një prioritet i aktivitetit të KKRT-së. Nga ana e tij, nënkryetari i Komisionit të Medias, Mark Marku, vlerësoi punën e KKRT-së, e cila, sipas tij, ka vendosur në shinat ligjore veprimtarinë e medias në Shqipëri, duke ndikuar kështu drejtpërsëdrejti në një zhvillim cilësor të saj. Marku dhe deputetë të tjerë ngritën dhe problemet që kanë mediat sot, veçanërisht me të drejtën e autorit, mbulimin e territorit gjeografik të Shqipërisë me sinjal transmetimi, etika në media, dixhitalizimi i saj etj. Komisioni përgatiti dhe një projektrezolutë për raportin e KKRT-së për vitin 2009, e cila i kalohet seancës plenare për miratim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›