E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PS-së, editorial për grevën e minatorëve

Kreu i PS-së Edi Rama ka reaguar për herë të parë për grevën e minatorëve në ditën e mbylljes së saj, duke zgjedhur sërish botimin e një editoriali për të shprehur qëndrimin e tij.


Kreu i selisë rozë bën përgjegjës kryministrin Berisha për atë që e cilëson skllavërim të minatorëve. Sipas ramës Babëzia me minierat i ka rrënjët në Tiranë ndërsa kompania ACR s`është veçse një tentakulë e oktapodhit të mafias së minierave.

Babëzia me minierat i ka rrënjët në Tiranë, në tryezën e qeverisë të Saliut, ndërsa degët në çdo labirinth nëntokë, ku po shkatërrohet një pasuri e tërë kombëtare për të bërë të pasur një grusht barbarësh të veshur me pushtet a të mbrojtur nga pushteti. Kompania e përfshirë në këtë mesele të zymtë s`është veçse një tentakulë e oktapodhit të mafias së minierave, që po i bën Shqipërisë atë që s`do t`ia bënte kurrë asnjë pushtim” thekson Rama.

Në editorial kryesocialisti Rama lëshon akuza edhe ndaj ish ministit të ekonomisë që sipas tij shkeli ligjin po pavarësisht kësaj gëzon imunitet parlamentar ndërsa prokurori hesht për provat kundër tij.

“Ky i koncesionit për kompaninë e përfolur këtë muaj është rasti i vetëm ku koka e oktapodhit, pushteti vetë, ka dalë e gjitha mbi ujin e zi të nëntokës, me firmën e një ministri haptaz ligjshkelës, i cili anashkaloi plotësisht parlamentin dhe askush nuk di ta thotë pse vazhdon të disponojë imunitetin parlamentar. Ndërsa Prokuroria e Republikës, e cila ka marrë qysh vitin e shkuar provat e pakundërshtueshme të shkeljes së ministrit, ka deklaruar madje edhe fillimin e hetimeve për këtë çështje, hesht njësoj si Saliu, duke u bërë vetiu bashkëfajtore në këtë krim të rëndë të qeverisë së tij” thekson Rama.

Ashtu si edhe në editorialin për raportin e OSBE/ODIHR-it ku thoshte se opozita nuk mund të ndryshojnë gjtihçka në mënyrë magjike, edhe në këtë reagim Edi Rama thotë se opozita nuk mund të fitojë betejën ndaj regjimit me konferenca shtypi, por se kjo është një beteje e çdo shqiptari.

“Atyre që duan nga opozita të bëjë më shumë për të mbështetur grevistët, u them shumë sinqerisht se nuk kemi harruar të shkruajmë e lexojmë para kamerave deklarata solidariteti, po është koha për ta harruar që ky regjim mund të luftohet me sukses duke bërë përditë deklarata . Beteja opozitare sot është beteja e çdo shqiptari, që si ata minatorë, po e vuan babëzinë skllavëruese në trup e në shpirt, po vuan mungesën marramendëse të llogaridhënies së qeverisë që vetëm gënjen, vjedh, tallet me popullin” ka shtuar Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›