Kreu i PS-së zbret në terren elektoral
Një bllok banesash sociale në Shkozë, përurimi i punimeve në segmentin problematik prej Shkollës Teknologjike tek Unaza e Re, si dhe risistemimi i infrastrukturës në zonën mes rrugës “Qemal Stafa” - “Bajram Curri” – Rruga e Dibrës – Oxhaku, këto mjedise publike janë shfaqur së fundmi para opinionit publik si stacione të angazhimit personal të kreut të bashkisë, Edi Rama. I përfshirë prej mjaft kohësh në drejtimin e aksioneve politike të Partisë Socialiste, aktivitetet e fundit rikthejnë në vëmendje cilësitë e tij ekzekutive në krye të bashkisë së kryeqytetit të Shqipërisë. Cilësi që në raport me premtimet e dhëna në 2007, por edhe me dilemat e së ardhmes elektorale të opozitës, duket se kondensojnë përgjegjësi të mirëfillta politike për kreun e bashkisë, të cilat tanimë nuk mund të dublohen apo t’u nënrenditen detyrimeve që burojnë nga drejtimi i PS-së. “Pas shumë përpjekjeve me komunitetin e kësaj zone, për të bërë të mundur së bashku çlirimin e akseve dhe hapësirave, në mënyrë që të vinim te risistemimi i plotë me rrugë të reja dhe rikonstruksion rrugësh të vjetra, sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune realisht të vështirë, por të domosdoshme, në mënyrë që një territor i tërë i përfshirë nga disa lagje të kësaj periferie, të mund të integrohet në Tiranën e re europiane”, ka thënë dje Rama në një artikulim që flet edhe njëherë për modelin e ndjekur prej tij në kryeqytet. Por, riaktualizimi i tij si një drejtues i kudondodhur i bashkisë, krijon premisa diskutimi rreth asaj që përflitet si zgjedhje e për të rikandiduar edhe njëherë, ç’ka do e kthente ballafaqimin në Tiranë në një betejë të vërtetë politike. Nëse prania në përurimin e punimeve, ku bashkia e kryeqytetit është investitore, dëshmon deri diku për një hapje informale të fushatës elektorale, përzgjedhja e mjediseve për ta bërë këtë flet për karakterin e pritshëm dhe përmbajtjen e saj. Infrastruktura dhe përmirësimi i jetës së komuniteteve periferike apo shtresave në nevojë, janë kështu pjesë thelbësore e angazhimit për Tiranën, që vjen si politikë elektorale e adresuar për zona që kanë nevoja specifike. Por për opsionin e rikandidimit flet edhe mungesa e një alternative nominale, ekzistenca e së cilës do të kishte aktivizuar minimalisht mekanizmin e katapultimit dhe promovimit mediatik. Por një nga arsyet kryesore që nuk mund të shmanget në skenarin e rikonfirmimit të kandidaturës Rama për bashkinë e kryeqytetit, është zbehja e perspektivës për zgjedhje të parakohshme që do të krijonte hetimi i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, i cili aktualisht mbahet peng i negociatave. Afrimi i zgjedhjeve lokale dhe klima që krijon kjo situatë brenda PS-së natyrshëm e ul tonin e angazhimit për një kauzë që dikton në këto kushte një përllogaritje të mirë të forcave, por edhe të rregullave të lojës, me të cilat do të administrohet gara. Në një shqyrtim krahasues, situata në fjalë, nëse konfirmon rikandidimin e Edi Ramës përputhet me atë përpara qershorit 2009, duke e vënë sërish shumicën dhe opozitën në një ballafaqim që niset nga pozitat e pjesëmarrjes në pushtet.
#