Zbulohet laboratori i vizave në Korçë
Një tjetër operacion policor i koduar “Viza e fundit” ka vënë në pranga tre persona për falsifikim të vizave greke dhe të pasaportave.
Pas tre operacionesh të suksesshme që kanë çuar deri më tani në arrestimin e pesë personave për nxjerrjen e vizave greke kundrejt shumave të mëdha nga konsullata greke, këtë herë operacioni i policisë së Korçës është shtrirë më tej, duke kapur persona që prodhonin viza të falsifikuara. Ato shërbenin për të mundësuar kalimin e shtetasve drejt Greqisë, përmes dokumenteve false që nuk dilnin zyrtarisht nga institucionet dhe duke prodhuar dokumente greke false.
Operacioni policor është zhvilluar në mesditë në qytetin e Korçës dhe këtë herë ka vënë në pranga tre persona të tjerë. Kostaq Gjoka 43 vjeç, Bujar Kuçi 51 vjeç dhe Arben Gusho 48 vjeç u arrestuan nga policia në kushtet e flagrancës, ndërsa u janë gjetur materiale komprometuese që vërtetojnë akuzën që rëndon ndaj tyre për falsifikim të dokumenteve të identifikimit, letërnjoftimeve dhe pasaportave, falsifikim të vizave, vulave stampave dhe formularëve.
Ndërkaq është zbardhur edhe skema e mashtrimit. Tre të arrestuarit kryenin ndryshime në pasaporta dhe më tej falsifikonin përmes pajisjeve kompjuterike vizat greke me vula që dukeshin si të rregullta.
Burimet policore kanë bërë të ditur se tre autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin premtonin nxjerrjen e një vize të rregullt, por në fakt vizat nuk siguroheshin nga ana e konsullatës. Sipas policisë ka pasur edhe raste kur për shkak se personat nuk mund të siguronin viza të rregullta kundrejt pagesës, përfitonin një vizë të falsifikuar përmes tre të arrestuarve nga Korça.
Nga hetimet e policisë dhe kontrollet që janë kryer, tre të arrestuarve u janë gjetur një sasi dokumentesh, por edhe pajisje që ngrenë dyshimet se përdoreshin për të realizuar falsifikimin e dokumenteve. Burimet e policisë kanë deklaruar zyrtarisht se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tre autorët e prangosur në kushtet e flagrancës falsifikonin dokumente, viza, dokumente greke dhe vula të pikave të kalimit kufitar. Me pasaportën e falsifikuar me vula dhe viza, klientët kalonin në rrugët e kufirit të gjelbër, ndërsa në rastet e tjera nga kufiri shtetëror me vizë false dhe pa vulë.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar nga kontrolli në banesat e tre shtetasve 3 pasaporta të reja biometrike, në të cilat gjendeshin viza greke që dyshohen se janë të falsifikuara, disa dokumente greke, një dokument identifikimi në gjuhën greke, një njësi qendrore kompjuteri, kamera dixhitale, një sasi të konsiderueshme lekësh, dollarësh dhe eurosh, pajisje kancelarie, si dhe një sasi të konsiderueshme kartash plastike në formatin e kartave të identitetit dhe patentave, të cilat përdoren për falsifikim.
#