“Kreu i PS, taksa-rritës serial, shkatërroi bizneset në kryeqytet”

Ministri i Financave Ridvan Bode: Taksa progresive, hanxhari i Edi Ramës në qafën e biznesit
Për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe njëherazi ministër i Financave, Ridvan Bode taksa e sheshtë është thelbi i suksesit ekonomik të Shqipërisë. Ai reagoi ashpër kundër propozimeve të Partisë Socialiste për taksën progresive, duke e konsideruar këtë si hanxharin e Edi Ramës në qafën e biznesit. “Edi Rama është një taksa-rritës i pandreqshëm dhe një mace e zezë për biznesin. Sa herë që Rama ka pushtetin në duar ai bën rritje progresive të taksave, duke regjistruar rekordet më të mëdha që një pushtetar ka pasur ndonjëherë në rritjen e taksave për punonjësit, rrogëtarët dhe familjet në nevojë. Si taksoman që është, edhe në këtë fushatë elektorale, të parën gjë që u tha shqiptarëve ishte rritja progresive e taksave, çka do të thotë jo barazi, jo drejtësi në pagimin e taksave. Por e keqja nuk ka fund. Edi Rama as nuk tregon se sa, në çfarë mase, ai kërkon të rrisë taksat – ai thotë “shihemi pas zgjedhjeve”. Nga 10 për qind që janë do t’i bëjë 30 për qind, 40 për qind, 50 për për qind, apo më shumë? Se nëse shohim të shkuarën e tij, çdo gjë është e mundur. Si ekscentrik që është deklaron çdo ditë nga një modifikim, nga një lëshim, nga një tërheqje, sipas mexhlisit ku ligjëron dhe përsëri rikthehet e ri-thotë atë që ai di të bëjë më mirë: rritjen progresive të taksave! Ai është një taksa-rritës i pandreqshëm dhe një mace e zezë për biznesin e qytetarët që do të paguajnë këto taksa. Rama është armik i lirisë, konkurencës, stabilitetit të ekonomisë. Gjithë bota tashmë e di se rritja progresive e taksave vret rritjen ekonomike, vret punësimin, vret fuqinë blerëse, prek moralin dhe drejtësinë e tregut. Por ne shqiptarët dimë dhe një gjë tjetër: taksa progresive në duart e Edi Ramës është hanxhari pezull në qafën e çdo biznesi apo qytetari. Me këtë taksë do fitojë kupola mavi dhe do humbin shqiptarët”, u shpreh Bode.
Sipas tij, mania e Ramës për të rritur progresivisht taksat ndaj kujto, kurdoherë dhe në çdo kohë, është e njohur që kur ai ka qenë kryetar bashkie në Tiranë. “Edi Rama rriti progresivisht taksat si kryebashkiak i Tiranës dhe kjo sigurisht dëmtoi bizneset, investimet e tyre, punësimin e qytetarëve. Në vitin 2003, Rama krijoi një takse të re, duke ia ngarkuar këtë çdo shqiptari që kalonte një natë në hotel – 5 për qind më shumë vetëm për të fjetur; Në 2005, Rama rriti taksën në tabelat identifikuese të biznesit me 50 për qind; Në vitin 2008, ai rriti taksën e reklamës së bizneseve, dhe sikur të mos mjaftonte, në 2009 e trefishoi atë. Por nuk ndaloi me kaq: Rama rriti taksat për tabelat e restoranteve me 400 për qind. Rama krijoi një taksë të re për bizneset, duke i ngarkuar ata me 500 mijë lekë në vit. Rama rriti taksën e pastrimit për bizneset më të vogla me 5herë herë, dhe bizneset e mëdha paguanin deri në 223 mijë lekë në vit”, deklaroi kreu i Financave, duke e cilësuar kryetarin e opozitës si ‘taksa-rritës serial’. Rama rriti taksën e pastrimit me 50 herë, nga 100 lekë në 5000 mijë lekë për çdo familje, çdo vit. Dhe të jemi të qartë, kjo nuk ishte rastësi – ishte zgjedhja e tij. Kur ai iku nga posti dhe kryebashkiaku ynë u zgjodh, 60 tarifa dhe taksa u eliminuan dhe u reduktuan”, tha ai.