“Çdo nismë për rritjen e të ardhurave në xhepat e qytetarëve”

Nënkryetari i PD, Astrit Patozi
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi e vuri theksin tek miratimi i ligjit që mundëson heqjen e taksave për rreth 220 mijë shqiptarë që marrin deri në 21 mijë lekë në muaj. Patozi akuzoi kryetarin e opozitës për mosvotimin e ligjit, ndërsa shprehu vendosmërinë e demokratëve për të ndërmarrë çdo nismë, që siç tha ai, do të sjellë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve.
“Në sallonin mavi të çudive të Edi Ramës, e zeza mund të bëhet e bardhë, madje edhe humbja mund të quhet fitore. Për shqiptarët është e thjeshtë dhe e qartë, me PD nuk ka mëdyshje, ne jemi të vendosur të ndërmarrim çdo nismë për më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve, për të hapur më shumë vende pune, mbi të gjitha për paga përherë e më të larta, sepse ne jemi ndryshimi përpara. Edi Rama votoi kundër 220 mijë shqiptarëve, por ne e përmbushëm misionin, nuk do të ketë më tatim për 220 mijë shqiptarë, të ardhurat do të shkojnë vetëm për familjet e tyre, por Rama votoi kundër ligjit. Të gjithë ata që marrin deri në 21 mijë lekë në muaj, zero taksa, kjo do të thotë 25 mijë lekë më shumë në xhepat e tyre çdo vit, por Rama votoi kundër ligjit, për shqiptarët deri 30 mijë lekë në muaj, zero taksa, 36 mijë lekë në vit në xhepat e tyre, shumë e mjaftueshme për të paguar energjinë për së paku 5 muaj, ose ushqimet e 4 muajve për një familje normale. Kur këta blejnë më shumë, bizneset shtojnë fitimin, ndaj kjo reformë nuk ka lidhje vetëm me ata që përfitojnë direkt, por Rama votoi kundër ligjit”, tha Patozi.