“Zotohemi të trefishojmë grandet për bujqësinë, për peshkimin, blegtorinë, agrobiznesin”
Berisha: “23 qershori, fundi i bllokimit me votën tuaj”
“Zotohemi se në krye të katër viteve, Shqipëria, 7 milionë turistë dhe vizitorë, 30 përqind më shumë punësim në turizëm; 7 vite pa taksa për çdo investim në zonat malore të Shqipërisë”
Nga Konventa e Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha premtoi se mandatin e ardhshëm PD do të hapë 250 mijë vende të reja pune, ndërsa shprehu besim se ky program do t’i japë përgjigjen më të mirë problemit të punësimit në vend.
Kreu i qeverisë vlerësoi se programi i demokratëve për punësim dhe paga të larta, është realist dhe për këtë ai u zotua për mbajtjen e premtimeve gjatë katër viteve të ardhshme qeverisëse. “Punësimi, krijimi i vendeve të reja të punës, pagat më të mira janë qëllimi më madhor i çdo reforme, i çdo vendimi, i çdo përpjekjeje në programin e Partisë Demokratike. Angazhimi ynë para jush është solemn, është total dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që këtë të drejtë themelore të njeriut ta gëzoni si shumica e shqiptarëve. Ju garantoj sot nga kjo tribunë se katër vitet që vijnë do të jetë vitet e punësimit e pagave më të larta për ju e mbarë shqiptarët. Këto janë qëllimi më madhor i çdo reforme dhe vendimi i programit të PD-së”, u shpreh Berisha.
Kryeministri u kërkoi shqiptarëve që të kenë besim tek premtimi i PD-së, pasi kjo forcë politike tha ai ka faktuar në këto tetë vite se i mban premtimet. “Ju, që na ndiqni sot para ekraneve të televizioneve apo në valët e radios, me të drejtë, në mënyrën më të ligjshme shtroni pyetjen pse ne të papunët duhet t’ju besojmë juve, pse ne të papunët duhet të të besojmë ty Sali Berisha, pse në të papunët duhet t’i besojmë Partisë Demokratike. Pyetja juaj është më e ndershmja e më e drejta dhe unë ju përgjigjem: duhet të na besoni, sepse këto tetë vite, por edhe gjatë gjithë ekzistencës sonë në politikë, ne i kemi faktuar shqiptarëve vendosmërinë tonë për çdo sakrificë, për të mbajtur premtimet. Duhet të na besoni se katër vjet më parë, në këtë sallë Sali Berisha premtoi 160 mijë vende pune, por u krijuan 200 mijë vende pune. Duhet të na besoni se në të gjithë jetën time politike, kurrë ndonjëherë nuk jam përpjekur të mësoj më shumë se në këtë kohë. Duhet të na besoni se ne krijuam 200 mijë vende pune, sepse ne i besojmë lirisë, sepse ne konsiderojmë lirinë ekonomike, iniciativën e lirë të qytetarit, pasurinë më të çmuar, magjinë e tregut, forcën e tij. Duhet të na besoni se pas anëtarësimit në NATO, pasaportës së madhe të sigurisë, jashtë parashikimit tonë, investimet e huaja në Shqipëri u rritën me 316 për qind. Duhet të na besoni se në katër vite, në këtë tokë që vetëm pak vite më parë ishte vendi i investimeve të ndaluara, e investimeve të ‘mallkuara’, u investuan nga investitorë vendas e të huaj, nga sektori privat shqiptar dhe sektori publik 12 miliardë dollarë, që u kthyen në vende pune e në rroga. Sot më mirë se kurrë, më të qartë se kurrë e dimë se ku janë potencialet tona. Secili nga ju, para se të hezitojë të përqafojë programin tonë, të shtrojë pyetjen: çfarë ndodhi, si ka mundësi që këto katër vite, ne investuam në këtë vend 12 miliardë dollarë. Po, ka mundësi, sepse këto katër vite, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, sepse reformat tona merituan heqjen e vizave, sepse reformat tona merituan marrjen e statusit, sepse ne dëshmuam se ne jemi vend serioz, se zbatojmë ligjet dhe ligjet më të mira. Shqipëria mori 12 miliardë dollarë investime, sepse taksa e sheshtë 10 për qind, taksa e librave të shenjtë u shndërrua në levën e Arkimedit për ekonominë shqiptare. Ne që premtuam 160 mijë vende pune, realizuan 200 mijë, a nuk kemi të drejtë të premtojmë sot, me realizmin më të madh, me minimumin më të madh, 250 mijë vende!”, tha ai.
“Por, vijoi ai, ne do të punësojmë 250 mijë qytetarë katër vitet që vijnë, sepse në mandatin tjetër ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe do të hapim negociatat me BE-në. 23 qershori është fundi i bllokimit me votën tuaj. Më 23 qershor ne do të votojmë për punësimin dhe integrimin. Mos harroni se këtë rrugë e nisëm 20 vjet më parë. Ishim ne që e anëtarësuam vendin në Këshillin e Europës dhe NATO, ishim ne që realizuam lëvizjen e lirë. Statusi i kandidatit na u bllokua në mënyrë të pandershme por do jemi ne që do e zhbllokojmë me votën tonë. Këto javë, vijoi Berisha, u bëmë ndoshta vendi i parë në botë pa asnjë taksë mbi kapitalin. Ky është guximi ynë, se ne kemi bindjen më të madhe se kjo është mbështetja më e fuqishme për investimet e huaja. Programi ynë për ju është realist. Ne që ja dolëm të kemi në katër vitet e fundit 12 miliardë dollarë investime, sot zotimi ynë solemn është se do të kemi 16 miliardë dollarë investime. Thirrja ime vëllazërore për të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë vend të zhvilluar është votoni programin e punësimit dhe klimën e investimeve, se kështu keni votuar për vete, për vende të reja pune dhe për rroga më të larta, deklaroi kryeministri Berisha, duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë se, më 23 qershor shkojmë drejt një horizonti të ri, drejt të një mandati të ri, drejt punësimit, rrogave më të larta”.