E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: 250 mijë vende të reja pune për 4 vitet e ardhshme

31-03-2013 / Gazeta 55

Entuziazëm në Konventën e Partisë Demokratike “Për më shumë punësim dhe Paga më të larta”. Në prezantimin e programit të mazhorancës për katër vitet e ardhshme, kanë marrë fjalën ministra të kabinetit Berisha, por edhe specialistë të disa sektorëve të ekonomisë, si Eno Bozdo, Eneida Guria, Enkelejda Sallaku dhe Jorida Tabaku

Partia Demokratike zhvilloi dje në Pallatin e Kongreseve, Konvetën “Për më shumë vende pune dhe Paga më të larta”, ku u prezantua programi i mazhorancës për katër vitet e ardhshme qeverisëse, me fokus punësimin dhe rritjen e pagave.
Punimet e Konventës i çeli nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila renditi disa nga arritjet e kësaj mazhorance në uljen e papunësisë në vend. Ajo nënvizoi angazhimin e demokratëve për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës. Kryeparlamentarja Topalli theksoi se në gjithë këto vite qeveria shqiptare ka bërë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale për bizneset duke nxitur punësimin. Sipas saj, në 8 vitet e fundit në Shqipëri janë krijuar 200 mijë vende të reja pune. “Rezultatet tregojnë se ne kemi krijuar 200 mijë vende të reja pune gjatë 8 viteve të qeverisjes sonë. Projektet tona të infrastrukturës po punësojnë 55 mijë shqiptarë në vit. Papunësia ka rënë. Taksa e sheshtë po fut më shumë lekë në xhepat e qytetarëve. Taksa e sheshtë tregoi se është një model për pjesën tjetër të botës. Ne zgjodhëm transformimin e vendit, që nga ndërtimi i rrugëve, deri te lehtësitë për biznesin. Ne përmirësuam doganat që gjithçka të lëvizte më shpejt. Ndërtuam 1300 shkolla dhe i pajisëm me internet, zgjeruam trajnimet profesionale për të lidhur të rinjtë me punën. Ne jemi zotuar për krijimin e 250 mijë vende pune gjatë katër viteve të ardhshme”, u shpreh Topalli. Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli në fjalën e tij tha se, 8 000 km rrugë rurale dhe rajonale u mundësojnë sot fermerëve të nxjerrin produktet në tregun tonë dhe në eksport. “Isha këtë javë në Kosovë të vogël të Lushnjes; mbetëm të impresionuar nga puna e atyshme, nga kërkesat dhe sugjerimet që na dhanë. Na thanë se ishte bërë shumë, por edhe më shumë duhej bërë. Kohët e fundit kemi parë një vizitor të ri në fshatin tonë, Edi Rama, që o zgjedh vendin e gabuar o mesazhin e gabuar. Në Korçë u tha fermerëve se prodhimet po ju kalben, kur atje ka kapacitetin më të madh magazinues në vend”, u shpreh Ruli.
Ai vuri në dukje se, “bujqësia ka qenë 5 vitet e fundit, sektori më dinamik me rritje 30 për qind. Kjo është bërë e mundur në saj të politikave të Qeverisë sonë. Rreth 14 miliardë lekë janë investimet e PD-së në projektet e ujitjes, ku ka ende shumë për të bërë”, deklaroi ai.
Për ministrin e TIK, Genc Pollo “Partia Demokratike ka vepruar që shqiptarët të kenë aftësitë, mundësitë dhe infrastrukturën e duhur për të konkurruar në profesionet e tregut të ekonomisë digjitale. “Sepse këto nuk janë thjesht vende pune, por janë mbi të gjitha karrierat profesionale të së ardhmes”, Pollo.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi i cilësoi investimet e qeverisë në turizëm, si faktor vendimtar në rritjen e punësimit. Ai tha se “ne e transformuam Shqipërinë në destinacion turistik, dhe sollëm qindra miliona euro të ardhura – dhe dhjetëra mijë vende të reja pune. Investimet në rrugët, portet, aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar e kanë bërë Shqipërinë të arritshme dhe të vizitueshme. Shqipëria Turistike është sot realitet sepse ne përmirësuam ndjeshëm imazhin e vendit. Shqipëria turistike është Shqipëria anëtare e NATO-s, pa Viza drejt BE-së, tërheqëse për investitorët e huaj. Shqipëria turistike është oferta e Lonely Planet, Frommers në SHBA, National Geografik mediave më në zë në Europë dhe SHBA ku ftohen qytetarët e botës të kalojnë pushimet në Shqipëri. Shqipëria turistike është produkt i përbashkët i partneritetit Publik Privat. Partia Demokratike me politikat e saj liberale dhe besimin te sipërmarrja e lirë ka nxitur zgjerimin e aktivitetit privat. Taksat e ulëta, shërbimet e modernizuara dhe transparente kanë krijuar një klimë të favorshme bizneset në sektorin e turizmit. Turizmi ka nxitur punësimin në industri të tjera, nga agro-kultura, ndërtimi i hoteleve dhe restoranteve, transporti, tek prodhimet artizanale. Kontributi total i turizmit në punësim është rreth 184 000 vende pune”, u shpreh më tej Bumçi. 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj renditi reformat në arsim nga investimet në infrastrukturë dhe rritja e pagave. “Pagat e mësuesve janë dyfishuar, për të tërhequr dhe për të mbajtur në sistemin tonë arsimor mësues më të kualifikuar, sepse mësues më i mirë do të thotë një sistem arsimor më i mirë. Gjatë qeverisjes së PD janë ndërtuar ose rikonstruktuar 1300 shkolla. Janë instaluar laboratorë shkencore, kabinete me kompjuterë dhe internet e pajisje të tjera moderne, që i përgatisin më mirë nxënësit për të garuar në ekonominë botërore. Këto shkolla të reja kanë reduktuar numrin e nxënësve që mësojnë me turne, edhe pse sot kemi më shumë se asnjëherë tjetër nxënës në shkolla. Shkollat e reja tregojnë se ne jemi të vendosur për shkollimin e brezit të ri dhe për t’i hapur atij dyert e së ardhmes”, u shpreh Tafaj.
Ndërkohë, Konventës së PD, “Për punësim dhe Paga më të larta” iu drejtuan me fjalime edhe përfaqësues të tjerë, asistues të hartimit të programit të punësimit si, Majlinda Bregu, Sokol Olldashi, Eno Bozdo, Bardhyl Musai, Eneida Guria, Enkelejda Sallaku, Jorida Tabaku dhe Florjon Mima.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›