E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Qeverisë dhe ai i AKP-së pritet të ndiqen penalisht

Udhëheqësit e Qeverisë dhe ata të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë afat vetëm edhe të premten (sot) që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me të drejtat e ish-punëtorëve të Fabrikës së Çelikut-IMK në Ferizaj. Pas kësaj date, ata mund të ndiqem penalisht për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses. E kjo mund të ndodhë për faktin se as Qeveria dhe as Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk e kanë ndërmend ta zbatojnë vendimin e Kushtetueses. Derisa zyrtarët e AKP-së thonë se institucioni i tyre nuk ka mjete të mjaftueshme për ta zbatuar vendimin e detyrueshëm të Gjykatës Komunale të Ferizajt, zyrtarët e Qeverisë thonë se përgjegjëse primare është AKP-ja.

“Përgjegjësi primar është AKP-ja. Qeveria është vetëm si subsidiar në këtë rast”, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Por Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të publikuar më 6 dhjetor si vendim për mospërmbarimin e këtij aktgjykimi për shkak se Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk e kishin përmbaruar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, rasti nr. KI 08/09, i 17 dhjetorit 2010, ka ritheksuar se autoritet zbatues është edhe Qeveria. Gjykata, në aktgjykimin e saj të 17 dhjetorit 2010, vendosi: "[ ... ] Vendimi i formës së prerë dhe i obligueshëm i Gjykatës Komunale të Ferizajt duhet përmbaruar nga ana e organeve kompetente, posaçërisht nga Qeveria dhe nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse ligjore e AKM-së” . Gjykata, më tej, vendosi se Qeveria dhe

Agjencia Kosovare e Privatizimit janë “autoritetet zbatuese”, thuhet në vendimin e Kushtetueses që sot (e premte) mbush 15 ditë nga publikimi.

Sipas njohësve të së drejtës kushtetuese, në momentin kur të ndodhë publikimi në “Gazetën Zyrtare” “krijohet bazë e mjaftueshme për ndjekje penale nga ana e prokurorit publik”. Sipas tyre, baza për ndjekje gjendet në nenin 339 të Kodit Penal – shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit. Neni parasheh dënim deri në tetë vjet për zyrtarin nëse “ai... shpërdoron pozitën e tij zyrtare, tejkalon kompetencat ose nuk i përmbush detyrat zyrtare”.

“Qeveria nuk i ik përgjegjësisë, por duhet të lexohet drejt ai vendim i Gjykatës Kushtetuese. Ata duhet ta lexojnë mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka dhënë sqarimin e plotë. Ai vendim do të respektohet, por është Agjencia e Privatizimit që do ta bëjë veprimin e vet dhe ajo çka mbetet si veprim për qeverinë”, thotë Kuçi, shkruna "Koha Ditore".

Zyrtarët e AKP-së nuk deshën të jepnin sqarime të tjera, pos deklaratave të dhëna shumë më parë.

“Agjencia ka dhënë përgjigjen e saj në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesat e punëtorëve për kompensim, siç është thënë edhe më herët, agjencia është në proces të shqyrtimit të tyre përmes likuidimit të ndërmarrjes shoqërore në fjalë”, thotë Yll Kaloshi, zëdhënës i Qeverisë.

Por Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë AKP-së këtë afat. Afatin ajo e ka pasur tash dy vite.

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj vazhdojnë të bëjnë presion në Gjykatën Kushtetuese për zbatimin e vendimit të saj për kompensim të pagave për periudhën 1990-1999, kohë kjo kur ata ishin larguar nga puna në mënyrë të dhunshme. Të mërkurën, në protestën e organizuar në Prishtinë, ata kanë kërkuar publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që tregon se moszbatimi i vendimit të parë është shkelje e vendimeve të Gjykatës dhe u jep afat dyjavor Qeverisë dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit që ta zbatojnë atë vendim për dëmshpërblim të rreth 900 punëtorëve me rreth 30 milionë euro./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›