Kreu i Ushtrisë së Maqedonisë refuzon gjuhën shqipe
Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), gjeneralmajor Goranço Koteski, pas publikimit të Librit të Bardhë të Armatës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për reformat dhe sfidat e së ardhmes të forcave të mbrojtjes dhe në planin e sigurisë në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht, ka reaguar ashpër kundër përdorimit të gjuhës shqipe. Koteski tha se ky libër për strategjinë e mbrojtjes duhet të publikohet vetëm në gjuhën zyrtare të ARM-së dhe kjo sipas tij është gjuha maqedonase, dhe jo në gjuhën shqipe dhe angleze. I njohur për ashpërsinë e tij ndaj shqiptarëve, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë, gjeneralmajor Goranço Koteski ka ngritur iniciativën për vërtetimin e përgjegjësisë së katër oficerëve shqiptarë të ARM-së që morën pjesën në homazhet në varrezat e UÇK-së të shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, me rastin e 13-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, sipas agjencisë INA.