Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare, vëmendje maksimale politikave për përmirësimin e mjedisit
Kryeministri Berisha iu bashkua sot aktivitetit sensibilizues “Një ditë pa makinën time” të organizuar me rastin e ditës botërore pa makina. Duke respektuar këtë ditë kryeministri përshkoi në këmbë rrugën nga zyra e tij deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Aktiviteti i zhvilluar nën kujdesin e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe e Administrimit të Ujrave në bashkëpunim me Miss Glob International, Federatën shqiptare të Çiklizmit, shoqatat mjedisore si dhe shkollat Tiranës pati si qëllim sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e përmirësimit dhe ruajtjes së mjedisit.
Çdo 22 shtator, Shqipëria i bashkohet lëvizjes evropiane dhe mbarë botërore për ditën pa makina. Sot në 1300 qytete të botës, përfshirë edhe Tiranën, do të ketë një ndalim simbolik të automjeteve në segmente të caktuara me qëllim tërheqjen e vëmendjes së opinionit të gjerë dhe strukturave vendimmarrëse për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Në fjalën e tij Ministri I Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të ujrave, zoti Xhuveli theksoi se krahas masave të ndërrmarra nga qeveria shqiptare për të krijuar kushte më të mira për mjedisin në Tiranë dhe kudo, kërkohet një kontribut i vazhdueshëm i të gjithë shoqërisë shqiptare.
Më pas, kryeministri Berisha duke përshëndetur aktivitetin shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për ta shndërruar mesazhin që përcjell kjo ditë në platformë pune për qeverinë: “Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh angazhimin e qeverisë se apeli i kësaj dite, mesazhi i kësaj dite do të shndërrohet në një platformë për qeverinë tonë, për të mbrojtur mjedisin me vetëdijen më të thellë se kjo është mbrojtja e jetës, mbrojtja e qytetarëve të këtij vendi" – tha Kryeministri.
Duke vënë në dukje se organizimi i ditës pa makina është një thirrje, një kujtesë për dëmet e mëdha që sjellin gazrat e çliruara nga lëndët djegëse, në shëndetin e individit dhe ngrohjen globale, Kryeminisri siguroi se do të merren në vazhdimësi të gjitha masat, nëpërmjet politikave të reja doganore që Shqipëria të mos jetë depoja e makinave të vjetëruara të Evropës. Kryeministri u shreh se për këtë qëllim janë vendosur standarde të reja për të gjitha karburantet që importohen në Shqipëri, standarde të cilat do të konsolidohen dhe do të zgjerohen më shumë në të ardhmen.
Duke theksuar se mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit përbën sfidën më të madhe, dhe më të rëndësishme, për shoqërinë, qeverinë, për shtetin në tërësi, Kryeministri falenderoi shoqatat mjedisore në mbarë vendin për punën e bërë në drejtim të rritjes së ndjeshmërisë së qytetarëve ndaj problemeve madhore që përballet mjedisi, si dhe siguroi vëmendjen maksimale të qeverisë ndaj problemeve dhe shqetësimeve të tyre. Gjithashtu Kryeministri Berisha garantoi një dialog konstant të qeverisë me këto shoqata, në dobi të mbrojtjes dhe zhvillimit më eficent të mjedisit të vendit.
Më pas, Kryeministri Berisha, Ministri Xhuveli dhe konkurrentet e Miss Glob International shpërndanë si dhurata 20 bicikleta, për nxënësit më të mirë të shkollave të Tiranës. Gjithashtu, kryeministri Berisha vizitoi dhe një ekspozitë me punime në pikturë të nxënësve të këtyre shkollave.