Kreu i qeverisë: Nuk kam pasur dijeni për depon e madhe në Gërdec
Kryeministri Berisha ka treguar dje në sallën e Kuvendit edhe një herë përmbajtjen e "filmit aksion të Gërdecit", të cilin shqiptarët e panë drejpërdrejtë nëpërmjet mediave. Duke shfrytëzuar podiumin e Kuvendit dhe sigurisht ekranet televizive, që japin drejtpërdrejt seancat parlamentare, kreu i qeverisë nuk ka përtuar të rindërtojë edhe një herë nga e para të gjithë skenën e ngjarjes, që edhe ai vetë e ka mësuar me kaq detaje nga mediat, të cilat, për të kryer misionin e tyre, kanë qenë në ato momente në vendngjarje, duke u bërë padashur protagoniste të këtij filmi me fund tragjik. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha ka deklaruar se "më 15 mars, në mesditë, Shqipëria përjetoi në zonën e Vorës një katastrofë të tmerrshme, të shoqëruar me plagosje, me humbje të konsiderueshme jetë njerëzish, por edhe dëme materiale". Sipas Kryeministrit, shkak i kësaj tragjedie ka qenë shpërthimi i një eksplozivi të fuqishëm, i cili krijoi një katastrofë, e cila u shoqërua me një çmim shumë të shtrenjtë, jetë njerëzish dhe rrënime të shumë shtëpive dhe bizneseve. Ky lajm i kobshëm e ka gjetur Kryeministrin në një takim politik, të cilin e ka ndërprerë më pas, për të marrë situatën në dorë. Kreu i qeverisë ka informuar më pas deputetët se ka urdhëruar ministrin e Mbrojtjes të Brendshme të të Shëndetësisë që të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre, për t‘u ardhur në ndihmë të lënduarve. Duke renditur disa të dhëna, të cilat mediat kanë ditë që i kanë bërë publike siç janë vënia në dispozicion e 10 helikopterëve, e mbi 1 mijë trupave ushtarake, mbi 500 trupa të policisë, kreu i shtetit nuk ka harruar të falënderojë ministrat dhe deputetët për kontributin e dhënë në kapërcimin e kësaj tragjedie. Po ashtu Kryeministri ka theksuar se nga kjo tragjedi janë lënduar 247 persona, nga këta 15 janë më të dëmtuar, pasi kanë djegie të shkallëve të ndryshme, por për ta ndihma është dhënë në mënyrë të menjëhershme, duke i dërguar në spitalet e Greqisë dhe të Italisë për një ndihmë mjekësore më të specifikuar. Duke u ndalur te dëmet materiale, Kryeministri ka theksuar se janë vlerësuar dëmet e 1300 ndërtesave dhe ka premtuar se do të kompensojë me para në dorë të gjithë banorët. Duke hasur në kundërshtinë e deputetëve të opozitës, të cilët kanë shprehur hapur kundërshtinë për të dëgjuar ligjëratën e kreut të qeverisë, ky i fundit është munduar t‘i vërë ata para përgjegjësisë, duke u thënë se për trajtimin municionit, është fajtor ligji që kanë lënë ata, pasi nuk ekziston një vendim i qeverisë shqiptare sesi do të trajtohen municionet. Duke dashur të hedhë poshtë çdo akuzë që është bërë nga opozita se Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë shitblerjen e municioneve, ai ka theksuar se për herë të parë fjalën Gërdec e ka dëgjuar më 15 mars ditën e tragjedisë. Ndaj nuk ka asnjë lidhje me ato akuza se ai ka ndërhyrë për të krijuar në Gërdec këtë depo për mbledhjen e municionit, apo të kontraktonte firmat për kryerjen e kësaj pune. Për Kryeministrin të gjitha këto akuza janë të pavërteta. Duke bërë rrolin e të paditurit për shumë zhvillime në vend kryesisht në fushën e mbrojtjes, të cilat nuk janë as kompetencë e tij dhe as e kreut të shtetit, Kryeministri i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë për seriozitet të madh për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.