E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti lakuriq

Këso vuajtjesh, këso t‘hjekmit,

ja rrëfeshim dheut t‘zi.

Jemi ba me shitë të vdekmit,

po s‘po gjejm‘ kund myshterinj…

Nga një këngë popullore

Jo një herë është pohuar se edhe përmes një ngjarjeje të vetme mund të analizohet si përmes një lupe funksionimi i shtetit dhe institucioneve të tij, madje më shumë se sa kaq, mund të verifikohet edhe funksionimi i mbarë shoqërisë dhe strukturave të saj. Në këtë kuadër edhe ngjarja tragjike e Gërdecit është një sprovë e pasojave të asaj çka jo një herë ka qenë në fokus të analizave të shpeshta: pra e degradimit të qeverisjes aktuale, e degradimit të saj në themelin e vetes, në shpërfilljen e hapur të procedurave.

Sot, në gjykimin e gjithfarshëm të demokracisë, të funksionimit dhe të efektivitetit të saj, ekzistojnë një varg opsionesh që paranisen nga pikëvështrime të ndryshme, por të gjitha ato pajtohen te konkluzioni se demokracia është funksionale dhe efektive kur respektohen procedurat ligjore dhe veprimtaria e institucioneve u përmbahet detyrimeve të tyre gjithashtu ligjore. Në të kundërt, ajo degradon ose në anarki, ose në diktaturë, që shumë shpesh i lëshojnë vendin njëra-tjetrës.

Tashmë analiza pa fund janë bërë dhe sigurisht që do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhme në lidhje me këtë tragjedi. Jo rrallë këto analiza janë të veshura me tylin e një emocioni të kuptueshëm njerëzor, herë të tjera janë të shoqëruara nga intensione të interesit personal, qoftë ky edhe politik apo i karrierës politike, e cila jo rrallë ndër anët tonë bashkërendohet me shfrytëzimin e ndjesive populiste, që natyrshëm rriten në raste tragjedish. Kjo ndodh thuajse kudo. Kjo ndodh madje edhe në Shtetet e Bashkuara, kjo ndodh në Spanjë, në Kinë, por sigurisht jo në përmasat shkundëse të një shoqërie të pastabilizuar siç është shoqëria jonë, që thjesht dhe qartë vazhdon të mbetet një shoqëri në tranzicion të pandërprerë në këtë Yrt të shkretë të Ilirisë Perëndimore.

Për të arsyetuar këtë që sapo thamë, mjafton të bësh një analizë në lidhje me faktin se si dhe qysh u respektuan procedurat në gjithë atë sa ndodhi. Një lejë e dyshimtë ku biznesmenit nuk i është kërkuar asnjë lloj certifikimi i kapaciteteve dhe veçanërisht sigurisë profesionale për të ndërmarrë një aktivitet të tillë. Si u dha kjo lejë? Nën ç‘presione korruptive financiare apo politike u dha kjo lejë biznesi kur dihet se edhe leja e thjeshtë e ndërtimit të një shtëpie nuk jepet veçse kundrejt kushteve të përcaktuara qartë ligjërisht? Nën ç‘presione një varg specialistësh (xhenio, armatim, ekonomi) firmosën një kontratë të tillë që në mos më 15 mars, një ditë do të prodhonte atë që prodhoi, pra vdekjen? Në ç‘rrethana të tjerë specialistët nuk bënin inspektimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe të sigurisë së këtij aktiviteti ende të pasqaruar për sytë e publikut? Nga letrat e pakta të publikuara me vonesë, del se ministri në ikje ka firmosur mbi firmën e shefit të shtabit, aspak i ri në profesionin e ushtarakut dhe logjikshëm edhe ky i fundit duhet të ketë firmosur mbi ca letër-propozime të përparshme të presupozuara që duhet të jenë përgatitur nga specialistë. Ǒështë ky shef shtabi që firmos duke u thënë "shporru!" viteve të tëra dhe rregulloreve e manualeve të pafund që ka mësuar deri tani? Pse ky shef shtabi, në vend që të kapte foltoren dhe të raportonte duke dhënë llogari, na shfaqej nëpër mbledhje me kryepleq, thua se ishte përgjegjës i ndonjë shkolle të lirë ushtarake? Deklarata e djeshme e shefit të Shërbimeve Inteligjente të Ushtrisë, se ajo strukturë nuk kishte asnjë informacion në lidhje me aktivitetin në Gërdec, domethënë edhe në shumë vende të tjera si ky, kudo që ndodhen në Shqipëri, është një provë më shumë e mosfunksionimit që po analizojmë.

Në një bisedë televizive, Ngjela i shfajësoi në një farë mënyre ushtarakët, duke thënë se ata s‘paskan faj, pasi u janë bindur urdhrave të eprorëve të përfshirë në afera korruptive. Në të vërtetë, pikërisht këtu fillon problemi. Pyetja është: Nëse ky shef shtabi, shef xhenioje, shef armatimi, përgjegjës reparti; tetar, rreshter, major, kolonel apo qoftë edhe specialist i thjeshtë do të kishin një status të përcaktuar qartë sipas të cilit i japin llogari vetëm ligjit, a do të kishin lejuar të ndodhte një gjë e tillë? Përgjigjja është e thjeshtë: Kurrsesi. Dhe në historinë e diktaturës madje ka dhjetëra raste të tillë kur profesionistë- edhe të ushtrisë -kanë pranuar më mirë burgun për mosbindje, se sa burgun për shkelje të ligjit. Sepse nëse do të merrte përgëzimet e ditës nga shefi, do të merrte ndëshkimin ligjor të nesërmen. Sepse pikërisht te statusi dhe mbrojtja ligjore e aktivitetit të specialistit dhe personelit të administratës publike fillon themeli i funksionimit të shtetit ligjor, për pasojë edhe funksionimi institucional dhe si pasojë edhe shmangia e tragjedive të tilla si ajo e Gërdecit.

Para disa ditësh, në një emision debati politik në një prej televizioneve italiane, ku merrnin pjesë edhe dy personalitete të shquar si Marko Panela dhe Franko Fratini, të gjithë të pranishmit ranë në një mendje se qëndrueshmëria e funksionimit të shtetit italian, pavarësisht tallazeve politike, ishte e garantuar falë reformës në administratën publike të kryera nga i famshmi De Gasperi këtu e fiks 60 vjet të shkuara, në rrëmujën e pasluftës. Madje njëri nga bashkëbiseduesit nuk nguroi të deklarojë se De Gasperi me siguri që prehej në paqe në parajsë pikërisht falë këtyre reformave që vunë themelet e Republikës së re italiane.

Po ç‘mund të thuhet për administratën tonë, fati i së cilës varet thjesht dhe vetëm në humorin (politik, korruptiv apo afektiv) të "shefit"? Dhe atëherë nuk kishte pse Kryeministri të vraponte të sqaronte derë më derë gjithçka ndodhi. Në pamje të parë kjo nuk është logjike. Më shumë lipsej që shqiptarët të kishin parë përgjegjësit e strukturave ligjore, mirëpo edhe Berisha e di - ose së paku e ndjen - se askurrë s‘mund të jetë faji i tyre, pasi ata janë thjesht dhe vetëm "rrotëza dhe burma" të ingranazhit gjoja shtetëror që nuk është gjë tjetër veçse një zinxhir i gjatë figurinash në varësi vetëm të vullnetit të shefit, pra të vetë Berishës. Ja pse në të gjitha të folmet, përfshi edhe të opozitës, përjashto Ilir Metën, askush nuk u referohej ligjeve, rregulloreve, faturave dhe dokumentacionit përkatës, por i nënshtrohej vetëm mbështetjes apo atakut politik që pavarësisht emocioneve false, nuk e mbulon dot intensionin e interesit personal. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që edhe Presidenti i Republikës del e flet si analist i pavarur, pa çka se me dukjen të revoltuar. Mosmbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e tij qysh ditën e parë të ngjarjes, mungesa e një analize të përgjegjshme dhe institucionale- posaçërisht po të mbash parasysh se është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura -është një tjetër provë e degradimit të funksionimit të këtij shteti dhe të institucioneve të tij, që tashmë ka kapur majën e piramidës.

E u desh një ngjarje si kjo që ne ta shihnim edhe një herë shtetin ashtu sikundër është: lakuriq! Një shtet ku komandon emocioni politik dhe përfitimi i paligjshëm, një shtet pa institucione që tash e gjithë ditën ka marrë formën e altoparlantit të agjitpropit banal, populist dhe spekulativ.

Seanca e mbrëmshme e Parlamentit ishte një tjetër provë e kësaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›