E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antishteti sulmon misionarët e medias

Që antishteti është në sulm e kam shkruar edhe më parë. Është zhvilluar dhe trashur antishteti në këtë vend që pas vitit 2005 aq frikshëm, sa kushdo e sheh këtë edhe me një sy të shkujdesur. Sigurisht që optimistët e përkufizonin këtë të sotmin si një pushtet paksa arrogant e që e gjitha kjo lidhet me temperamentin e Berishës së me demek "kështu ka qëlluar ai, pak nevrik".

Nuk është aspak kështu. Antishteti dhe abuzivizmi i një mazhorance fiktive dhe plotësisht të personalizuar, që quhet vetëm Berisha dhe asgjë më shumë, janë në një revan shumë të rrezikshëm, që përjashton gjykimet e ftohta racionale dhe aq më pak përjetimet morale dhe reflektimet e natyrshme që rrjedhin nga to.

Sot asgjë nuk na jep asnjë mundësi të mendojmë se këtu, ndër ne, po ndërtohet një shtet. Kërkojmë pra, me modesti, një diçka që së paku t‘i ngjajë shtetit. Në të kundërt, kjo që po jetojmë nuk është asgjë tjetër veçse antishteti kokë e këmbë, që me kurajën e marrë që vetëm antishteti e bart, godet këdo dhe nuk kursen asgjë. Gërdeci ishte një pjellë makabër e antishtetit. Kur shkruaja javë më parë për antishtetin në sulm, ndonëse i shqetësuar deri në pakufi, nuk mundja aspak t‘i afrohesha me fuqinë e imagjinatës dhe të arsyes, aq më pak një monstruoziteti të tillë si Gërdeci. Gjithsesi, kemi një pamje të tmerrshme të asaj që ndodhi shumë pranë Tiranës, në Hiroshimën Gërdec të shekullit XXI, falë vetëm një mundësie, që na e dhanë misionarët e medias shqiptare të pavarur. Sigurisht që për antishtetin kjo bashkëjetesë me median dhe pavarësinë e saj është e pamundur, e tmerrshme, krijon ankth dhe shumë frikë.

Ta fillojmë nga kjo e fundit. Frika është vërtet shumë e madhe, sepse kjo media po hedh gjithë dritën e duhur dhe të mundshme në terrin dhe izolimin e informacionit që ka për zemër antishteti dhe kjo është brenda logjikës për të fshehur gjithçka që lidhet me këtë krim shtetëror. Frika është e madhe gjithashtu, sepse emra të rëndësishëm, bile shumë të rëndësishëm, afera, fitime marramendëse janë në lojë dhe antishteti nuk do për kiamet që ato të merren vesh se aty fillon fundi i tij. Aty fillon fundi i atyre që u përbetuan më 2005 se po vinin për të na çliruar nga korrupsioni dhe nga vjedhja shtetërore e që u shqyen së qari për tragjedinë e 9 janarit 2004, që tundën Parlamentin me gojën e Berishës, duke pasur si argumente vetëm ato që media e pavarur u vuri në dispozicion atëkohë.

Sot është e njëjta media, por që duke vazhduar të reflektojë lajmin dhe të vërtetën hidhëron antishtetin që pëlqen vetëm të vërtetat dhe gënjeshtrat e tij dhe që përkundet nga nostalgjia për një televizion të vetëm, si ai i viteve ‘90, që të mund ta manipulonte si Sadam Huseini me Ali Komikun dhe të arrinin t‘i thoshin popullit, mbase që edhe asgjë s‘kishte ndodhur dhe ku fati i së vërtetës të mbytej, ashtu siç u mbyt për 50 vjet e ku këta drejtues aktualë, ish-komunistë, të shtetit antishtet aktual, kanë nostalgji të pafshehur e të pandryshuar për regjimin 1945-‘90.

Bashkëjetesa e pamundur me median e pavarur është tashmë një dimension i pakorrigjueshëm për këtë pseudoshumicë që drejton vendin. Lajmi i vërtetë dhe ai i manipuluar përjashtojnë njëri- tjetrin. I pari është themel i një shoqërie të re demokratike dhe që kërkon të ndryshojë, të integrohet dhe globalizohet, ndërsa i dyti kërkon të ndërtojë lloj-lloj diktaturash të të gjitha syfeteve, por që në themel janë izoluese, përjashtuese të demokracisë dhe pjellëse të varfërisë së tmerrshme. Pra, ky lloj antagonizmi është edhe thelbi i sulmit diktatorial, cinik, provincial, që Berisha ndërmori ndaj misionarëve të medias, atyre që qëndronin aty, në vijë të parë të ngjarjes, të tragjedisë, të lajmit me koshiencë të pastër dhe duke përmbushur misionin e tyre, por me një ndryshim të madh, ata ishin aty ku Berisha nuk mund të ishte dot, sepse ishte përgjakur me ata njerëz dhe fatkeqësia ishte kaq makabër, sa dhe zemërimi do të ishte po kaq i madh e ndëshkues.

Fjala e vërtetë e medias krijon ankth. Po, po, krijon ankth, sepse të vërtetat që ajo po zbulon janë të tilla që ua prishin gjumin fajtorëve, u prishin edhe nervat, u prishin edhe qetësinë, sepse pas çdo fakti të ri që media jep, pesha e fajit ua thyen kërcinjtë fajtorëve, sepse është shumë e rëndë. Ankthi shkatërrues i antishtetit nuk mund t‘u kalohet mbi kurriz njerëzve të medias, që e kanë ndërgjegjen e qetë dhe që të rrezikuar sa më s‘ka, kryejnë për orë e orë të tëra detyrën e tyre, edhe pse shpesh të paguar keq e nën presion të pashembullt si ky i Berishës ditën për diell. Në kohët që jetojmë ka vetëm një çlirim për antishtetin nga ky ankth. Përballja me drejtësinë. Kjo është e vetmja mundësi për të krijuar sadopak raportin normal të fajit e fajtorëve me përfaqësuesit e zgjedhur të këtij vendi të ngarkuar, për të vënë në vend të drejtën.

Përjashtimi nga çdo gjykim prej antishtetit, i pranimit të fajit dhe beteja e përditshme me faktet e tmerrshme, që media e pavarur po publikon, përbëjnë një konflikt thelbësor, që lidhet me thelbin e vetë demokracisë. Është një luftë midis pushtetit abuziv të antishtetit, që nuk do kurrsesi të bëjë shtet dhe pushtetit të katërt të pranuar botërisht, pra medias së lirë e të pavarur që nuk mund të pajtohet me të. Është një betejë parimore, që është e fituar nga fjala e vërtetë, e cila mund në çdo rast mashtrimin shtetëror.

Sigurisht do të donte fort antishteti që Shqipëria të ishte me një televizion të vetëm "alla Sadam Husein", por demokracia e ka çarë tashmë rrugën e saj pa kthim prapa dhe këtë dimension të fjalës së lirë nuk e tjetërson dot më askush. Është sigurisht tragjikomike të kujtosh ditirambet për fjalën e lirë dhe fuqinë e saj të vetë Berishës dhe sulmin diktatorial që ai kreu ndaj medias, ku mungoi të thoshte vetëm se ishte media ajo që shkaktoi edhe tragjedinë e Gërdecit e jo abuzivizmi tragjik i antishtetit që ai vetë drejton. Ka vetëm një gjë që duhet ta bëjmë të gjithë, të shndërrohemi në misionarë të fjalës së lirë dhe t‘i zgjerojmë kufijtë e saj pa kufij. Kështu do të respirojmë më së fundi ajër më të pastër demokracie dhe do të kuptojmë më së fundi se ç‘do të thotë peshë e koshiencës morale shoqërore. Kjo koshiencë shoqërore, nëse do të ekzistonte, do ta bënte edhe dorëheqjen e Berishës gjënë më normale në botë dhe mungesa e plotë e saj e shndërron atë në një betejë ku njerëzit do e thonë me zë të lartë të tyren. Mungesa e koshiencës shoqërore morale bën që antishteti të flasë e të pretendojë për moralin e medias dhe jo për moralin e shprishur të vetë atij që çon fëmijët mes municioneve e predhave vrasëse. Mungesa e kësaj koshience bën që miliona dollarë mund e djersë të kombit të vidhen, shpërdorohen e futen në xhepa pushtetarësh, të faktuar nga media e pavarur, ndërkohë që varfëria çon në punë dhe shfaros ndër bomba e predha familje të tëra në Gërdecin tragjik. Askush nga ne nuk duhet të jetë i qetë. Çdo ditë antishteti kërkon të na kafshojë hapësirën e lirisë, kërkon të na asfiksojë, të na lërë pa oksigjenin e fjalës së lirë që misionarët e medias na furnizojnë me aq sakrificë njerëzore. E pra, ne jemi me ta, me misionarët e fjalës së lirë, nuk kemi me kë të jemi tjetër, ndërgjegjja e pastër na çon vetëm atje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›