E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i qeverisë premton shtrimin e rrugëve rurale në Breg.

05/08/2009  Berisha e Bollano takohen gjatë përurimeve të investimeve publike

“Brenda 2010-s përfundojnë rrugët që të çojnë drejt detit.”

Berisha tha se rëndësi do të ketë ndërtimi i sistemit të vaditjes.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga zona bregdetare e Jugut të vendit se brenda vitit 2010 do të përfundojnë së ndërtuari dhe asfaltuari të gjitha akset rrugore që të çojnë në brigjet joniane. Kreu i qeverisë ka deklaruar pas inaugurimit të rrugës së re për në manastirin “Shën Theodhori” dhe plazhin e Gjipesë se pas ndërtimit të veprës më panoramike në vend, rrugës së Bregut, përpjekjet janë përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme të kësaj zone, nga Orikumi në Ksamil, ku janë në ndërtim me dhjetëra rrugë, ujësjellës dhe sisteme të kanalizimeve. “Brenda vitit 2010 ne do të përfundojnë të gjitha rrugët që të çojnë drejt detit. Vizioni ynë është: kombi sytë drejt detit. Shekuj e shekuj i kemi mbajtur drejt maleve, dhe e vërteta është se kemi siguruar ekzistencën dhe mbijetesën, por nuk kemi siguruar dot prosperitetin dhe zhvillimin, që na kanë munguar. Ndaj tani do të kthehemi drejt një pasurie të pafundme, siç është deti. E tërë infrastruktura jonë do të ketë dy qëllime themelore: tregun dhe detin”, - deklaroi Kryeministri. Sipas tij, në këtë kontekst, të parat janë rrugët e fshatrave që zbresin në det, fillimisht të fshatrave që janë të bregdetit, më pas të fshatrave më tutje. Ai solli si shembull përfundimin e projektit të rrugës Kuç–Fterë–Borsh. “Them me bindje të madhe se në dy vjetët e ardhshëm e tërë zona e Bregut deri në Ksamil do të ketë një infrastrukturë moderne europiane”, - tha ai. Kryeministri Berisha kërkoi nga autoritetet vendore që krahas infrastrukturës rrugore vitin e ardhshëm të hartojnë projekte për sistemet e vaditjes. “Me grantet e qeverisë vendore, natyrisht jo për Myzeqenë, sepse për fushën janë shuma të mëdha, por për zonat e tjera do të dërgojmë edhe grantet për ndërtimin e sistemit të vaditjes. Sikundër këshillojmë që të jetë sistemi më modern që ata gjykojnë”, - tha ai. Duke u ndalur në potencialet e mëdha turistike të bregdetit të Jonit, Kryeministri shprehu kënaqësinë që këtë vit Saranda është vlerësuar si një nga destinacionet turistike më të bukura e të rëndësishme në botë.

Kryeparlamentarja Topalli

“Ballagati është përgjigjja më e mirë ndaj Edi Ramës”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike, ka deklaruar nga komuna e Bushatit të rrethit të Shkodrës se rezultati i votimit në zgjedhjet e pjesshme lokale në Ballagat të Lushnjës ishte përgjigjja më e mirë ndaj pretendimeve boshe të Edi Ramës për gjoja parregullsi në zgjedhje e për pasojë mosnjohjen e tyre. Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare, Topalli falënderoi banorët e të gjithë qarkut të Shkodrës, i cili ka qenë prej vitesh dhe vazhdon të jetë një mbështetës i fortë i Partisë Demokratike. “Ne jemi në rrugën e duhur drejt integrimit të Bashkimit Europian, shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin pa viza në Europë, pasi ndërkombëtarët kanë besim në reformat dhe punën e suksesshme të kësaj qeverisjeje, e cila ka arritur më tepër se ç’kishte parashikuar dhe njëkohësisht do të vazhdojë të përmbushë standardet perëndimore në të gjithë sektorët jetikë të vendit tonë”, - tha Topalli. Kryeparlamentarja Topalli ishte në Bushat për të marrë pjesë në përurimin e disa objekte të realizuara në infrastrukturën e kësaj zone. Përurimi i parë në këtë komunë është bërë në rikonstruksionin e aksit rrugor Bushat–Barbullush, me një gjatësi prej 18 kilometrash dhe fond prej 110 milionë lekë akorduar nga qeveria shqiptare, ndërsa përurimi i dytë për ndërtimin e një kompleksi sportiv në qendër të komunës, pranë shkollës së mesme të Bushatit, shuma e financimit të të cilit është 115 milionë lekë, një pjesë nga të ardhurat e komunës dhe pjesa tjetër nga kompania austriake “Verdbun”. Kryetarja e Kuvendit garantoi komunitetin e kësaj zone se qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë edhe në mandatin e dytë në këtë komunë në sektorë të tjerë, duke vënë në zbatim edhe projekte të tjera që janë në zbatim të zhvillimit të kësaj zone. “Gjatë mandatit të qeverisë “Berisha 2” nuk do të mbesin rrugë pa ushtruar me asfalt në asnjë komunë, në asnjë fshat të Shqipërisë, kudo që ai të jetë”, - deklaroi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›