E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i ri i KLSH, Kuvendi shqyrton kandidaturën e Topit brenda javës

TIRANE - Parlamenti pritet ta fusë në axhendën e tij brenda kësaj jave shqyrtimin e dekretit të Presidentit për kreun e ri të KLSH-së. Në fillim të javësh edhe mazhoranca do të vendosë në se do ta votojë apo jo emrin e Bujar Leskaj për kreun e ri të KLSH-së.

Në mandatin e parë pas rikthimit në pushtet të PD-së, Bujar Leskaj u zgjodh deputet në qytetin e Vlorës, ku fitoi një zonë bastion të së majtës, përballë ish-deputetit të kësaj partie, Mezan Malaj. Në formimin e qeverisë së re, Leskaj mbajti për një vit e gjysmë postin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Pas largimit nga kjo detyrë ai ka qenë një ndër mbështetësit më të fortë në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të shtresës së të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, kur ka propozuar disa amendamente në ligjin për dëmshpërblimin që i ka shkuar në favor kësaj kategorie.

Sipas ligjit "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit", kryetari i këtij institucioni ka një mandat shtatëvjeçar. Nga viti 2004 deri më 28 tetor të këtij viti këtë pozicion e ka mbajtur z.Robert Çeku. Por, ligji i vitit 1997 nuk e përcakton se çfarë ndodh nëse Parlamenti nuk zgjedh brenda afateve kreun e ri të KLSH-së, çka e ka lënë këtë institucion në pritje të votimit të radhës kur të diskutohet emri i Leskajt. Gjithsesi në rast të rrëzimit të kandidaturës së Bujar Leskaj, Presidenti Bamir Topi ka sërish të drejtë t'i propozojë Kuvendit një tjetër emër për postin e kreut të ri të KLSH-së.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›